BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 15 mars 2006

Data e publikimit: 16.03.2006

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 15 mars 2006 shqyrtoi gjendjen e sistemit bankar shqiptar për tremujorin e katërt të vitit 2005 dhe e vlerësoi atë të mirë. Përmbledhjen e këtij vlerësimi po e japim më poshtë :

• Vlerësimi i gjendjes financiare të sistemit bankar shqiptar për tremujorin e katërt të vitit 2005.

Sistemi bankar gjatë vitit 2005 u shfaq me zhvillime pozitive. Gjendja financiare e tij vlerësohet e mirë, me një ecuri në nivele të mira të treguesve të rentabilitetit; mjaftueshmëri kapitali mbi nivelin minimal të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë; rritje e thellësisë së ndërmjetësimit bankar si shprehje e rritjes së raportit të portofolit të huave ndaj totalit të aktiveve dhe rritje e totalit të aktiveve në tërësi; zgjerim në vazhdimësi i rrjetit të bankave, hyrje e bankave të reja në treg dhe ndryshim i pronësisë së tyre; shtim i produkteve të reja bankare dhe rritje e përdorimit të tyre si shprehje e rritjes së vëllimit të aktivitetit bankar në tërësi si edhe një situatë likuiditeti e kënaqshme, ku Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol aktiv në ofrimin e instrumenteve lehtësuese për mundësimin e administrimit të likuiditetit të sistemit bankar. Në këtë mënyrë, mund të themi se sistemi bankar ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të përmbushur më mirë misionin e tij si ndërmjetës dhe faktor i rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Këto zhvillime tregojnë për një përmirësim të perceptimit nga bankat, por edhe të bizneseve e individëve për ambientin investues në Shqipëri, inkurajuar edhe nga një mjedis makroekonomik i qëndrueshëm. Ndërsa rritja vjetore e numrit të punonjësve që punojnë në industrinë bankare me rreth 24 për qind, është rrjedhojë logjike e zhvillimeve pozitive në sektorin bankar.

Gjatë vitit 2005 sistemi bankar u shtua me një bankë, Banka Union. Numri i bankave u rrit në 17-të, ndërsa ish - banka "Dardania" u ble nga investitorë italianë. Në këtë mënyrë, numri i bankave private me pronësi shqiptare u rrit në tre. Pavarësisht nga pjesa e tregut që zënë këto banka, ndonëse pesha e tyre është rritur në mënyrë të konsiderueshme, shtimi i numrit të bankave me kapital shqiptar përbën një zhillim të dëshirueshëm. E parë në një plan rajonal apo më tej edhe global, ky zhvillim reflekton deri - diku rritjen e pavarësisë së sistemit bankar në Shqipëri si edhe rritjen e kapaciteteve absorbuese ndaj situatave të padëshirueshme ekonomike apo shock, në vendet prej të cilave kanë origjinën bankat e huaja që veprojnë në sistemin tonë bankar.

Aktivet e sistemit bankar shënuan rritje me 70.1 miliardë lekë (ose 16.4 për qind), rreth 17.3 miliardë lekë më e lartë se rritja e aktiveve, e evidentuar në vitin 2004. Tendenca në rënie e kontributit të bankave të mëdha në rritjen e sistemit, tregon për reduktim të përqendrimit të aktivitetit bankar në tërësi. Ndërkohë, ecuria e aktiveve të sistemit bankar në vite, por sidomos gjatë vitit 2005 në raport me treguesin e PPB-së tregon për rritje të thellësisë së ndërmjetësimit të sistemit bankar. Raporti në fjalë llogaritet rreth 59.3 për qind për fundin e vitit 2005 ndaj rreth 52 për qind në fund të vitit 2004.

Viti 2005 evidenton shpërndarje më të diversifikuar të portofolit të sistemit bankar. Sistemi u orientua më tepër drejt aktivitetit kreditues. Ky i fundit përbën 26 për qind të portofolit nga 16 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Gjatë vitit 2005, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi rritje me 57.6 miliardë lekë (1) ose 82 për qind, nga 19.3 miliardë lekë ose 38 për qind për vitin e mëparshëm. Banka Raiffeisen u shfaq me kontributin më të lartë në rritjen e portofolit të kredive për sistemin bankar, ndonëse teprica e kredive ndaj totalit të aktiveve për këtë bankë është ende e ulët. Ndërkohë, ritmi i konsiderueshëm rritës i tepricës së kredisë në krahasim me fundvitin 2004, është reflektuar edhe në ndryshimin e strukturës së kredisë sipas afatit. Nga analiza rezulton se kredia afatshkurtër ka ruajtur të njëjtin ritëm rritjeje, ndërsa dallohet një zhvendosje e kredisë afatmesme në kredi afatgjatë, sidomos kur krahasimi bëhet me fundin e vitit 2004. Megjithë dominimin e kredisë në valutë, kredia në lekë prezanton rritje të lehtë të peshës së saj ndaj tepricës së kredisë (në 24.4 për qind nga 19.5 për qind në fundvitin 2004).

Sistemi bankar shfaq një performancë shumë të mirë edhe për tremujorin e fundit të vitit 2005. Rezultati neto përllogaritet rreth 569 milionë lekë më pak sesa një tremujor më parë, çka në pamje të parë mund të tregojë për një rënie të efektivitetit të bankave. Megjithëkëtë, rezultati neto para tatimit është pothuaj i barabartë me atë të tremujorit të tretë dhe më i lartë sesa mesatarja vjetore. Analiza e detajuar e rezultatit neto dhe e strukturës së tij, tregon se kontribuesi kryesor i rezultatit neto për tremujorin në shqyrtim vazhdon të jetë rezultati neto nga interesat. Sistemi bankar dallon për një rezultat neto dukshëm më të lartë sesa rezultati neto i vitit 2004, mbi 29 për qind më i lartë.

Gjatë vitit 2005 identifikohet ritmi më i lartë rritës i tepricës së kredisë kundrejt teprices së kredive me probleme. Për rrjedhojë, treguesi i rëndësishëm i cilësisë së portofolit të kredive "kredi me probleme/tepricës së kredisë (bruto)" ra në nivelin 2.3 për qind nga 2.4 për qind dhe 4.2 për qind respektivisht për muajin shtator'05 dhe fundvitin 2004. Ndërkohë, aftësia e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet nga kreditë evidentohet e përmirësuar, si rrjedhojë e ritmit më të lartë rritës të kapitalit rregullator (+34.7 për qind), kundrejt rritjes së tepricës neto të kredisë me probleme (+23 për qind).

Kthyeshmëria nga aktivet mesatare, RoAA në bazë vjetore, përllogaritet 1.40 për qind. Treguesi në fjalë flet për një përmirësim të ndjeshëm te RoAA, në krahasim me vitin 2004, për shkak të rezultatit më të mirë financiar të bankave nga aktivitetet kryesore, pavarësisht nga shpenzimet e larta të aktivitetit si rrjedhojë e zgjerimit.

Viti 2005 shënoi vlerën 33 miliardë lekë të kapitalit aksioner të sistemit ose rreth 7 miliardë lekë më të lartë krahasuar me vitin 2004, si edhe nivelin 19 për qind të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit ose rreth 3 pikë përqindje më të ulët, krahasuar me të njëjtën periudhë. Gjithashtu, viti 2005 shënon nivelin 80 për qind të raportit të aktiveve afatshkurtra ndaj pasiveve afatshkurtra ose rreth 17 pikë përqindje më të ulët krahasuar me fundvitin 2004. Megjithë këtë rënie, ky tregues mbetet ende i larte dhe së bashku me treguesit e tjere kryesorë të sistemit për likuiditetin tregojnë nivele, të cilat nuk kanë cënuar situatën e likuiditetit. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur norma reale pozitive interesi në lekë dhe një normë inflacioni nën kontroll, si edhe rritja e normave të interesit për monedhat e huaja kryesore, veçanërisht Usd, kanë kontribuar jo vetëm në qëndrueshmërinë e depozitave, por edhe në rritjen e tyre në sistem.


• Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës miratoi Raportin Vjetor dhe bilancin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2005, rregulloren "Mbi funksionimin e sistemit kontabël dhe të administrimit të thesarit në Bankën e Shqipërisë", si dhe emërimin e drejtorëve të Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe atij të Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë.

(1) - Ndërsa teprica e kredisë në lekë është rritur me 17.5 miliardë lekë ose 128 për qind, ajo në valutë shënon rritje me 40.1 miliardë lekë ose 71 për qind.