BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 28 dhjetor 2005

Data e publikimit: 29.12.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 28 dhjetor 2005, me propozimin e disa departamenteve të Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi :

1. Raportin e Politikës Monetare për muajin nëntor 2005

Zhvillimet kryesore :

  • Inflacioni vjetor në muajin nëntor shënoi vlerën 3.0 për qind, duke u luhatur në mesin e objektivit 2 - 4 për qind të Bankës së Shqipërisë.
  • Inflacioni vjetor u ndikua nga rritja e çmimeve të energjisë dhe të lëndëve djegëse, e çmimit të qirasë së banesave si dhe të naftës. Thellimi i krizës energjitike në muajin nëntor ndikoi në rritjen e kërkesës për burime zëvendësuese të energjisë, duke ushtruar presion për rritjen e çmimit të tyre.
  • Presionet inflacioniste janë zbutur nga politika e kujdesshme fiskale dhe monetare.
  • Në muajin tetor, u vu re një ngadalësim i rritjeve mujore të agregatëve monetarë. Përjashtim bën agregati M3, rritja vjetore e të cilit mbeti e pandryshuar në nivelin e një muaji më parë, 16.1 për qind. Preferenca e individëve drejt investimeve në bono thesari, ka ndikuar në mosrritjen e depozitave me afat në lekë dhe, si rrjedhim, të M2.
  • Për muajin tetor kredia për ekonominë ka vazhduar të ruajë nivele të larta rritjeje mujore. Gjatë muajit tetor teprica e kredisë u rrit me 4 miliardë lekë, duke arritur në 110 miliardë lekë ose 13.2 për qind e PBB-së.
  • Tregu i parasë, në muajin nëntor është karakterizuar nga një nivel i qëndrueshëm likuiditeti. Nevojat afatshkurtra për likuiditet janë plotësuar në tregun ndërbankar, ndërsa likuiditeti i ofruar në tregun primar ka qenë mbi atë të kërkuar nga qeveria. Përmirësimi i situatës së likuiditetit në sistem është pasqyruar edhe në uljen e normave të interesit në këto dy tregje për periudhën tetor - nëntor.
  • Të dhënat për muajin tetor në tregun e depozitave në lekë tregojnë rritje të normave të interesit. Tregu i kredive në lekë është karakterizuar nga luhatje të normave të interesit. Norma mesatare e ponderuar për kredinë në lekë në muajin tetor rezultoi 14.04 për qind, duke qenë 0.52 pikë përqindjeje më e lartë se në muajin shtator.
  • Gjatë muajit nëntor, ndonëse me ritme më të ulta se një muaj më parë, leku ka vazhduar të mbiçmohet ndaj euros dhe të nënçmohet ndaj usd. Nivelet e tregtimit të lekut në fund të muajit nëntor janë 122.79 lekë/euro dhe 104.26 lekë/usd.

2. Dokumentin e Politikës Monetare për vitin 2006.

Ky dokument i përvitshëm, hartohet, miratohet dhe publikohet në mbështetje të angazhimit të Bankës së Shqipërisë për transparencën e procedurave të analizës ekonomike e monetare dhe të procedurave të vendimmarrjes. Dokumenti i Politikës Monetare për vitin 2006 i shërben orientimit dhe administrimit të pritjeve të publikut drejt objektivave të Bankës së Shqipërisë.

Në veçanti, Dokumenti synon t'i sqarojë publikut:

  • kuadrin ligjor dhe teorik mbi të cilin bazohet politika monetare e Bankës së Shqipërisë;
  • misionin, objektivat e Bankës së Shqipërisë dhe përparësinë e tyre;
  • kuptimin e saktë të objektivit të inflacionit: nivelin, periodicitetin dhe indeksin të cilit i referohet;
  • kuadrin e instrumenteve të politikës monetare dhe rrugët e komunikimit të kësaj politike në publik.

Raporti i Politikës Monetare për muajin nëntor 2005 dhe Dokumenti i Politikës Monetare për vitin 2006 do të publikohen të plotë në Faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

3. Pajisjen me licencë për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë, "Bankën Union" sh.a.

Këshilli Mbikëqyrës, mbështetur në konkluzionet e Departamentit të Mbikëqyrjes se plotësohen të gjitha kushtet që kërkon ligji nr. 8365, datë 02.07.1998 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", mori vendimin të pajisë me licencë për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë, "Bankën Union" sh.a.

Ky subjekt ka marrë miratimin paraprak të licencës për të kryer aktivitet bankar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 12, datë 09. 02. 2005. Gjatë kësaj periudhe banka në formim ka kryer procedurat juridike të regjistrimit të shoqërisë, ka derdhur kapitalin fillestar, ka emëruar administratorët e saj, si dhe ka përgatitur kushtet teknike për zhvillimin e aktivitetit bankar. Kjo licencë i shton një bankë të re sistemit bankar shqiptar duke e çuar në 17 numrin e bankave operuese në Shqipëri.


4. Rregulloren "Për kushtet minimale teknike dhe të sigurisë të mjediseve të punës së subjekteve që licencohen nga Banka e Shqipërisë".

Kjo rregullore u hartua me qëllim që të plotësohet një boshllëk rregullativ lidhur me kushtet minimale, që duhet të plotësojnë subjektet e licencuara nga Banka e Shqipërisë për sigurinë teknike dhe fizike në kryerjen e veprimtarisë së tyre. Këto kushte, lidhen kryesisht me nevojën që subjektet të kenë procedura të miratuara për mbrojtjen e paprekshmërisë fizike të objekteve, të mjediseve, të sistemeve informatike që përdorin si edhe t'i zbatojnë këto procedura në praktikë. Njëkohësisht, në rregullore janë parashikuar dhe disa kërkesa për konfigurimin e mjediseve të bankës, ku ndërveprohet me klientët dhe ku administrohen vlerat monetare fizike, si edhe për mënyrën se si do të bëhet monitorimi i këtyre mjediseve nga këndvështrimi i sigurisë.

Kërkesat e rregullores "Për kushtet minimale teknike dhe të sigurisë të mjediseve të punës së subjekteve që licencohen nga Banka e Shqipërisë" do të jenë pjesë e procesit të licencimit të subjekteve të reja dhe do të shërbejnë për të unifikuar standardet dhe për të forcuar kontrollin për zbatueshmërinë e tyre, jo vetëm nga bankat e reja, por dhe në rastet kur bankat dëshirojnë të zgjerojnë rrjetin e tyre me degë ose me agjenci apo dhe kur ndryshojnë adresë. Verifikimi i plotësimit të kushteve të përcaktuara në këtë rregullore do të bëhet nga inspektorët e Bankës së Shqipërisë.

5. Në këtë mbledhje u miratua Programi Monetar dhe Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitin 2006, rregullorja "Për nënshkrimet e autorizuara dhe kufijtë e pagesave në Bankën e Shqipërisë", si dhe programi i punës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitin 2006.