BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 23 shkurt 2005

Data e publikimit: 24.02.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 23 shkurt 2005, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë :

1. Raportin e politikës monetare për muajin janar 2005, nga ku po japim shkurtimisht:

Zhvillimet kryesore monetare të muajit

  • Norma vjetore e inflacionit në muajin janar rezultoi 3.3 për qind, duke qëndruar brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 2-4 për qind. Inflacioni mesatar vjetor për muajin janar shënoi 2.9 për qind
  • Rritja e normës vjetore të inflacionit të muajit janar, sipas INSTAT-it, ka ardhur nga rritja e çmimit të administruar të energjisë. Kontributi i grupeve të tjera ka rezultuar në uljen e vlerës së inflacionit vjetor
  • Faktorët e ofetës dhe ata të kërkesës kanë ushtruar përgjithësisht një ndikim stabilizues në ecurinë e çmimeve gjatë vitit të fundit. Stabiliteti i treguesve makroekonomikë është shoqëruar me ruajtje të vlerës së brendshme të lekut (inflacin të ulët) dhe me forcim të vlerës së jashtme të tij (mbiçmim të kursit të këmbimit)
  • Norma vjetore e rritjes së M3 ka rezultuar 13.1 për qind, nga 7.6 për qind që ishte një vit më parë. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e rritjes së kërkesës së ekonomisë për mjete monetare, pa përcjellë presione inflacioniste
  • Kërkesa e lartë e ekonomisë për mjete monetare në lekë është reflektuar në rritjen e peshës së M2 dhe rënie të peshës së depozitave në valutë në ofertën monetare, M3
  • Muaji dhjetor ka qenë muaji me kërkesën më të lartë mujore të qeverisë për mjete monetare. Forma kryesore e financimit, këtë muaj, ka qenë financimi me të ardhurat e privatizimit të Bankës së Kursimeve, ndërsa pjesa e mbetur është financuar nga emetimi i bonove të thesarit dhe i obligacioneve dyvjeçare
  • Muaji janar ka treguar një rritje të likuiditetit të tepërt të sistemit bankar, mesatarisht me 2 miliardë lekë. Tendenca rritëse e likuiditetit ka vijuar dhe në javët e para të muajit shkurt
  • Teprica e likuiditetit është shoqëruar me ulje të mëtejshme të normave të interesit gjatë muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt. Në këtë periudhë, normat e interesit në tregun e depozitave në lekë, në tregun primar dhe në atë ndërbankar, kanë shënuar vlerat më të ulëta që prej 13 vjetësh
  • Në muajin dhjetor, leku ka thelluar mbiçmimin e tij ndaj të dyja valutave, euro dhe dollar. Mbiçmimi mujor kundrejt dollarit llogaritet 4.5 për qind dhe kundrejt euros, 1.44 për qind. Gjatë muajit janar është vënë re një kthesë në ecurinë e kursit të këmbimit të lekut. Krahasuar me fundin e vitit 2004, leku është mbiçmuar me 0.2 për qind kundrejt euros dhe është nënçmuar me 4.7 për qind kundrejt dollarit

Raporti i politikës monetare i plotë do të publikohet në Faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.


2. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës miratoi dhe shpërndarjen e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2004, shqyrtoi informacionin "Mbi ecurinë e tregjeve ndërkombëtare të instrumenteve financiare dhe mbi ecurinë e rezerves valutore gjatë muajve dhjetor 2004 - janar 2005", si dhe analizoi inspektimet e kryera nga Departamenti i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit dytë në periudhën korrik - dhjetor të vitit 2004.