BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 25 janar 2006

Data e publikimit: 26.01.2006

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 25 janar 2006, me propozimin e departamenteve përkatëse të Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi :

1. Deklaratën e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2005.

Fjala e Guvernatorit

Gjashtëmujori i dytë i vitit 2005 shënoi, në përgjithësi, një periudhë të favorshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Ekonomia shqiptare ka vijuar të zgjerohet, siç dëshmohet nga rritja vjetore e vëllimit të shitjeve, nga rritja e numrit të të punësuarve, nga rritja mjaft e shpejtë e kreditimit të ekonomisë dhe nga rritja e të ardhurave fiskale. Për më tepër, rritja ekonomike është zhvilluar në kushtet e kontrollit të inflacionit dhe të deficitit buxhetor brenda vlerave të programuara, duke mos cënuar ekuilibrat dhe raportet kryesore makroekonomike. Gjithashtu, pozicioni i jashtëm i vendit është përmirësuar më tej dhe kursi i këmbimit ka qenë i qëndrueshëm.

Rritja ekonomike gjatë vitit 2005 është favorizuar edhe nga përmirësimi i klimës ekonomike në nivel global. Ekonomia botërore ka vazhduar të rritet me ritme relativisht të shpejta, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit. Sipas parashikimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e ekonomisë botërore për vitin 2005 pritet të jetë në nivelin 4.3 për qind, e ndikuar veçanërisht nga rritja ekonomike e ShBA-së, Azisë dhe Japonisë. Gjithashtu, kushtet financiare në nivel botëror kanë qenë pozitive për financimin e aktivitetit ekonomik, megjithë rritjet e normave të interesit nga dy bankat qendrore më të rëndësishme, FED dhe BQE.

Në retrospektivë, gjashtëmujori i dytë i vitit mund të shihet si një periudhë prove për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike dhe të ekuilibrave makroekonomikë. Gjashtëmujori i dytë u hap me një periudhë të gjatë paselektorale, e cila ndikoi në një përqëndrim më të madh të deficitit buxhetor në këtë periudhë dhe në rritjen e paqartësisë në treg. Pjesërisht si rezultat i veprimit të faktorit të mësipërm, sistemi bankar u përball me mungesë likuiditeti, e cila solli tendenca rritëse për yield-in e bonove të thesarit, në prani të një volatiliteti të lartë. Më tej, aktiviteti ekonomik u gjend nën efektin e mungesës së energjisë elektrike, e cila ndikoi drejtpërdrejt prodhimin dhe solli vështirësi financiare për bizneset në formën e kostove më të larta. Nga ana tjetër, rritja e çmimit të naftës në tregun botëror forcoi impulset inflacioniste, duke përforcuar efektin negativ të shkaktuar prej situatës së rënduar energjitike.

Situata e zgjatur pas zgjedhore dhe zvogëlimi i stimulit fiskal të tremujorit të dytë, kanë ndikuar në ngadalësimin e ritmit të rritjes ekonomike gjatë tremujorit të tretë, ndërkohë që situata e rënduar energjitike, e cila kulmoi në tremujorin e katërt, frenoi më tej aktivitetin ekonomik gjatë kësaj periudhe. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia është rritur në terma realë edhe gjatë vitit 2005, rritje e cila gjithsesi është pak më e ulët se niveli i parashikuar prej 6 për qind. Duke konfirmuar tendencat e vëna re gjatë viteve të fundit, rritja ekonomike është mbështetur nga dinamizmi i sektorit privat, veçanërisht në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit. Zhvillimet faktike të gjashtëmujorit dhe situata aktuale ekonomike tregojnë se impakti i faktorëve të jashtëm në treguesit kryesorë makroekonomikë ka rezultuar i kufizuar dhe kalimtar. Kjo përbën një sinjal inkurajues për konsolidimin e faktorëve të rritjes ekonomike dhe të ekuilibrave makroekonomikë.

Zhvillimet fiskale kanë ecur përgjithësisht brenda linjave të parashikuara gjatë vitit 2005, duke vazhduar tendencat e konsolidimit fiskal. Shpenzimet buxhetore dhe deficiti buxhetor kanë qenë brenda parametrave të programit buxhetor, çka ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe në kontrollin e presioneve inflacioniste. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në muajin nëntor, janë mbledhur 97.8 për qind e të ardhurave të planifikuara dhe janë realizuar rreth 93 për qind e shpenzimeve të programuara. Financimi i brendshëm i deficitit buxhetor arriti në nivelin më të ulët të 7 viteve të fundit në raport me prodhimin e brendshëm bruto, duke lehtësuar barrën që ai paraqet për burimet financiare të ekonomisë. Gjithsesi, duke u nisur edhe nga eksperienca e këtij viti, Banka e Shqipërisë gjykon se ka nevojë për një njëtrajtshmëri më të madhe në shpërndarjen dhe zbatimin në kohë të programit fiskal. Gjithashtu, nevojat e zhvillimit të vendit kërkojnë një vëmendje më të madhe në drejtim të respektimit të planit të shpenzimeve kapitale, të cilat, ashtu si dhe vitet e shkuara, vazhdojnë të regjistrojnë shkallë të ulët realizimi. Rritja ekonomike ka krijuar premisa për përmirësimin e tregut të punës, i cili, edhe gjatë vitit 2005, ka ndjekur ecurinë pozitive të viteve paraardhëse. Norma e papunësisë shënoi vlerën 14.2 për qind në tremujorin e tretë, duke arritur në nivelin më të ulët të viteve të fundit.

Sektori i jashtëm i ekonomisë është karakterizuar nga një aktivitet intensiv, duke u reflektuar në rritjen e transaksioneve korente dhe kapitale. Vëllimi i përgjithshëm i eksporteve dhe i importeve, gjatë periudhës korrik-shtator 2005, ishte rreth 650 milionë euro ose rreth 12 për qind më i lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Megjithëse deficiti tregtar shënoi një rritje vjetore prej 16 për qind në tremujorin e tretë, duke arritur në vlerën 382 milionë usd, flukset hyrëse të kapitalit e kanë mbuluar tërësisht atë, duke mundësuar edhe rritjen e rezervave valutore. Bilanci i pagesave u mbyll me një suficit prej 33.7 milionë eurosh gjatë tremujorit të tretë të vitit 2005, duke bërë që niveli i rezervës valutore të mbulojë 4.6 muaj importe mallrash dhe shërbimesh.

Norma e rritjes vjetore të çmimeve të konsumit është luhatur në gjysmën e poshtme të objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të dytë, duke zbritur në kufirin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë në muajin dhjetor. Ndonëse ekonomia ka qenë nën ndikimin e disa goditjeve të ofertës, si çmimet e larta të naftës dhe kriza energjitike, politika monetare dhe fiskale kanë mundësuar krijimin e një mjedisi makroekonomik të favorshëm për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Banka e Shqipërisë nuk ka konstatuar lindjen e efekteve dytësore apo rritjen e pritjeve inflacioniste në ekonomi. Harmonizimi i mirë i politikave makroekonomike dhe pozitat e forta të lekut kanë amortizuar presionet inflacioniste.

Në prani të zhvillimeve normale inflacioniste, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare neutrale, duke e lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5 për qind. Në këto kushte, politika monetare dhe kuadri operacional i saj janë fokusuar në zbutjen e luhatjeve të treguesve monetarë dhe të normave të interesit të bonove të thesarit. Sistemi bankar ndjeu mungesën e likuiditetit gjatë periudhës korrik-tetor, si pasojë e uljes së papritur të interesit të depozitave në lekë nga disa banka dhe e rritjes së kërkesës së ekonomisë dhe të qeverisë për mjete monetare gjatë tremujorit të tretë. Kjo mungesë likuiditeti u përcoll më tej në rritjen e shpejtë të yield-it të bonove të thesarit. Këto zhvillime kërkuan një administrim të kujdesshëm të situatës monetare, duke balancuar kërkesat për injektim likuiditeti me nevojën për kontrollin e presioneve inflacioniste në ekonomi. Vëllimi mesatar i injektuar nëpërmjet instrumentit të repove të anasjellta, gjatë periudhës korrik-shtator, ishte 1.7 miliardë lekë. Po kështu, Banka e Shqipërisë ka kredituar për periudha të caktuara kohore qeverinë, duke zbutur presionet e tepërta në rritjen e yield-it të bonove të thesarit. Kjo politikë rezultoi e suksesshme. Në fund të gjashtëmujorit, yield-i i bonove të thesarit është rikthyer në nivele të përafërta me ato të muajit qershor, ndërsa sistemi bankar është me tepricë likuiditeti. Banka e Shqipërisë ka blerë valutë gjatë pothuaj gjithë gjashtëmujorit të dytë, duke zbutur presionet mbiçmuese mbi kursin e këmbimit dhe duke injektuar likuiditet në treg. Këto ndërhyrje kanë injektuar rreth 12.4 miliardë lekë likuiditet, duke ndihmuar sistemin bankar në tejkalimin e situatës dhe duke lehtësuar ekspansionin joinflacionist të ofertës monetare.

Viti 2005 është shoqëruar nga një rritje e shpejtë e ofertës monetare. Ritmi i rritjes së ofertës monetare shënoi vlerën 14.3 për qind, në muajin nëntor. Kreditimi i ekonomisë ka qenë burimi kryesor i përdorimit të fondeve dhe i ekspansionit monetar, duke spostuar për herë të parë financimin e deficitit buxhetor nga ky rol. Në fund të muajit nëntor, kredia për ekonominë arriti në 114.6 miliardë lekë, e barabartë kjo me 13.7 për qind të PBB-së. Vetëm gjatë periudhës korrik-nëntor kredia është rritur me 2.5 pikë përqindjeje ndaj PBB-së, ndërkohë që ritmet e rritjes vjetore të kredisë janë luhatur rreth nivelit 70 për qind. Kredia ka shënuar rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke reflektuar një lidhje më të ngushtë të bizneseve dhe konsumatorëve me bankat. Banka e Shqipërisë vlerëson se kushtet monetare aktuale dhe tendenca e pritur e tyre janë konsistente me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në periudhën afatmesme.

Viti që lamë pas, tregoi se ekonomia e vendit tonë ka krijuar një lloj imuniteti, një pikë rezistence, e cila krijon premisa të mira për zhvillime më cilësore në të ardhmen. Megjithatë, konsolidimi i mëtejshëm i saj është një proces në vazhdim, ku ndër të tjera prioritet mbetet kryerja me ritme më të shpejta e reformave të shumta të parashikuara në programin afatmesëm trevjeçar të zhvillimit të vendit.

Banka e Shqipërisë, duke vlerësuar rolin e saj si një nga institucionet kyçe në përmbushjen me sukses të objektivave ambiciozë të këtij programi afatmesëm, ka hartuar tashmë programin monetar për vitin 2006. Duke u mbështetur në supozimet bazë të këtij programi për një rritje ekonomike 5 për qind në kushtet e një inflacioni mesatar 3 për qind, Banka e Shqipërisë parashikon që rritja e ofertës do të jetë në nivelin 11.8 për qind. Kjo rritje vlerësohet të jetë e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e ekonomisë për mjete monetare dhe veçanërisht, për të mundësuar një zgjerim të kredisë në kufirin e 53 miliardë lekëve ose rreth 45 për qind të totalit. Duke vazhduar logjikën pozitive ekonomike të vitit 2005, financimi i deficitit buxhetor nga sistemi bankar parashikohet të konsumojë rreth 12.8 miliardë lekë ose ¼ e fondeve të parashikuara për kreditim. Banka e Shqipërisë vlerëson se mbështetja në rritje e biznesit shqiptar me fonde të brendshme, përbën një premisë pozitive për ruajtjen e ritmeve të larta të rritjes ekonomike edhe në të ardhmen.

Deklarata e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2005 do të publikohet e plotë në faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.


2. Për dhënien e miratimit paraprak të licencës për të ushtruar veprimtari bankare, bankës së propozuar "Banka e Parë e Investimeve - Shqiperi sh.a."

Mbështetur në konkluzionet e Departamentit të Mbikëqyrjes, se plotësohen të gjitha kushtet që kërkon ligji nr.8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" dhe në aktet nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, si dhe në bazë të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të japë miratimin paraprak të licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë, bankës së propozuar "Banka e Pare e Investimeve - Shqiperi sh.a.".

Kjo bankë do të jetë një transformim nga degë në Tiranë e Bankës së Parë të Investimeve - Bullgari, në një filial në Shqipëri të Bankës së Parë të Investimeve - Bullgari. Meqenëse do të jetë banke e mirëfilltë dhe një subjekt juridik me të gjitha tiparet e një shoqërie aksionere, bazuar në kërkesat ligjore, rregullative dhe procedurale, duhet të aplikohej si për licencimin e një banke të re.

Pas marrjes së këtij vendimi "Banka e Parë e Investimeve - Shqipëri sh.a." do të mbartë të gjitha të drejtat dhe detyrimet ndaj klienteles së degës në Tiranë të Bankës së Parë të Investimeve dhe brenda një viti ajo duhet të plotësojë të gjitha kushtet e parashikuara në ligjin "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" për të marrë licencën përfundimtare dhe për të filluar veprimtarinë e saj.

Në këtë mbledhje u miratua dhe vendimi për caktimin e kontrollorit të jashtëm për audidimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë dhe rregullorja "Për ekspozimin dhe administrimin e vlerave numizmatike në Bankën e Shqipërisë", të cilat lidhen me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.