BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 27 prill 2005

Data e publikimit: 28.04.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 27 prill 2005, pasi shqyrtoi propozimin e Departamentit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:

Raportin e Politikës Monetare të muajit mars 2005

Zhvillimet kryesore gjatë muajit mars 2005

  • Norma mesatare vjetore e inflacionit gjatë tremujorit të parë të vitit 2005 ishte 2.5 për qind, duke qenë pranë kufirit të poshtëm të intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Inflacioni vjetor i muajit mars ishte 1.7 për qind ndërsa norma mujore e inflacionit 0 për qind.
  • Muaji mars është karakterizuar nga një normë negative e çmimeve të mallrave ushqimorë, dhe nga një normë relativisht e lartë e inflacionit vjetor të grupit "Qira, ujë, energji, elektrike", inflacioni i të cilit është ndikuar nga rritja e çmimit të energjisë elektrike në muajin janar të këtij viti.
  • Rritja e shpenzimeve buxhetore dhe tejkalimi i planit të shpenzimeve për muajin shkurt, nuk duken të kenë ushtruar presione inflacioniste deri në muajin mars.
  • Politika monetare ka vazhduar të ruajë kahun zbutës, duke synuar uljen e mëtejshme të normave të interesit në tregun bankar dhe nxitjen e zhvillimit të eknonomisë nëpërmjet kreditimit. Ulja prej 0.25 pikësh përqindjeje e normës bazë të interesit në fund të muajit mars, u bë në kushtet e normave aktuale dhe të pritshme të ulëta të inflacionit dhe në prani të ecurisë pozitive të treguesve monetarë.
  • Ecuria e treguesve monetarë gjatë muajit shkurt është karakterizuar nga zhvendosja e mëtejshme e ofertës monetare drejt mjeteve më afatgjata. Raporti i parasë jashtë bankave në fund të muajit shkurt arriti në 25.4 për qind, duke shënuar nivelin e tij më të ulët historik.
  • Norma vjetore e rritjes së ofertës monetare në muajin shkurt arriti në 15.1 për qind, kundrejt 13.7 për qind që ishte ky tregues në fund të muajit janar. Rritja e ofertës monetare është mbështetur kryesisht në rritjen e depozitave në valutë, ndërkohë që norma vjetore e agregatit M2 ka shfaqur një rritje të lehtë si rezultat i ecurisë së moderuar të kërkesës së qeverisë për para.
  • Kreditimi i ekonomisë gjatë dy muajve të parë të vitit 2005 ka paraqitur një ecuri pozitive. Teprica e kredisë është rritur me rreth 6 miliardë lekë duke arritur në nivelin 76 miliardë lekë. Shkurti i këtij viti u prezantua si periudha me rritjen më të madhe të tepricës së kredisë, me rreth 4 miliardë lekë.
  • Gjatë muajit mars, normat e interesit të lekut kanë vazhduar të ulen në tregun e parasë dhe në atë të depozitave, por jo në tregun e kredive.
  • Zhvillimet në tregun valutor flasin për një stabilitet të vlerës së lekut në raport me monedhat kryesore euro dhe usd. Mbiçmimi në bazë vjetore i lekut ndaj këtyre dy monedhave ka zbutur presionet inflacioniste nga mallrat e importuar të konsumit, si edhe ka shërbyer si amortizues i rritjes së çmimit të naftës.

Raporti i Politikës Monetare të muajit mars 2005 do të publikohet i plotë në Buletinin Zyrtar dhe në Faqen e Internetit të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës u analizua realizimi i buxhetit të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e pare të vitit 2005, u shqyrtua gjendja e monedhës në qarkullim në fund të vitit 2004 dhe u përcaktuan masa për përmirësimin e struktures së monedhës në qarkullim për vitin në vazhdim, si dhe u miratuan disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.