BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 28 korrik 2005

Data e publikimit: 29.07.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 28 korrik 2005, me propozimin e disa departamenteve të Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi :

Deklaratën e Bankës së Shqipërisë “MBI ZHVILLIMET EKONOMIKE DHE MONETARE PËR GJASHTËMUJORIN E PARË TË VITIT 2005”

FJALA E GUVERNATORIT
Ekonomia shqiptare është karakterizuar në përgjithësi nga një ecuri e mirë dhe brenda parametrave të pritur, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2005. Aktiviteti ekonomik në Shqipëri ka marrë jetë në kushtet e një përmirësimi të lehtë të ekonomisë në nivel botëror. Ekonomia botërore ka vazhduar të rritet me një ritëm të moderuar gjatë gjysmës së parë të vitit 2005. Ekonomia amerikane ka qenë një nga forcat kryesore shtytëse të aktivitetit ekonomik botëror, ndërsa situata ekonomike në Eurozonë dhe në Japoni, ndonëse në përmirësim, vazhdon të mbetet e brishtë. Rritja e ekonomisë botërore është shoqëruar me rritje të vëllimit të shkëmbimeve tregtare. Nga ana tjetër, zhvillimet jo të favorshme në çmimet e naftës dhe pasiguria e lidhur me kursin e këmbimit, nuk janë përcjellë në të gjithë amplitudën e tyre në ekonominë e brendshme.

Duke gjykuar nga zhvillimet e sektorëve të veçantë, nga ecuria e treguesve fiskalë si dhe nga rritja e shpejtë e kredisë për ekonominë, mund të thuhet se kjo periudhë ka qenë e favorshme për ekonominë e vendit dhe për realizimin e objektivave të zhvillimit. Në përgjithësi, sektorët më vitalë të ekonomisë shqiptare gjatë fillimit të vitit 2005 kanë regjistruar ecuri të kënaqshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Normat e rritjes vjetore të tyre kanë ardhur në rritje, duke dëshmuar për një trend afatgjatë në rritje të zhvillimit të ekonomisë. Sektorët që kanë shënuar rritje më të larta në bazë vjetore të shitjeve janë ndërtimi, tregtia, shërbimet, bujqësia dhe agroindustria, ndërkohë që sektori i transportit dhe i industrisë kanë realizuar vëllime pothuajse të njëjta shitjesh me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik në vend është shoqëruar me përmirësimin e mëtejshëm të situatës në tregun e punës. Ky përmirësim është manifestuar në rritjen e numrit të të punësuarve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në rënien e normës së papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2005. Norma e papunësisë e tremujorit të parë të këtij viti ka shënuar vlerën më të ulët të 7 viteve të fundit.

Llogaria korente, gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, rezultoi me një deficit prej 56.2 milionë usd duke shënuar një përkeqësim të lehtë ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë që ritmet e rritjes së importeve dhe të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve kanë qenë të përafërta, vëllimi i madh i importeve ka rezultuar në thellim të deficitit korent. Deficiti tregtar prej 363 milionë usd si edhe deficiti prej rreth 40 milionë usd në kategorinë e shërbimeve është mbuluar në pjesën më të madhe nga flukset hyrëse të transfertave korente, kryesisht private. Flukset hyrëse të kapitalit, gjatë tremujorit të parë, kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar deficitin korent, duke rezultuar në një nivel pozitiv të bilancit të përgjithshëm të pagesave prej afërsisht 13 milionë usd. Mbiçmimi i lekut ndaj dollarit amerikan dhe ndaj euros ka ulur çmimin e mallrave dhe të shërbimeve të huaja, ndërkohë që ky mbiçmim nuk ka cënuar konkurrueshmërinë e eksporteve tona, si pasojë e strukturës së eksporteve tona të orientuara drejt rieksporteve.

Megjithë fushatën zgjedhore të vitit 2005, Banka e Shqipërisë vlerëson se situata fiskale ka qenë nën kontroll. Zhvillimet fiskale, gjatë gjysmës së parë të vitit 2005, kanë qenë të moderuara dhe treguesit nuk e kanë kaluar nivelin e parashikuar për këtë periudhë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në fund të muajit qershor janë mbledhur 98.3 për qind e të ardhurave të planifikuara dhe është realizuar rreth 97.7 për qind e shpenzimeve të programuara. Për pasojë, deficiti buxhetor në fund të muajit qershor ka shënuar rreth 9.4 miliardë nga 10.2 miliardë lekë të parashikuara. Deficiti buxhetor për këtë periudhë, është financuar kryesisht me burime të brendshme, ndërkohë që financimi i huaj ishte rreth 50 për qind e shumës së parashikuar.

Gjashtëmujori i parë i vitit 2005 është karakterizuar nga norma të ulëta inflacioni. Inflacioni vjetor ka patur një tendencë rënëse gjatë pjesës së parë të vitit, duke arritur vlerën 1.3 për qind në muajin prill, ndërkohë që muajt maj dhe qershor shënuan një rritje të inflacionit deri në nivelin 2.9 për qind. Inflacioni mesatar vjetor ka qenë vazhdimisht brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke u stabilizuar në vlerën 2.25 për qind, në muajin qershor. Orientimi i politikave fiskale dhe monetare drejt ruajtjes së stabilitetit makroekonomik si dhe zhvillimet pozitive në grupe të ndryshme mallrash të konsumit, brenda një mjedisi makroekonomik të përshtatshëm kanë mundësuar kontrollimin e normës së inflacionit. Bilanci i faktorëve të kërkesës dhe të ofertës nuk ka rezultuar në presione inflacioniste gjatë kësaj periudhe. Rritja modeste e pagave, rritja e çmimeve të naftës dhe rritja në çmimet e administruara, janë kompensuar nga veprimi i faktorëve disinflacionistë si niveli i qëndrueshëm i kërkesës së brendshme, situata e kontrolluar monetare, mbiçmimi i qëndrueshëm i lekut dhe rritja e prodhimit bujqësor në vend.

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka patur përgjithësisht një kah zbutës, gjatë gjashtëmujorit të parë. Kjo tendencë ka qenë më e theksuar në tremujorin e parë, duke u finalizuar me uljen me 0.25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit në fund të muajit mars, ndërkohë që gjatë tremujorit të dytë politika monetare ka marrë gradualisht një qëndrim neutral. Lehtësimi i politikës monetare është reflektuar në rënien e vazhdueshme të normave të interesit në tregjet financiare. Kjo ulje ka qenë më e theksuar për maturitetet afatmesme duke ndikuar në sheshimin e kurbës së normave të interesit në lekë. Politika monetare zbutëse e Bankës së Shqipërisë është pasuar nga rritja e kërkesës për mjete monetare. Burimi kryesor i zgjerimit monetar gjatë kësaj periudhe ka qenë kreditimi i ekonomisë, në ndryshim nga vitet e kaluara kur këtë funksion e ka realizuar huamarrja e qeverisë apo flukset hyrëse valutore. Teprica e kredisë është rritur mesatarisht me rreth 3.7 miliardë lekë në muaj, gjatë periudhës janar- maj 2005, duke shënuar në fund të periudhës një rritje totale prej 18.7 miliardë lekësh. Ky nivel është i njëjtë me rritjen e kredisë gjatë gjithë vitit 2004. Zhvillimet pozitive të kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar kanë ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e të gjithë treguesve makroekonomikë të kredisë.

Konsolidimi i vazhdueshëm i stabilitetit makroekonomik gjatë viteve të fundit, përbën një bazë të mirë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare gjatë pjesës së mbetur të vitit 2005. Ekonomia shqiptare i ka të gjitha premisat për një zhvillim brenda kornizave të programuara. Megjithë tablonë e mësipërme, relativisht optimiste, javët e fundit është konstatuar një lëvizje e sforcuar e fondeve monetare nga kanalet bankare në ekonomi, si pasojë e shfaqjes më të hershme të faktorit sezonal, e pagimit të fondeve të bllokuara në firmat piramidale dhe paqartësive që në përgjithësi karakterizojnë situatën parazgjedhore dhe atë paszgjedhore. Ne jemi duke ndjekur me kujdes zhvillimet më të fundit të likuiditetit, veçanërisht ato të lidhura me financimin e deficitit buxhetor.

Në interes të garantimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë, ne besojmë se këto zhvillime do të jenë të përkohshme dhe administrimi normal i të ardhurave do të rikuperohet shumë shpejt me krijimin e ekzekutivit të ri shqiptar. Banka e Shqipërisë mbetet thellësisht e angazhuar për respektimin e treguesve programorë të zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit për vitin 2005 dhe, në këtë kontekts, ne shpresojmë se nuk do të mungojë edhe angazhimi i autoriteteve përkatëse. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë përfiton nga rasti t’i bëjë thirrje të gjitha subjekteve ekonomike për respektimin e detyrimeve tatimore në bazë të legjislacionit dhe të rregullave në fuqi. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të synojë të ruajë në ekonomi kushte monetare konsistente me objektivin e inflacionit prej 2 – 4 për qind, duke synuar në të njëjtën kohë zhvillimin e tregut financiar sipas modeleve më të përparuara, përmirësimin e infrastrukturës së pagesave dhe rritjen e shkallës së ndërmjetësimit financiar në ekonomi. Për realizimin e objektivave të zhvillimit të vendit, ajo vlerëson si një faktor thelbësor mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse në fushën e politikave ekonomike dhe ruajtjen e tempit të reformave strukturore të ekonomisë.

 

Kliko këtu për të lexuar njoftimin e plotë