BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 22 shtator 2004

Data e publikimit: 22.09.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 22 shtator 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Raportin mujor të politikës monetare.

Zhvillimet kryesore të muajit gusht:

  1. Inflacioni vjetor shënoi 2.65 për qind në muajin gusht duke qenë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni mesatar vjetor ishte 3.2 për qind.
  2. Inflacioni mujor prej -0.23 për qind i regjistruar në muajin gusht 2004 ka shënuar një kthesë të lehtë të trendit të dy viteve të fundit, gjatë të cilave inflacioni mujor i muajit gusht ka qenë pozitiv, rreth 0.2 për qind.
  3. Gjatë muajit gusht, faktorët e kërkesës nuk kanë ushtruar presione inflacioniste. Ndikimi i faktorit sezonal ka qenë i ndjeshëm duke sjellë uljen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Ndikimi i rritjes së çmimit ndërkombëtar të naftës në inflacionin vjetor është zbutur nga mbiçmimi i lekut kundrejt usd dhe euros.
  4. Pas dy uljeve të normave të interesit të repo-ve nga ana e Bankës së Shqipërisë gjatë muajit korrik, bankat kanë vijuar të ulin normat e interesit në tregun e depozitave në lekë, në tregun primar dhe në tregun ndërbankar.
  5. Muaji korrik ka shënuar një kthesë në ecurinë e treguesve monetarë. Norma prej 8.6 për qind e rritjes vjetore të ofertës monetare ishte më e lartë sesa rritja mesatare në muajt e fundit.
  6. Kontributin kryesor në rritjen e ofertës monetare e ka dhënë oferta monetare në lekë, e cila ka reflektuar ecurinë pozitive të kërkesës së qeverisë për financim, rritjen e kredisë për ekonominë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor.
  7. Teprica e kredisë gjatë muajit korrik të vitit 2004 shënoi një rritje mujore prej 3.2 miliardë lekësh - rritja më e lartë mujore për vitin 2004. Krahasuar me fundin e vitit 2003 ajo është rritur me 9.3 miliardë lekë. Portofoli i kredisë për ekonominë nga sistemi bankar është zhvendosur drejt kredive me afate më të gjata maturimi.
  8. Tendenca e mbiçmimit të lekut ka filluar të frenohet që në javën e fundit të gushtit dhe ka vazhduar dhe në 10 ditëshin e parë të shtatorit. Në stabilizimin e kursit gjatë muajit shtator ka ndikuar pakësimi i fluksit të valutës në mbarim të sezonit turistik, zbutja e efekteve sezonale të prodhimeve bujqësore të vendit, ngushtimi i diferencës midis interesave të depozitave në lekë dhe atyre në valutë etj..

2. Informacionin "Ecuria e aktivitetit kreditues dhe depozitues të sistemit bankar në tremujorin e dytë të vitit 2004."

Aktiviteti depozitues dhe kreditues i sistemit bankar ka ecur përgjithësisht sipas parashikimeve të programit monetar të Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2004. Depozitat në lekë kanë vijuar të rriten, por me një ritëm më të ngadaltë se në tremujorin e parë. Nga ana tjetër, kreditimi i ekonomisë është përshpejtuar gjatë tremujorit të dytë, në përputhje me ciklin sezonal dhe rritjen e aktivitetit ekonomik gjatë këtij tremujori.

Ndërsa, në tremujorin e parë Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë monetare neutrale, qëndrueshmëria e inflacionit brenda objektivit dhe parashikimet pozitive për të, diktuan lehtësimin e kushteve monetare në ekonomi gjatë tremujorit të dytë. Banka e Shqipërisë uli në tre faza normën bazë të interesit gjatë periudhës prill - qershor. Këto ulje të moderuara, me nga 0.25 pikë përqindjeje secila, synonin nxitjen e ekonomisë pa lëkundur ekuilibrat monetarë. Në përputhje me politikën e Bankës së Shqipërisë, interesi i depozitave në lekë ka shënuar rënie gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar ujen e normës bazë të interesit. Ecuria e depozitave në lekë gjatë kësaj periudhe tregon se ulja e normave të interesit nuk ka ndikuar në aftësinë e sistemit bankar për të tërhequr kursimet e qytetarëve në formën e depozitave bankare. Megjithatë, ashtu si pritej, rritja e depozitave shënoi ngadalësime në krahasim me tremujorin e parë, si pasojë e mbicmimit të lekut dhe financimit të ulët të deficitit buxhetor. Nga ana tjetër, sistemi bankar nuk ka reflektuar tërësisht uljen e normës bazë të interesit në krahun e aktiveve, pra në uljen e normës së interesit të kredive në lekë. Normat e interesit të kredisë në lekë kanë pësuar një rritje të lehtë si pasojë e zhvendosjes së strukturës së kredisë drejt kredive afatmesme dhe afatgjata si dhe rritjes së peshës së bankave që aplikojnë norma më të larta interesi. Megjithatë, në fund të muajit qershor, teprica e kredisë arriti në 56.8 miliardë lekë. Në terma relativë ajo përbën rreth 15 për qind të aktiveve të sistemit bankar dhe rreth 17 për qind të depozitave gjithsej. Duhet theksuar se të dy këta tregues kanë shfaqur tendenca të vazhdueshme rritëse gjatë tre viteve të fundit.

Disa nga zhvillimet më të spikatura në aktivitetin kreditues dhe depozitues gjatë tremujorit të dytë të vtit 2004 janë:

  1. teprica e kredisë u rrit me 3.4 miliardë lekë, ose 26 për qind më shumë se në tremujorin e parë të vitit,
  2. rritja e teprisës së kredisë gjatë gjashtëmujorit të parë (12 për qind) është rreth dy herë më e lartë se rritja e depozitave të sistemit bankar (5.2 për qind);
  3. rritja e peshës së kredisë afatmesme dhe asaj afatgjatë; kredia afatmesme dhe afatgjatë përbënte 64.6 për qind të tepricës së kredisë në fund të muajit qershor, nga 54 për qind në fund të vitit 2003;
  4. tendencë e lehtë rritjeje e normave të interesit të kredive në lekë dhe atyre në valutë;
  5. rënia e pothuajse e të gjithë treguesve të përqendrimit të tregut të kredisë dhe depozitave bankare;
  6. depozitat gjithsej të sistemit bankar arritën në 339.9 miliardë lekë, duke u rritur me 1.1 miliardë lekë;
  7. raporti i depozitave ndaj ofertës së parasë mbeti i pandryshuar nga niveli i tre muajve më parë, duke qëndruar në shifrën 74.2 për qind;
  8. rënie të peshës së depozitave me afat ndaj depozitave gjithsej.


Tabelë. Ecuria e disa treguesve kryesorë.

2000

2001

2002

2003

T-1'04

T-2'04

Oferta e parasë (në miliardë lekë)

328.1

393.6

416.7

448.4

456.0

458.2

Kredi e brendshme (në % ndaj M3)

75.5

67.5

70.8

71.5

71.6

69.5

- Kredi për qeverinë (në % ndaj M3)

68.4

60.4

61.5

60.2

59.9

57.1

- Kredi për ekonominë (në % ndaj M3)

7.1

7.1

9.3

11.3

11.7

12.4

Kredi për ekonominë (% ndaj totalit të aktiveve)

8.6

8.9

11.5

13.7

13.7

14.6

Kredi për ekonominë (në % ndaj PBB)

4.4

4.6

5.7

6.8

7.0

7.4

Depozita gjithsej (në % ndaj PBB)

43.1

45.0

42.2

43.4

44.1

44.1

Raporti kredi/depozita (në %)

10.1

10.2

13.5

15.7

15.8

16.7



3. Studimin "Transparenca e Bankës së Shqipërisë".

Dekadën e fundit është vënë re një prirje e bankave qendrore për të qenë gjithnjë e më shumë të hapur ndaj publikut përsa i përket punës dhe proçesit të vendimmarrjes. Transparenca është bërë një çështje e rëndësishme e bankingut qendror dhe rëndësia e saj për politikën monetare është një temë e trajtuar gjerësisht në literaturën akademike të bankave qendrore. E konsideruar si element që ndikon veçanërisht në rritjen e përgjegjshmërisë dhe rritjen e efektivitetit të politikës monetare, transparenca konsiderohet si shtyllë e rëndësishme institucionale, sidomos në kuadër të regjimit të shënjestrimit të inflacionit.

Në këtë material është bërë një përpjekje për të vlerësuar transparencën e Bankës së Shqipërisë duke përfshirë në konceptin e saj jo thjesht dhënien e informacionit por edhe të kuptuarit nga publikut të këtij informacioni. Për matjen e transparencës nga ana sasiore është zgjedhur indeksi i përpunuar nga Eijffinger dhe Geraats, i cili mat kryesisht sasinë e informacionit të dhënë nga banka qendrore. Indeksi i transparencës për Bankën e Shqipërisë u llogarit për periudhën përpara vitit 1997 dhe për vitin 2004. Vlerat e indeksit për këto dy periudha rezultuan përkatësisht 2 pikë dhe 8.5 pikë nga 15. Diferenca e madhe mes këtyre dy vlerave të indeksit tregon se gjatë kësaj periudhe në Bankën e Shqipërisë është punuar shumë dhe me rezultat për rritjen e transparencës, duke i kushtuar asaj rëndësinë e duhur për një bankë qendrore.

Vlera e indeksit të transparencës për vitin 2004 nuk është shumë e ulët në krahasim me mesataren prej 10.7 pikësh të indeksit për bankat qendrore të vendeve të zhvilluara. Për të arritur një vlerë më të lartë të indeksit nevojitet më shumë punë në drejtim të sasisë dhe sidomos të cilësisë së informacionit të dhënë nga Banka e Shqipërisë.

Në mënyrë që hapja e bankës qendrore ndaj publikut të ketë efektet e dëshiruara, sidomos në rritjen e efektivitetit të politikës monetare, është e nevojshme që edhe vetë publiku të kuptojë dhe të interpretojë në mënyrë sa më të saktë informacionin e dhënë nga banka qendrore. Nga ky këndvështrim, të kuptuarit e publikut është një aspekt tepër i rëndësishëm i transparencës, por në të njëjtën kohë i vështirë për t'u vlerësuar. Njohja dhe të kuptuarit e publikut shiptar të çështjeve që kanë të bëjnë me bankën qendrore dhe punën e saj, megjithë përpjekjen e mirë të Bankës së Shqipërisë, mbeten në nivele të ulëta. Kjo vjen kryesisht nga përfshirja e ulët e publikut, sidomos konsumatorit, në sistemin financiar. Hapja me publikun duhet të shkojë paralelisht me rritjen e të kuptuarit nga ana e tij të politikës monetare dhe çështjeve të lidhura me të. Nga ana tjetër, të kuptuarit dhe përfshirja e publikut në çështje të tilla vjen gradualisht me zhvillimin ekonomik të vendit.

Ky material shërben si një hap i parë për të vlerësuar nivelin e transparencës së Bankës së Shqipërisë dhe për ta krahasuar atë me bankat qendrore të zhvilluara. Është e rëndësishme që indeksi i transparencës të vazhdojë të llogaritet dhe të krahasohet periodikisht me bankat e tjera qendrore, sidomos me Bankën Qendrore Evropiane, duke patur parasysh edhe synimin e Bankës së Shqipërisë për t'iu përafruar modelit të saj. Gjithashtu, kjo punë duhet të pasohet nga vlerësimi i hapave që duhet të ndërmerren për rritjen e transparencës, kryesisht në kuadër të kritereve për implementimin e shënjestrimit të inflacionit. Megjithatë, duhet patur gjithmonë kujdes që transparenca të mos kthehet në qëllim në vetvete. Ajo është dhe duhet të mbetet një mjet për të përmbushur objektivin final të politikës monetare.