BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 28 korrik 2004

Data e publikimit: 29.07.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 28 korrik 2004, pasi shqyrtoi propozimet e disa departamenteve, vendosi të miratojë:

1. Uljen e normës bazë të interesit me 0.25 për qind.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 28 korrik 2004, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij ndryshimi, norma e interesit që do të zbatohet në ankandet njëjavore të Marrëveshjeve të Riblerjes (Repo) do të jetë 5.5 për qind. Ky nivel përbën një tjetër minimum të ri historik për normën bazë të interesit në Shqipëri.

Marrja e vendimit për uljen e normës bazë të interesit mbështetet në ecurinë dhe pritshmëritë për nivele nën kontroll të inflacionit dhe stabilitetit të treguesve makroekonomikë. Mbas disa presioneve inflacioniste gjatë tremujorit të parë të vitit, norma e inflacionit i është kthyer niveleve të ulëta. Rënia e normës së inflacionit ka ardhur pjesërisht si rezultat i prodhimit bujqësor relativisht të bollshëm. Ky prodhim u fut në treg më shpejt se një vit më parë, duke sjellë një efekt sezonal të hershëm në uljen e Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Njëkohësisht, kushtet monetare në ekonomi: likuiditeti, niveli i normave të interesit dhe mbicmimi i lekut kundrejt valutave kanë kontribuar në qetësimin e presioneve inflacioniste.

Viti 2004 paraqet në tërësi një situatë të favorshme për zhvillimin ekonomik. Stabiliteti makroekonomik dhe zhvillimi i sektorit privat vazhdojnë të përbëjnë baza të qendrueshme për rritjen e aktivitetit ekonomik. Gjithashtu, reduktimi i problemeve energjitike, mbështetja më e mirë e nevojave të ekonomisë për kreditim nga sistemi bankar dhe përdorimi i një pjese të të ardhurave të privatizimit të Bankës së Kursimeve për financimin e projekteve publike do t'i japin më shumë hapësira zhvillimi ekonomisë për pjesën e mbetur të vitit 2004.

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata makroekonomike është përgjithësisht e favorshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve edhe për horizontin kohor afatmesëm. Parashikimet tregojnë se inflacioni do të jetë i ulët gjatë periudhës afatmesme dhe brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë për fundin e vitit 2004.

Situata monetare dhe ajo fiskale janë nën kontroll. Shpenzimet qeveritare dhe deficiti buxhetor janë duke ecur sipas rrugës së parashikuar vjetore. Gjithashtu, kushtet monetare rezultojnë të kontrolluara dhe ushtrojnë ndikim pozitiv në përmbushjen e objektivit të inflacionit. Treguesit e likuiditetit: normat vjetore të rritjes së agregatëve monetarë dhe raporti i parasë jashtë bankave ndaj ofertës monetare paraqiten të favorshme për respektimin e objektivit të inflacionit. Nga ana tjetër, inflacioni i ulët ka kontribuar në ruajtjen e niveleve pozitive dhe të pranueshme të normave të interesit të lekut, duke ruajtur besimin e qytetarëve për të depozituar kursimet e tyre në lekë. Normat reale të interesit të lekut dhe diferenca e tyre me valutën janë një prej shkaqeve që ka ndikuar në mbiçmimin e lekut.

Ulja e normës bazë të interesit është konsistente me politikën e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur në ekonomi kushtet më të favorshme monetare të cilat përputhen me objektivin e inflacionit. Reduktimi i kostos së huamarrjes së lekut në ekonomi do të nxisë kreditimin në lekë, do të ulë koston e borxhit të qeverisë dhe do të lehtësojë presionet mbiçmuese të lekut, pa shkaktuar presione të dëmshme mbi inflacionin.

2. "Raportin e zhvillimeve ekonomike dhe monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2004".

I. FJALA E GUVERNATORIT
Ekonomia botërore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2004 ka vazhduar të ruajë ritmet fundvitit të kaluar, duke regjistruar zhvillime pozitive të treguesve kryesorë. Politikat fiskale nxitëse dhe politikat monetare zbutëse të dy viteve të kaluara kanë dhënë efekte të dukshme në rritjen e ekonomisë amerikane ndërsa ekonomia e vendeve të Eurozonës ka shfaqur ritme disi më të ulëta rritjeje. Monedha amerikane, pas nënçmimit historik në nivelin 1 euro = 1.283 dollarë amerikanë në muajin shkurt, ka vazhduar të luhatet rreth nivelit 1.2, duke u mbështetur kryesisht në të dhënat pozitive të punësimit në muajt në vazhdim.

Ndërkohë që politikat nxitëse në vendet e zhvilluara po rigjallërojnë kërkesën agregate dhe klimën ekonomike, të dhënat paraprake, ndonëse të kufizuara, tregojnë se ekonomia shqiptare ka vazhduar të ruajë ritmet e mërparshme të rritjes, në kufirin rreth 6 për qind. Sigurimi i stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i situatës energjitike në vend, niveli relativisht i kënaqshëm i prodhimit bujqësor dhe mbështetja më e mirë e nevojave të ekonomisë për financim nga sistemi bankar, kanë kontribuar në nxitjen e aktivitetit ekonomik për vitin 2004.

Kushtet e favorshme klimaterike gjatë kësaj periudhe, rritja, veçanërisht në sera, e sipërfaqeve të mbjella dhe përmirësimet në teknologjinë e përdorur nga fermerët, mbështesin vlerësimin për një rritje më të lartë se parashikimet të prodhimit bujqësor gjatë vitit 2004. Po kështu, në përputhje me parashikimet për vitin 2004, vlerësohet se rritje paraqesin edhe sektorët e industrisë, të transportit dhe të shërbimeve. Vlerësimet mbi rritjen ekonomike mbështeten edhe nga të dhënat më të fundit të punësimit, sipas të cilave norma e papunësisë në tremujorin e parë të vitit ra në 14.9 për qind. Megjithatë, jo të gjithë sektorët e ekonomisë kanë konfirmuar ritmet e parashikuara të rritjes. Të dhënat e tremujorit të parë tregojnë se sektori i ndërtimit ka patur rënie të theksuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rënie vihet re në numrin e lejeve të ndërtimit, në sipërfaqen dhe fondin e parashikuar për ndërtim, duke lënë shteg për dyshime në lidhje me ecurinë e këtij sektori.

Politika fiskale ka vazhduar të jetë e kujdesshme duke reflektuar një ecuri të kënaqshme brenda kuadrit të programuar. Në fund të muajit qershor deficiti buxhetor rezultoi 8.4 miliardë lekë, duke përbërë rreth 82 për qind të nivelit të parashikuar për këtë periudhë. Kjo ecuri ka reflektuar kryesisht mosrealizimin e shpenzimeve kapitale të qeverisë në nivelin e parashikuar për këtë periudhë. Gjithësesi, këto shpenzime parashikohet të përshpejtohen gjatë pjesës së mbetur të vitit si pasojë e përdorimit të gjysmës së të ardhurave të privatizimit të Bankës së Kursimeve për financimin e projekteve publike.

Zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2004 kanë ruajtur pothuajse të pandryshuara tendencat e vërejtura gjatë viteve të fundit. Bilanci i përgjithshëm i pagesave për tremujorin e parë të vitit 2004, shënoi nivel pozitiv në masën 15 milionë usd, ndërkohë që zhvillimet në llogarinë korente ende vazhdojnë të flasin për një ekonomi me një bazë ende të vogël prodhuese dhe një shkallë të ulët konkurrence në rajon dhe më gjerë. Tremujori i parë u mbyll me një deficit korent mbi 2 herë më të lartë se tremujori përkatës i vitit paraardhës. Thellimi i deficitit korent ka ardhur si pasojë e rritjes së deficitit tregtar dhe e një përkeqësimi të lehtë të bilancit të shërbimeve, ndërkohë që bilanci i të ardhurave dhe ai i transfertave korente, kanë mbetur pothuajse të pandryshuar.

Presionet inflacioniste gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2004 kanë qenë përgjithësisht të kontrolluara. Norma vjetore e inflacionit manifestoi një trend rritës gjatë tre muajve të parë të vitit, duke pasqyruar kryesisht presionet inflacioniste të rritjes së çmimeve të administruara, për t'u stabilizuar më pas brenda intervalit objektiv të Bankës së Shqipërisë prej 2 - 4 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2004. Faktorët e kërkesës kanë dhënë një ndikim pozitiv në zhvillimet e inflacionit gjatë kësaj periudhe. Situata e qëndrueshme e likuiditetit, mbajtja nën kontroll e agregatëve monetarë dhe ruajtja e financimit të brendshëm të qeverisë brenda kufirit të lejuar, kanë krijuar një ambient të përshtatshëm monetar për kontrollin e inflacionit. Politika fiskale nga ana e saj ka pasqyruar një ecuri të kontrolluar të shpenzimeve buxhetore duke mos ushtruar presione inflacioniste gjatë këtij gjashtëmujori. Ndikimi i faktorëve të ofertës ka qenë i dykahshëm. Gjatë tremujorit të parë të vitit, inflacioni është ndikuar negativisht nga faktorët e ofertës, si rritja e çmimit të energjisë, e çmimit të bukës dhe e çmimit të transportit. Korrigjimi në zbritje i tarifave të telefonisë fikse në muajin prill dhe rënia e çmimit të bukës si pasojë e konkurrencës, si dhe hyrja e prodhimit vendas në tregun e brendshëm ndikuan në uljen e normës së inflacionit gjatë tremujorit të dytë të vitit. Gjithashtu, mbiçmimi i lekut ndaj euros dhe dollarit gjatë kësaj periudhe, ka zbutur ndjeshëm efektin e inflacionit të importuar.

Kursi i këmbimit të lekut është mbicmuar përkatësisht me 6.4 për qind dhe 5.4 për qind kundrejt euros dhe dollarit. Në planin afatgjatë, kjo ecuri reflekton konsolidimin e stabilitetit ekonomik në vend dhe rritjen e besimit ndaj monedhës vendase. Ndërkohë, kjo periudhë është karakterizuar edhe nga disa faktorë specifikë, të cilët kanë vepruar të gjithë në kahun e mbiçmimit të lekut. Pa dashur të zgjatem, dëshiroj të përmend se efekti sezonal i futjes së prodhimit bujqësor vendas ka qenë më i shpejtë dhe më i fortë gjatë vitit 2004. Po kështu, fillimi i turizmit më herët se në vitet e mëparshme ka ndikuar në rritjen e ofertës së valutës nga turistët e emigrantët duke ndihmuar në mbiçmimin e lekut. Ndërkohë, kërkesa për lekë ka mbetur e fortë si pasojë e diferencës së normave të interesit midis lekut dhe valutës; diferencë e cila, edhe pse në ulje, ka nxitur interesin e agjentëve ekonomikë për mjete monetare në lekë: depozita dhe bono thesari.

Politika monetare, gjatë gjashtëmujorit të parë, ka vazhduar të jetë në kahun e zbutjes. Qëndrueshmëria e inflacionit brenda objektivit si dhe perspektiva pozitive e tij, kanë bërë të nevojshme përshtatjen e politikës monetare në drejtim të lehtësimit të kushteve monetare në ekonomi. Banka e Shqipërisë ka ulur tre herë normën bazë të interesit brenda periudhës prill-qershor 2004. Duke qenë se çdo ulje e ka çuar normën bazë të interesit në minimume të reja historike, Banka e Shqipërisë ka vepruar me kujdes, duke e ulur atë me 0.25 pikë për qindjeje në çdo rast. Politika e Bankës së Shqipërisë me normën bazë të interesit ka çuar në rënien e normave të interesit në tregjet financiare. Reagimi i bankave të nivelit të dytë ndaj këtyre veprimeve vlerësohet në nivele të kënaqshme. Reduktimi i kostos së parasë do të shërbejë për të nxitur kreditimin në lekë të ekonomisë, për të ulur koston e borxhit të qeverisë dhe për të zbutur presionet mbiçmuese të lekut të vërejtura kohët e fundit.

Kreditimi i ekonomisë gjatë këtij gjashtëmujori, ka ruajtur ritmet e rritjes të vëna re në vitet e fundit. Teprica e kredisë gjatë kësaj periudhe është rritur me 5.5 miliardë lekë, rritje kjo rreth 25 për qind më e lartë se ajo e shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Struktuara e tepricës së kredisë sipas afateve kohore paraqitet me rritje të tepricës së kredisë afatmesme dhe asaj afatgjatë, pesha e të cilave është rritur në 61.5 për qind të tepricës së kredisë nga 54 për qind që ishte në fund të vitit 2003.

Zhvillimet aktuale në ekonomi dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit 2004, flasin për një periudhsë stabiliteti. Më konkretisht, kjo kornizë makroekonomike nënkupton një ruajtjen e rimit të rritjes ekonomike rreth nivelit 6 për qind për periudhën afatmesme, në kushtet e një norme inflacioni vjetor brenda intervalit objektiv. Rritja ekonomike do të bëjë të mundur që niveli i deficitit korent, si shprehje relative ndaj prodhimit të përgjithshëm bruto, të qëndrojë pak a shumë në të njëjtat nivele, me ato të vitit të kaluar.
Të dyja politikat bazë si ajo fiskale dhe ajo monetare, do të vazhdojnë të jenë të kujdesshme në përputhje me programin financiar të zhvillimit të vendit. Vlerësohet se të ardhurat e privatizimit të Bankës së Kursimeve kanë krijuar një pozicion më komod për buxhetin e shtetit, ndonëse më shumë kujdes duhet t'i kushtohet realizimit sasior të shpenzimeve kapitale.

Nga ana tjetër, politika monetare do të vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet inflacioniste në ekonomi duke i gjykuar ato nga një këndvështrim më i plotë, përfshirë dhe zhvillimet në treguesit e tjerë kryesorë të ekonomisë. Duke gjykuar sa më sipër, Banka e Shqipërisë do të jetë e kujdesshme në vendimmarrjen e saj politike, duke reflektuar muaj pas muaji jo vetëm zhvillimet ekonomike brenda vendit por edhe ato të ndodhura në tregun ndërkombëtar, me objektiv ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Banka e Shqipërisë do të synojë të ruajë në ekonomi kushtet më të lehta monetare të cilat janë konsistente me ruajtjen e stabilitetit të cmimeve. Kjo politikë nxit zhvillimin e ekonomisë. Ajo synon ruajtjen normave të ulta të interesit, në mbështetje të kreditimit të ekonomisë, dhe ruajtjen e një niveli të pranueshëm të kursit të këmbimit, në mbështetje të qëndrueshmërisë afatgjatë të pozicionit valutor të Shqipërisë. Duke parë në këtë prizëm zhvillimet më të fundit në ekonomi, në vecanti perspektivën pozitive të ecurisë së inflacionit, qëndrueshmërinë e treguesve monetare dhe sjelljen e kursit të këmbimit, Banka e Shqipërisë gjykon të përshtatshme hedhjen e një hapi tjetër në ciklin e zbutjes së politikës monetare. Një ulje e moderuar e normës bazë të interesit do t'i shërbente nxitjes së kreditimit dhe zhvillimit ekonomik, pa cënuar ekuilibrat makroekonomikë të vendit.

3. Deklaratën "Mbi kërcënimin e stabilitetit të sistemit financiar në Shqipëri".

Banka e Shqipërisë, në zbatim të kërkesave të ligjit, ka ushtruar me përgjegjësi detyrimin e saj ligjor për mbikëqyrjen e sistemit bankar, për identifikimin në kohë dhe për eliminimin e zhvillimeve, të cilat mund të përfaqësojnë një kërcënim të mundshëm për mirëfunksionimin e tij. Në bazë të ligjit, në fund të çdo gjashtëmujori Banka e Shqipërisë është e detyruar të tërheqë vëmendjen e autoriteteve të vendit, vëmendjen e tregut financiar dhe të operatorëve të tij si edhe vëmendjen e publikut të gjerë, mbi rreziqet potenciale që kërcënojnë qëndrueshmërinë e sistemit bankar në vend. Në të gjitha rastet, Banka e Shqipërisë e ka shfrytëzuar këtë mundësi që krahas identifikimit të rreziqeve potenciale për sistemin bankar, të ngrejë edhe çështje të tjera, që i shërbejnë mbarëvajtjes së tij në veprimet e përditshme si edhe që ndihmojnë në funksionimin më të mirë të sistemit financiar në përgjithësi.

Banka e Shqipërisë konstaton se në pjesën e parë të vitit 2004, u evidentuan zhvillime pozitive në sistemin bankar. Krahas zgjerimit të tij nëpërmjet hapjes së degëve të reja të bankave, përmendim që filloi të operojë një banke e re me kapital vendas si edhe përfundoi privatizimi i bankës më të madhe në vend, Bankës së Kursimeve. Numri i bankave që tani funksionojnë në vend është ngjitur në 16 dhe kushtet e konkurrencës në sistemin bankar po vijnë drejt forcimit të vazhdueshëm.

Ndër treguesit kryesorë të sistemit bankar për periudhën e kaluar, përmendim:

Treguesi Dhjetor 2003 Maj 2004

Mjaftueshmëria e kapitalit 28.50% 30.10%
Kapitali aksioner (milionë lekë) 21,985.00 23,193.40
Rezultati neto (milionë lekë) 4,455.00 2,038.90
Kredia e re (milionë lekë) 92,600.00 48,733.00
Kredia me probleme neto / kredia neto 1.80% 1.10%
Kredia me probleme, bruto / totali i bilancit 0.60% 0.60%

Banka e Shqipërisë nuk konstaton ndonjë element, i cili përfaqëson kërcënim për ecurinë e qëndrueshme të sistemit bankar edhe në të ardhmen. Megjithatë, si edhe më parë, Banka e Shqipërisë dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi ligjore për të tërhequr vëmendjen rreth disa zhvillimeve, të cilat nëse nuk adresohen për zgjidhje në kohën dhe me vëmendjen e duhur, mund të shndërrohen në shqetësime të sistemit bankar dhe të pengojnë progresin e tij në drejtime të caktuara. Më konkretisht:

  1. Bankat duhet të forcojnë sistemet e tyre të identifikimit dhe të administrimit të rrezikut, në një kohë kur konkurrenca në treg është në rritje. Theksi duhet vendosur në përshtatjen e praktikave të nevojshme për monitorimin e veprimtarive kryesore dhe delikate të bankave që lidhen kryesisht me sistemet e teknologjise së informacionit dhe të komunikimit, veprimtarinë e këmbimit valutor dhe të investimit të fondeve etj.. Një vëmendje e vecantë i duhet kushtuar veprimtarisë së kreditimit, ku ka nevojë për përmirësimin dhe plotësimin e procedurave, për identifikimin dhe zhvillimin e mënyrave që lejojnë shkëmbimin e informacionit midis bankave mbi huamarrësit dhe cilësinë e tyre etj.. Strukturat drejtuese të bankës, duke përfshirë Këshillin Drejtues, Komitetin e Kontrollit dhe drejtuesit ekzekutivë, kanë përgjegjësinë kryesore për të mundësuar këto zhvillime.
  2. Me privatizimin e plotë të sistemit bankar, është e kuptueshme që janë elementet e ekonomisë së tregut ato që do të përcaktojnë ecurinë e sistemit bankar dhe të operatorëve të tij. Por vetë bankat si edhe strukturat e tjera administrative që mbikëqyrin tregun bankar dhe atë financiar, duhet të përqendrojnë vëmendjen e tyre drejt vendosjes dhe drejt zbatimit të një kuadri ligjor dhe rregullativ, i cili të sigurojë kushte të barabarta konkurrence midis operatorëve të tregut në drejtimet respektive. Një instrument i cili ndikon drejtpërsëdrejti në zbatimin e plotë të kuadrit rregullativ në këtë drejtim, është vendosja e një komunikimi të qëndrueshëm midis vetë institucioneve mbikëqyrëse të tregut financiar si edhe midis këtyre institucioneve mbikëqyrese dhe operatorëve të këtij tregu.
  3. Bankat duhet t'i kushtojnë vëmendje në rritje, veprimtarisë së tyre në valutë të huaj. Këtu kemi parasysh kryesisht aktivitetin kreditues dhe atë të këmbimeve e të investimeve, por shtojmë edhe nevojën për ruajtjen e vlerës së kapitalit të bankave. I gjithë ky aktivitet është i ndjeshëm ndaj ecurisë së kursit të këmbimit, i cili në vitet e fundit ka evidentuar një mbiçmim të qëndrueshëm të njësisë monetare kombëtare. Për shkak të kohës së konsiderueshme gjatë së cilës është zhvilluar ky fenomen, bankat kanë mundur të përshtasin pozicionet e tyre duke siguruar një zhvillim normal të aktivitetit në këtë drejtim. Megjithatë, kjo ecuri e qetë për një kohë të konsiderueshme në të kaluarën, mund të krijojë idenë e vazhdimësisë së saj për një periudhë të pacaktuar në të ardhmen. E gjithë kjo, do të varej nga ekzistenca e faktorëve që kanë ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit në vitet e fundit si edhe nga masa e ndikimit të tyre. Pa dashur të analizojmë faktorët që kanë ndikuar në këtë ecuri, ne besojmë që masa e ndikimit të disave prej faktorëve ka filluar të zbehet. Për këtë arsye, por duke u nisur mbi të gjitha nga nevoja për të qenë vazhdimisht vigjilent ndaj zhvillimeve të pafavorshme, tërheqim vëmendjen e bankave që të fillojnë të testojnë aktivitetin e tyre për zhvillime të tilla të mundshme. Ky proces duhet të fillojë me ndërtimin e skenareve të pafavorshem dhe me vlerësimin e ndikimit të tyre në rezultatin financiar të bankës. Banka e Shqipërisë, do t'i kushtojë një vëmendje të veçantë këtij elementi në procesin e saj mbikëqyrës.
  4. Ne besojmë se sistemi bankar mund të luajë një rol edhe më aktiv në qëllimin e përbashkët për reduktimin e transaksioneve në cash dhe reduktimin e ekonomisë informale. Zgjerimi i aktivitetit bankar dhe afrimi i tij i mëtejshëm pranë publikut si edhe prezantimi i produkteve të reja që nxisin format e reja të pagesës dhe ofrojnë komoditetin e dëshiruar, janë zhvillime të cilat Banka e Shqipërisë i inkurajon që të vazhdojnë. Ne besojmë se ky proces do të ishte më i suksesshëm nëse do të kishte një angazhim edhe më të madh, të të gjitha institucioneve përkatëse të shtetit.
  5. Banka e Shqipërisë vlerëson se duhen bërë përpjekje më të mëdha dhe të vazhdueshme lidhur me forcimin e funksionit mbikëqyrës edhe në segmente të tjera të tregut financiar, duke theksuar veprimtarinë e sigurimit. Ky është një zhvillim i nevojshëm, në kushtet kur prirja në të ardhmen mund të jetë drejt integrimit të veprimtarive në tregun financiar me njëra-tjetrën. Rritja e bashkëpunimit mes institucioneve mbikëqyrëse dhe formalizimi i këtij bashkëpunimi, është një hap tjetër i cili duhet nxitur dhe duhet realizuar aktualisht.
  6. Banka e Shqipërisë mendon se ka ardhur koha që të rritet presioni për eliminimin e çdo forme të dukshme dhe të rëndësishme të informalitetit në ekonomi. Në këtë kuadër, duhet të adresohet edhe ekzistenca e tregut paralel të këmbimeve valutore, duke forcuar masat administrative për mbylljen e tij si edhe duke krijuar kushte për tërheqjen e tij në aktivitetin formal të tregut të këmbimeve. Ne besojmë se analiza kosto-përfitim e këtij veprimi, flet në favor të mbylljes së këtij tregu në kushtet e rritjes dhe të përmirësimit të kapaciteteve të veprimtarisë së këmbimeve valutore nga ana e pjesëmarrësve të tregut formal (banka dhe zyra këmbimi), si edhe të uljes së kostos me të cilën ofrohet ky shërbim.

Së fundi, Banka e Shqipërisë shpreh besimin se sistemi bankar do të shënojë zhvillime, të cilat do të ndikojnë në konsolidimin e mëtejshëm dhe në rritjen e rolit të tij në ecurinë e ekonomisë në vend.

4. Informacion "Mbi studimin për inflacionin bazë, matjen dhe lidhjen e e tij me agregatët monetarë".

Një tregues i rëndësishëm për analizat në bankën qendrore është inflacioni bazë, i cili përfaqëson ndryshimin e çmimeve që lidhet në mënyrë më të drejtpërdrejtë me fenomenet monetare. Kjo do të thotë që inflacioni bazë, rezulton pasi nga inflacioni total janë përjashtuar elementet me ndikim të përkohshëm në çmimet e konsumit, që në fakt janë relativisht më pak të lidhur me politikën monetare. Kombinimi i faktorëve jashtë politikës monetare, bën që inflacioni të marrë goditje, që shpesh shfaqen për periudha afatshkurtra. Pasja e një indikatori të ecurisë së çmimeve për periudha afatgjata, nënkupton në njëfarë mase, izolimin e shifrës së inflacionit nga ndikimet afatshkurtra. Për periudha afatshkurtra, mund të ekzistojnë goditje që krijojnë shmangie të ecurisë së inflacionit nga tendenca historike. Kjo nuk do të thotë, se ngjarje të tilla duhet të lihen në hije, por pesha që u duhet dhënë në studimin e tendencave të inflacionit, nuk duhet të ekzagjerohet. Aplikimi metodave të ndryshme për evidentimin e përbërëses afatgjatë të inflacionit apo të inflacionit bazë dhe marrja në konsideratë e rezultateve të tyre, bëhet duke parë se sa dhe si këto metoda përmbushin disa kritere të rëndësishme të teorisë ekonomike dhe statistikore. Krahas këtyre kritereve një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe shkallës së transparencës së metodave. Duke qenë se një element i rëndësihëm është komunikimi me publikun, atëherë inflacioni bazë duhet të ketë shkallë të lartë kuptueshmërie dhe transparence. Duke marrë në analizë këto kritere dhe metodat e mundshme për zbatim në rastin e Shqipërisë për vlerësimin e inflacionit bazë, është llogaritur ky i fundit mbi të dhënat e detajuara të IÇK-së, me shportën e re deri në muajin qershor 2004 . Duke krahasuar të dhënat faktike të inflacionit total dhe ato të inflacionit bazë (normat mujore), vlerësohet se inflacioni bazë rezulton më poshtë se sa inflacioni total. Në nivel vjetor, tendenca e inflacionit bazë ndjek atë të inflacionit total, duke verifikuar nivele më të ulëta se sa inflacioni total.