BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 24 maj 2006

Data e publikimit: 24.05.2006

 

Në mbledhjen e tij të datës 24 maj 2006, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim zhvillimet më të fundit në ecurinë e inflacionit dhe ato monetare. Me propozimin e Departamentit të Politikës Monetare Këshilli Mbikëqyrës miratoi :

1. Raportin e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për muajin prill të vitit 2006.

Në muajin prill, rritja vjetore e çmimeve të konsumit shënoi vlerën 2.4 për qind, duke u rritur me 0.9 pikë përqindjeje nga niveli i muajit të mëparshëm. Norma mesatare vjetore e inflacionit gjatë katër muajve të parë të vitit 2006, rezulton 2.0 për qind ose 0.4 pikë përqindje më e ulët se norma mesatare gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Kombinimi i faktorëve të kërkesës ka siguruar një ambient makroekonomik të favorshëm për mbajtjen e çmimeve të konsumatorit në nivele të ulta. Muaji prill u karakterizua nga shpenzime të ulta buxhetore, nga një ngadalësim i ritmeve të rritjes së parasë si dhe nga një qëndrueshmëri e kursit të këmbimit. Rritja e kredisë, megjithë rreziqet e mundshme që paraqet, konstatohet se ende nuk është bërë burim për të gjeneruar presione inflacioniste nga ana e kërkesës.

Nga ana tjetër, ulja e ofertës për disa mallra, niveli i lartë i çmimeve të naftës dhe tejçimi i inflacionit të partnerëve tregtarë, ndonëse në amplitudë të vogël patën edhe ato ndikimin e tyre në normën vjetore të inflacionit.

Bazuar në sa më sipër, si dhe në projeksionet e modeleve parashikuese të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mos ndryshojë normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me afat maturimi njëjavor nga niveli 5.00 për qind.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë pasi konstaton se rreziqet për të shmangur inflacionin nga objektivi i synuar janë ende të pranishme, gjykon se korrigjimi i mundshëm i shënjestrës së politikës monetare është ende një opsion i së ardhmes, një veprim që do t'i jepte fund statusit të neutralitetit ku po qëndrojmë për një kohë relativisht të gjatë.

Gjithashtu, me propozimin e Departamentit të Mbikëqyrjes, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi:

2. Transferimin e pronësisë së aksioneve të kapitalit aksioner të Bankës Kombëtare Tregtare sh.a..

Banka Kombëtare Tregtare sh.a. (BKT) ka paraqitur pranë Bankës së Shqipërisë, kërkesën për ndryshimin e aksionerëve të Bankës Kombëtare Tregtare sh.a. Ky ndryshim konsiston në shitblerjen e aksioneve të BKT ndërmjet Kent Bank / Bayindir Bank A.S., e autorizuar nga Fondi i Sigurimit të Depozitave të Kursimit të Turqisë, në cilësinë e shitësit që zotëron 60 për qind të kapitalit aksioner të bankës nga njera anë dhe Çalik - Seker Konsorsiyum Yatirim A.S., me seli në Stamboll, Turqi në cilësinë e blerësit të kuotave të kapitalit aksioner të bankës nga ana tjetër.

Vendimi për transferimin e pronësisë së aksioneve të kapitalit të BKT nga Kent Bank / Bayindir Bank A.S. tek Çalik - Seker Konsorsiyum Yatirim A.S. është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të aksionerëve të BKT, mbajtur në datën 19.12.2005. Miratimi i këtij ndryshimi në strukturën e aksionerëve të BKT është bërë në bazë të kërkesave të rregullores së Bankës së Shqipërisë për "Dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë".

Struktura e aksionerëve të Bankës Kombëtare Tregtare pas miratimit të këtij transferimi të pronësisë do të jetë si më poshtë:

  • Çalik - Seker Konsorsiyum Yatirim A.S. do të zotërojë 60 për qind + 2 aksione të kapitalit aksioner të BKT;
  • Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të zotërojë 20 për qind - 1 aksion të kapitalit aksioner të BKT; dhe
  • Korporata Financiare Ndërkombëtare do të zotërojë 20 për qind - 1 aksion të kapitalit aksioner të BKT.

Çalik - Seker Konsorsiyum Yatirim A.S. është shoqëri e krijuar sipas ligjeve të Republikës së Turqisë me zyra qendrore në Keresteciler Sitesi, Fatih Cad. Selvi Sok. Nr. 18 Merter / Gungoren - Stamboll, Turqi, e regjistruar në gazetën e regjistrit tregtar të Turqisë dhe në autoritetet fiskale, me NIPT dhe kodin përkatës fiskal. Shoqëria Çalik - Seker Konsorsiyum Yatirim A.S. ka për objekt të veprimtarisë së saj kryerjen e investimeve, nëpërmjet pjesëmarrjes në banka brenda ose jashtë vendit dhe ofrimin e shërbimeve të konsulencës për këto kompani në lidhje me organizimin, administrimin dhe biznesin.

3. Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës emëroi Drejtorin e Departamentit të Statistikës të Bankës së Shqipërisë, si dhe shqyrtoi disa materiale, që kanë të bëjnë me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.