BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 26 maj 2004.

Data e publikimit: 27.05.2004

 


1. Raportin "Mbi vlerësimin e ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2004".

FJALA E GUVERNATORIT

Tremujori i parë i vitit 2004 duket se ka përforcuar ecurinë pozitive të ekonomisë botërore, shenja pozitive të së cilës u evidentuan që në gjysmën e dytë të vitit 2003. Gjallërimi ekonomik është i pranishëm si në ekonominë e Shteteve të Bashkuara ashtu edhe në Eurozonë, ndonëse në këtë të fundit rritja ekonomike është diçka më modeste, duke reflektuar një inerci më të madhe që shkakton struktura e tregut të punës dhe rregullimet ligjore në këto ekonomi. Përgjithësisht, vlerësohet se është rritja e kërkesës faktori që qëndron prapa këtij gjallërimi ekonomik, ndonëse së fundi, në përgjigje të rritjes së kërkesës, po vihet re edhe edhe rritja e investimeve. Qëndrueshmëria e momentit të rritjes ekonomike ka bërë që nëpër tregjet financiare ndërkombëtare të shtohen spekulimet për një ndryshim të kursit të politikës monetare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vetë BQE, në dy takimet e saj të fundit, solli shumë argumente se nuk është e nevojshme ulja e mëtejshme e përqindjes së interesit. Këto zhvillime kanë forcuar bindjen se ka përfunduar periudha e një politike monetare nxitëse, edhe pse ndryshimi i kahut të saj drejt një përqasjeje më konservatore duket se është ende larg.

Rritja e ekonomisë botërore dhe e tregtisë ndërkombëtare ka dhënë ndikim pozitiv edhe në vendet e rajonit. Sipas të dhënave më të fundit vlerësohet se ecuria relativisht e qëndrueshme po karakterizon edhe rajonin tonë, duke përforcuar më tej shpresat për një konsolidim të mëtejshëm makroekonomik të ekonomisë rajonale.

Objektivat e përgjithshëm të zhvillimit makroekonomik të vendit për vitin 2004 përmblidhen në arritjen e një ritmi rritjeje ekonomike në nivelin 6 për qind. Në përgjithësi, treguesit ekonomikë flasin për një forcim të mëtejshëm të ekuilibrit makroekonomik. Rritja ekonomike parashikohet të realizohet në kushtet e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik: një deficit buxhetor në rënie; inflacion në nivelin 2-4 për qind; dhe, një pozicion i qëndrueshëm i bilancit të pagesave, i shprehur me rritjen e rezervave valutore dhe me një kurs këmbimi relativisht të qëndrueshëm. Në përgjithësi, vlerësohet se kushtet që kontribuan në rritjen me ritme të njëjta të ekonomisë gjatë vitit të kaluar, kanë mbetur të pandryshuara edhe për vitin 2004. Në mbështetje të kësaj rritjeje, Banka e Shqipërisë është angazhuar për të ruajtur inflacionin brenda intervalit 2 - 4 për qind. Për këtë, ajo do të synojë të kontrollojë rritjen e ofertës monetare në nivelin 11.8 për qind gjatë vitit 2004. Kjo rritje, parashikohet të plotësojë kërkesën e ekonomisë për mjete monetare dhe të garantojë nivelin e duhur të likuiditetit në tregun ndërbankar.

Më konkretisht, pritet që rritja e prodhimit në sektorët e ndryshëm të ekonomisë të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar, por Ministria e Bujqësisë parashikon që rritja e prodhimit bujqësor gjatë vitit 2004 do të jetë jo 3 për qind, por 4 për qind. Po kështu, vlerësohet se ecuria e sektorit energjitik do të vazhdojë të jetë si vitin e kaluar, duke ulur pengesat artificiale në drejtim të prodhimit të përgjithshëm. Viti 2004 parashikohet të regjistrojë një nivel më të lartë të kreditimit të ekonomisë. Ky parashikim është konfirmuar nga ecuria e kreditimit të ekonomisë gjatë tremujorit të parë, ku kredia e re e akorduar ishte 58 për qind më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Po kështu, efekti pozitiv i marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vendet e rajonit do të jetë më i plotë gjatë këtij viti, duke ingranuar tregjet shqiptare me tregjet e rajonit.

Fundi i vitit 2003 si dhe shenjat e para të vitit 2004 të krijojnë përshtypjen se zhvillimi i përgjithshëm i ekonomisë sonë gjatë këtij viti do të ecë brenda parametrave të parashikuar. Kështu, treguesit kryesorë monetarë dhe fiskalë janë brenda shtratit të programuar. Pas lëvizjes që shkaktoi ndryshimi i çmimeve të kontrolluara në fund të vitit 2003 dhe në dy muajt e parë të vitit aktual, duket se ecuria e inflacionit është rikthyer brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, në nivele të ngjashme me vitin e kaluar.

Kombinimi i pritshmërive optimiste për inflacionin me ecurinë pozitive të treguesve monetare si dhe me mbiçmimin aktual të lekut në kushtet e ekzistencës së një diference ende të madhe midis normës së interesit në lekë me atë në valutë, bënë që Banka e Shqipërisë të rishihte edhe një herë qëndrimin e politikës monetare në muajt prill-maj, duke ulur me 0.5 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Me anë të këtij veprimi, Banka e Shqipërisë synon ekulibrimin më të mirë të tregut të parasë dhe nxitjen e kreditimit të ekonomisë nga ana e sistemit bankar.

Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2004 tregojnë për zhvillime pozitive të treguesve monetarë, të cilat mendohet të mbështesin rritjen e ekonomisë shqiptare me 6 për qind për vitin 2004. Në ndryshim nga vitet e kaluara, kredia për sektorin privat të ekonomisë parashikohet të zërë pjesën më të madhe të kërkesës së brendshme të ekonomisë për mjete monetare. Kështu, teprica e kredisë për ekonominë parashikohet të rritet me 16.4 miliardë lekë ose me 33.1 për qind gjatë vitit 2004. Kreditimi në rritje i ekonomisë do të mbështesë gjithnjë e më shumë aktivitetin dhe rritjen ekonomike gjatë vitit 2004 dhe në vazhdim, duke zëvendësuar kapitalin e vet dhe kredinë tregtare si burimet tradicionale të financimit të firmave shqiptare. Për më tepër, ulja e vazhdueshme e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, parashikohet që të rrisë tërheqjen e kredisë në lekë si një alternativë me vlerë për financimin e biznesit shqiptar. Kredia në lekë parashikohet të rritet me 4.2 miliardë lekë gjatë vitit 2004, duke shënuar një rritje prej 39.4 për qind.

Konsolidimi i pozicionit fiskal si dhe të ardhurat e privatizimit gjatë vitit 2004 do të bëjnë që nevojat e qeverisë për financim të brendshëm të jenë më të ulëta krahasuar me vitin 2003. Financimi i brendshëm i deficitit buxhetor gjatë vitit 2004 parashikohet të jetë 13.9 miliardë lekë ose 1.9 për- qind e PBB-së, në krahasim me 2.7 për qind që ishte ky tregues në vitin 2003. Huamarrja më e ulët e qeverisë do të çlirojë më shumë fonde në mbështetje të ekonomisë me kredi dhe do të reduktojë presionet mbi normat e interesit. Nga ana tjetër, rritja e shpenzimeve kapitale të financuara nga të ardhurat e privatizimit të Bankës së Kursimeve, do të japë një impakt pozitiv jo vetëm në aktivitetin ekonomik të vitit në vazhdim por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për rritjen ekonomike në një periudhë afatmesme.

Megjithë nivelet minimale historike të normës bazë së interesit, Banka e Shqipërisë konstaton se publiku shqiptar po i drejtohet gjithnjë e më tepër bankave për depozitimin e kursimeve të tij. Gjithashtu, sistemet e informatizuara të pagesës, RTGS dhe ACH, si dhe ndërgjegjësimi i publikut për avantazhet që ofron sistemi bankar do t'i japin një shtysë uljes së sasisë së parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar. Për rrjedhojë, depozitat në lekë parashikohen të shënojnë përsëri një rritje të kënaqshme gjatë viti 2004, duke u rritur me 21.9 miliardë lekë ose afërsisht me 8 për qind.

Në përgjigje të zhvillimeve të parashikuara në bilancin e pagesave dhe të kushteve monetare në ekonomi, pjesa e mbetur e vitit 2004, mendohet të karakterizohet nga presione të balancuara mbi kursin e këmbimit. Ulja e diferencës së normave të interesit midis lekut dhe valutës do të zvogëlojë presionet për forcimin e vlerës së lekut.

Pavarësisht arritjeve të rëndësishme makroekonomike, garantimi i progresit ekonomik kërkon trajtimin dhe zgjidhjen me prioritet të një sërë problemeve, në qendër të të cilave duhet të jetë ndërtimi i një kuadri tërheqës për investime vendase dhe të huaja. Respektimi i ligjit, vendosja dhe zbatimi i një kuadri transparent ligjor, konkurrenca e ndershme mbeten kushte themelore për promovimin e një ambienti mikpritës për biznesin. Po kështu, reformimi dhe modernizimi i administrimit të financave publike dhe i administratës tatimore e doganore, kryerja e reformave strukturore, sidomos përsa i përket privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha të mbetura shtetërore, përbëjnë sfida të rëndësishme për periudhën në vazhdim. Në këtë drejtim, reduktimi i përplasjeve politike do t'i shërbente shpejtimit të ritmit të reformave ekonomike dhe uljes së ndikimit të politikës në ekonomi.

Si përfundim, dëshiroj të theksoj se hartimi i politikave ekonomike bazë, asaj monetare dhe asaj fiskale, ka mbajtur parasysh mirë nevojat e nxitjes së zhvillimit të vendit për vitin 2004, e reflektuar tashmë edhe në treguesit ekonomikë të tremujorit të parë. Ruajtja e këtyre politikave brenda kornizave të programuara si dhe përshpejtimi i punës për zbatimin e reformave strukturore, do të japin një kontribut të ndjeshëm në drejtim të rritjes ekonomike dhe të forcimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Raportin e plotë e gjeni të publikuar në rubrikën e Politikës Monetare.


2. Vendimin "Për miratimin e transferimit të aksioneve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare".

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori vendimin për miratimin e kërkesës për transferimin e aksioneve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare nga individi, z. Che Abdul Daim bin Haji Zainuddin tek Grupi Financiar ICB Holding AG.

Banka Ndërkombëtare Tregtare është licencuar nga Banka e Shqipërisë me licencën Nr.09, date 20.02.1997 për kryerjen e veprimtarive të përcaktuara në pikën 3 të nenit 26 të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë. Kërkesa, mbështetur në rregulloren "Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë", shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Ky ndryshim në strukturën e aksionerëve është bërë me vendim të mbledhjes së jashtëzakonshme të aksionerëve të Bankës Ndërkombëtare Tregtare, në të cilën është vendosur që të gjitha aksionet e mbajtura nga z. Che Abdul Daim bin Haji Zainuddin i transferohen Grupit Financiar ICB Holding AG (Ltd). Che Abdul Daim bin Haji Zainuddin i njohur edhe si Tun Daim Zainuddin zotëron 100 përqind të aksioneve të ICB Holding AG.

Veprimtaritë e Grupit Financiar ICB Holding AG do të jenë për blerje, shitje dhe menaxhim të holding brenda dhe jashte vendit; blerje, shitje ose vendosje si barrë sigurues e pronave. Sipas dokumentacionit të paraqitur shoqëria ICB Holding AG është regjistruar në regjistrin tregtar të Kantonit Schëyz, Zvicër.

Adresa e rregjistrimit të shoqërisë është:
Honegger Treuhand AG,
Rietbrunnen 20
8801 Pfaffikon Switzerland
Tel.: +41 55 415 3015
Adresa e biznesit të shoqërisë është:
No. 2 Jalan Sri Hartamas 8
50480 Kuala Lumpur
Malaysia

Gjithashtu, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës u diskutuan dhe miratuan vendime mbi organizimin e brendshëm dhe informacione të ndryshme.