BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 22 shkurt 2006

Data e publikimit: 23.02.2006

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 22 shkurt 2006, me propozimin e Departamentit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi :

1. Raportin e politikës monetare për muajin janar 2006.

Përmbledhje e zhvillimeve kryesore:

  • Inflacioni vjetor në muajin janar shënoi vlerën 1.4 për qind. Norma mesatare e inflacionit vjetor zbriti në nivelin 2.2 për qind, kundrejt nivelit 2.3 për qind të muajit dhjetor.
  • Faktorët e kërkesës dhe të ofertës nuk kanë ushtruar presione inflacioniste mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve. Rënia e inflacionit vjetor në muajin janar erdhi si pasojë e uljes së inflacionit të grupit "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji". Gjithsesi, ky grup vazhdon të mbetet kontribuesi kryesor në rritjen e çmimeve të konsumit. Nga ana tjetër, grupi "Ushqime dhe pije joalkolike" vazhdon të karakterizohet nga norma negative të inflacionit vjetor.
  • Sipas të dhënave operative, ritmi i rritjes së ofertës monetare vazhdoi të bjerë edhe në muajin janar. Rritja vjetore e parasë jashtë bankave shënoi vlerën 7.6 për qind në muajin janar, duke konfirmuar tendencën sezonale rënëse në këtë periudhë të vitit.
  • Muaji dhjetor u karakterizua nga një kërkesë për para e lartë e ndikuar si nga kreditimi i ekonomisë ashtu dhe nga kërkesa për financim e deficitit buxhetor. Përqëndrimi i financimit të deficitit buxhetor në muajin dhjetor solli probleme likuiditeti për sistemin bankar. Ndërkohë, muaji janar paraqet një situatë normale likuiditeti, si pasojë e kthimit të parasë në sistem dhe kërkesës së ulët të qeverisë për huamarrje.
  • Leku vazhdon të karakterizohet nga tendenca mbiçmuese, megjithë periudhën e gjatë të ndërhyrjeve në tregun valutor. Kursi nominal efektiv i lekut është mbiçmuar me 0.8 për qind në terma vjetorë në muajin janar.
  • Muaji janar është karakterizuar nga një nivel i qëndrueshëm likuiditeti. Likuiditeti është tërhequr kryesisht nëpërmjet repove njëjavore me çmim fiks. Nevojat afatshkurtra për likuiditet janë plotësuar në tregun ndërbankar pa qenë nevoja për përdorimin e kredisë njëditore.
  • Normat e interesit në lekë kanë patur një tendencë të lehtë në ulje gjatë muajit janar. Megjithatë, niveli i ulët i inflacionit ka mbajtur lart interesat realë në lekë. Diferenca midis normave të interesit të depozitave në lekë dhe yield-it të bonove të thesarit është ngushtuar në muajin janar. Të dhënat operative flasin për rritje të interesave në valutë.

Duke mbajtur parasysh ecurinë e parashikuar të inflacionit dhe të kushteve monetare, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, ruajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.0 për qind. Banka e Shqipërisë vlerëson se niveli aktual i normave të interesit është i përshtatshëm për ruajtjen e inflacionit rreth nivelit 3 për qind, në periudhën afatmesme. Qëndrimi i mëtejshëm i politikës monetare do të kushtëzohet nga ndikimi i mundshëm i situatës energjitike në kostot e prodhimit, nga ecuria e kreditimit të ekonomisë dhe nga cikli i politikës monetare në tregjet ndërkombëtare.

Raporti i plotë i politikës monetare për muajin janar 2006 do të publikohet i plotë në faqen e internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

2. Në këtë mbledhje u miratua dhe rregullorja "Për nxjerrjen e akteve juridike", e cila ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe tërësisë së procedurave për hartimin dhe nxjerrjen e akteve juridike nga Banka e Shqipërisë.