BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 29 qershor 2005

Data e publikimit: 30.06.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 29 qershor 2005, mori në shqyrtim dhe miratoi :

  • Raportin e Politikës Monetare për muajin maj 2005.

Nga ecuria e inflacionit dhe e treguesve monetarë, konstatohet se zhvillimet e gjashtëmujorit të parë janë në përgjithësi në përputhje me parashikimet e programit makroekonomik të zhvillimit të vendit. Norma vjetore e inflacionit në muajin maj shënoi vlerën 2.0 për qind, nga 1.3 për qind në muajin prill, duke përkuar me kufirin e poshtëm të intervalit objektiv. Treguesit monetarë gjatë muajve prill - maj kanë ruajtur tendencën e tremujorit të parë të vitit 2005, duke konfirmuar stabilitetin monetar të arritur gjatë dy viteve të fundit. Rënia e normave të interesit në lekë, në përgjigje të uljes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në datën 30 mars 2005, është shoqëruar me rritje të kreditimit të ekonomisë. Nga ana tjetër kjo rënie e nomave të interesit në lekë nuk duket të ketë cënuar aftësinë e sistemit bankar për të tërhequr kursimet e publikut.

Duke marrë në konsideratë situatën e përgjithshme makroekonomike si dhe tendencën e mësipërme të treguesve monetarë, Banka e Shqipërisë parashikon se norma e inflacionit vjetor do të luhatet brenda objektivit të saj gjatë periudhës në vijim. Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mos ndryshojë qëndrimin neutral të politikës monetare duke ruajtur normën bazë të interesit në nivelin 5.0 për qind.

  • Rishikimin e Programit Monetar të Bankës së Shqipërisë për vitin 2005.

Programi monetar i Bankës së Shqipërisë hartohet në përputhje me strategjinë e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila parashikon kontrollin e agregatëve monetarë si një instrument i ndërmjetëm për kontrollin e inflacionit. Duke realizuar lidhjen midis objektivit të ndërmjetëm dhe objektivave operacionalë të Bankës së Shqipërisë ai shërben për mbështetjen dhe kontrollin e politikës monetare të saj në harkun kohor të një viti. Programi monetar hartohet në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë për inflacionin dhe parashikimet për tregues të tjerë të ekonomisë.

Sipas procedurave të Bankës së Shqipërisë, programi monetar rishikohet periodikisht për të rritur vlerat orientuese të tij, në kushtet e një ekonomie dinamike. Ndërkohë, dy supozimet kryesore të programit monetar, rritja ekonomike dhe objektivi i inflacionit nuk kanë ndryshuar. Ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 6 për qind gjatë vitit 2005 ndërsa objektivi i Bankës së Shqipërisë është kontrolli i inflacionit në nivelin 2-4 për qind në fund të vitit.

Oferta monetare. Kërkesa më e lartë e sektorit privat për mjete monetare do të çojë në rritje me ritme më të larta të ofertës monetare (M3). Programi monetar i rishikuar për vitin 2005 parashikon rritje prej 9.8 për qind të ofertës monetare, kundrejt rritjes prej 9.4 për qind të versionit të mëparshëm.

Paraja jashtë bankave. Megjithë rënien e normave nominale të interesit në ekonomi, inflacioni i ulët ka ruajtur interesat reale në nivele stimuluese për futjen e parasë në sistem. Raporti i ulët i parasë jashtë bankave është pjesërisht rezultat i një trendi afatgjatë rënës, karakteristikë e periudhës së stabilizimit të një ekonomie. Si rezultat, pritet një ritëm më i ulët rritjeje për treguesin e parasë jashtë bankave, norma e rritjes vjetore e të cilit parashikohet të zbresë në 4.8 për qind në fund të vitit 2005.

Depozitat në lekë. Kthimi i pritshëm i parasë në sistem do të reflektohet në ruajtjen e ritmeve të kënaqshme të rritjes së depozitave në lekë. Norma vjetore e rritjes së tyre në fund të vitit 2005 parashikohet të arrijë në 10.8 për qind, nga 10.6 për qind që ishte parashikimi i mëparshëm.

Depozitat në valutë. Struktura valutore e ofertës monetare pritet të zhvendoset më tej drejt komponentit të saj valutor. Rritja e depozitave në valutë do të mbështetet në flukset e qëndrueshme valutore nga remitancat dhe tendencën në rritje të interesave në dollarë. Bazuar në këtë supozim, norma e rritjes vjetore të depozitave në valutë në fund të vitit 2005 parashikohet të rezultojë rreth 13.7 për qind.

Kredia për ekonominë. Programi monetar i rishikuar parashikon rritje të kredisë për ekonominë prej 33.8 miliardë lekë, ose 14.4 miliardë lekë më tepër se rritja e stokut të kredisë në vitin 2004. Në terma të PBB-së, teprica e kredisë për ekonominë parashikohet të rritet me rreth 3.9 pikë përqindjeje, kundrejt rritjes prej 2.5 për qind të PBB-së në vitin 2004. Teprica e kredisë në lekë parashikohet të rritet me rreth 12.2 miliardë lekë, kundrejt një rritjeje prej 21.7 miliardë lekë të tepricës së kredisë në valutë, duke përbërë rreth 36 për qind e rritjes së tepricës së kredisë gjithsej.

Financimi i deficitit. Supozimet mbi situatën fiskale të qeverisë për vitin 2005 nuk kanë ndryshuar. Financimi i brendshëm i deficitit buxhetor për vitin 2005 është planifikuar në nivelin 23.3 miliardë lekë, nga të cilat sistemi bankar do të mbulojë 15.7 miliardë lekë, ose 1.8 për qind të PBB-së. Rritja më e ulët e pretendimeve neto të sistemit bankar ndaj qeverisë krahasuar me kreditimin e ekonomisë tregon për një administrim më efektiv të fondeve të sistemit bankar.

Mjetet valutore neto. Rritja vjetore e mjeteve valutore neto të sistemit për vitin 2005 parashikohet 11.6 miliardë lekë, ose rreth 10.5 miliardë lekë më i lartë se parashikimi aktual. Mjetet valutore neto të Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2005 parashikohen rreth 4.1 miliardë lekë më të larta se niveli i parashikuar në programin aktual, si rezultat i rritjes së rezervës valutore nga përmirësimi i pritshëm i bilancit të pagesave për vitin 2005. Rritja e mjeteve valutore neto të Bankës së Shqipërisë me 16.6 miliardë lekë është në mbështetje të respektimit të objektivit të rezervave ndërkombëtare neto në kuadrin e marrëveshjes PRGF me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

  • Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës miratoi rregulloren "Për procedurat e sistemit të kryqëzimit të pagesave me vlerë të vogël - AECH", si dhe analizoi gjendjen e sistemit bankar në tremujorin e pare të vitit 2005.

* * *

Më poshtë po japim vlerësimin e Bankës së Shqipërisë "Mbi gjendjen e sistemit bankar në tremujorin e pare të vitit 2005".

Tremujori i parë i vitit njohu rritje të aktiveve të sistemit bankar me 28.5 miliardë lekë ose 6.7 për qind, nga 17.3 miliardë lekë ose 4.6 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rritjen e aktiveve të sistemit, grupet e bankave kontribuan në këtë mënyrë: G3 me 18.2 miliardë lekë, G2 me 7.1 miliardë lekë dhe G1 me 3.2 miliardë lekë. Ndonëse, në tremujorin e parë të këtij viti, grupit të bankave të mesme (G2) iu shtuan dy banka të reja, grupi i bankave të mëdha (G3) vazhdon të luajë rolin kryesor në tregun bankar vendas.

Ndikimin kryesor në rritjen e burimeve të sistemit bankar, për tremujorin e parë të vitit, e dhanë depozitat e klientëve me 24.2 miliardë lekë, shoqëruar nga burimet e veta me 1.3 miliardë lekë dhe depozitat e huatë ndërbankare me 0.7 miliardë lekë.

Në tremujorin e parë, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi rritje me 10.1 miliardë lekë ose 14.4 për qind në krahasim me fundvitin 2004. Kjo rritje i atribuohet jo vetëm bankave të mëdha të sistemit, por edhe bankave të mesme dhe të vogla.

Rritja e tepricës së kredisë evidentohet ne nivelin 10.1 miliardë lekë, disa herë më e madhe se rritja e tepricës së kredisë prej 2.5 miliardë lekësh në tremujorin e parë të vitit 2004. Ndërkohë, kredia e re e akorduar për tremujorin e parë është 5.9 miliardë lekë me pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Analiza e përbashkët e ecurisë së këtyre dy treguesve, shpjegon zhvendosjen e kreditimit nga afati i shkurtër në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë (bruto)", i cili vlerëson efektivitetin e administrimit të portofolit të kredisë, llogaritet 3.5 për qind nga 4.2 për qind në fundvitin 2004. Kjo rënie shpjegohet me ritmin rritës të portofolit të kredive (+14.4 për qind) kundrejt ritmit rënës të portofolit të kredive me probleme (- 4.1 për qind). Ekspozimi i kufizuar i sistemit bankar ndaj rrezikut të kreditit evidentohet dhe nga vlerat e ulëta madje në rënie të treguesit "kredi me probleme / tepricës së kredisë (neto)", i cili mat efektivisht madhësinë e këtij ekspozimi. Ky raport llogaritet 1.3 për qind, nga 1.4 për qind në fundvitin 2004.

Ndërkohë, aftësia e sistemit bankar për të mbuluar me kapital humbjet që rrjedhin nga kreditë reduktohet lehtë për tremujorin e parë si pasojë e ritmit më të lartë rritës të tepricës neto të kredisë me probleme (5.5 për qind), kundrejt ritmit rritës të kapitalit aksioner (2.2 për qind). Gjithashtu, ndarja e kredisë me probleme të sistemit sipas grupbankave dallon G2 si grupin me peshë kryesore.

Tremujori i parë i vitit 2005 tregon për një performancë mjaft të mirë të sistemit bankar. Rezultati neto raportohet rreth 1.440 milione lekë, i cili përllogaritet 522 milionë lekë më i lartë se tremujori i fundit i vitit 2004 dhe 233 milionë lekë më i lartë se tremujori i parë i vitit 2004. Rritja e fitimit ne vlerë absolute vjen jo vetëm si rrjedhojë e rritjes së aktiveve të sistemit (për shembull, aktivet mestare që sjellin interesa dhe totali i aktiveve janë rritur përkatesisht me rreth 6.5 për qind dhe 7 për qind ndaj fundit të vitit 2004 dhe tremujorit të parë të po këtij viti), por edhe te eficiencës më të mirë të sistemit bankar. Marzhi neto nga interesat (NIM) dhe kthimi nga aktivet mesatare(RoAA) kanë pësuar rritje ndaj periudhave të mëparshme në analizë.

Rezutati neto, është cilësisht më i mirë sesa ai tremujorit të kaluar, pasi ndikohet pozitivisht nga një element i qëndrueshëm sic janë të ardhurat më të larta nga interesat. Niveli më i ulët i të ardhurave nga veprimtaritë e tjera në krahasim me tremujorët e parë dhe të fundit të vitit 2004, edhe pse është dukshëm më i vogël, nuk përbën shqetësim pasi këto të ardhura janë burim jo i qëndrueshëm dhe për më tepër rezultojnë afër nivelit mesatar të vitit të kaluar.

Performanca e bankave për këtë tremujor paraqitet më e mirë se periudhat e kaluara. Fitimi është i shpërndarë më mirë ndërmjet bankave dhe grup bankave. Sipas grupbankave, në dallim nga tremujori i kaluar ku kontributin më të madh në rezultatin neto e dhanë bankat e G1, janë bankat e G3 si zakonisht ato që kanë dhënë kontributin kryesor me rreth 59 për qind dhe bankat e G2 me rreth 39 për qind.

Kthyeshmëria nga aktivet mesatare (RoAA) në bazë vjetore rezulton në nivelin 1.30 për qind. Treguesi në fjalë vlerësohet shumë i mirë, pak më i lartë në krahasim me një tremujor më parë si edhe më i lartë sesa e njëjta periudhë e vitit 2004. RoAA ka ndjekur një tendencë normale, afër me nivelin e fundit të vitit. Ky nivel, sipas parashikimeve që kemi bërë në analizën e kaluar pritet të jetë niveli me i qendrueshem i ketij treguesi edhe në të ardhmen e afërt. Megjithatë, krahasuar me nivelet mesatare (nga viti 2001 deri në 2004) të RoAA për vendet e Bashkimit Evropian (BE), niveli aktual i RoAA për sistemin bankar rezulton shumë i lartë (rreth tre herë më shumë), ndërsa krahasuar me nivelin e RoAA të sistemit bankar në Greqi për të njëjtën periudhë kohore si për vendet e BE-së, treguesi në fjalë rezulton të jetë mbi dy herë më i lartë. Kjo analizë krahasuese mendojmë se tregon që sistemi bankar në Shqipëri punon me marzhe të larta ndërmjetësimi dhe është ende në një proces ecjeje me hapësira zhvillimi të pashfrytëzuara plotësisht. Besojmë se në një të ardhme më afatmesme, prirja e treguesit të RoAA do të vijë në rënie, drejt niveleve të vendeve të BE-së.

Teknikisht, RoAA më e lartë për periudhën në shqyrtim krahasuar me fundin e vitit 2004, shpjegohet me ritmin pak më të lartë rritës të rezultatit neto, rreth 12.6 për qind (1) , ndaj 10.3 për qind që janë rritur aktivet mesatare ndërmjet dy periudhave.

Sipas grupbankave, analiza dallon bankat e G2 me treguesin e RoAA më të lartë (rreth 2.67 për qind), pasuar nga bankat e G3 (me 1 për qind) dhe bankat e G1 (me 0.62 per qind).

Edhe treguesi tjetër i rentabilitetit ROE vazhdon të ndjekë trendin e ROAA, rrjedhojë e fitimit më të lartë neto për periudhën si edhe e ritmit më të lartë rritës të tij ndaj rritjes prej rreth 7.5 për qind të kapitalit aksioner.

NIM (marzhi neto nga interesat) rezulton me një tendencë në rritje duke marrë në konsideratë vlerat e këtij treguesi për vitin 2004.Tendenca e NIM duket të jetë influencuar nga rënia e normave bazë të interesit në lekë, të cilat reflektohen më shpejt dhe më shumë në krahun e pasivit të bilancit të sistemit bankar dhe anasjelltas; nga rritja e të ardhurave prej interesit të portofolit të kredive (i dominuar nga kredidhënia në valutë) (2) , të cilat kanë një normë interesi më të lartë se investimet e tjera dhe kanë njohur rritje sidomos gjatë vitit 2004 dhe në vazhdim ; nga rritja e vëllimit të kredive dhe së fundi nga një qëndrueshmëri relative e aftësive të sistemit për të investuar në aktive që fitojnë interesa dhe mbledhjes së burimeve për të cilat paguhen interesa.

Krahasuar me nivelin e NIM për sistemin bankar në Greqi (2.73 për qind në shator 2004), niveli i NIM i sistemit tonë bankar rezulton të jetë dukshëm më i lartë. Ky fakt mbështet edhe njiherë marzhet e larta të ndërmjetësimit të bankave në Shqipëri, pasi NIM është një tregues shumë i rëndësishëm jo vetëm i rentabilitetit nga aktiviteti kryesor, por edhe i kostos së ndërmjetësimit në sistemin bankar.

Kapitali aksioner i sistemit shënon rritje modeste me rreth 572 milionë lekë në këtë tremujor. Në treguesin e sistemit, dallohet kontributi i grupit të bankave të mesme (G2) me rreth 391 milionë lekë dhe i grupit të bankave të vogla (G1) me rreth 247 milionë lekë në treguesin e sistemit, ndërkohë që grupi i bankave të mëdha (G3) shënon rënie rreth 66 milionë lekë.

Elementi kryesor i kapitalit aksioner - kapitali i paguar,- vazhdon të ruajë peshën kryesore (rreth 76 për qind) në kapitalin aksioner të sistemit dhe me një kontribut prej rreth 1.2 miliardë lekësh në këtë tremujor. Po kështu, ndikim të konsiderueshëm në treguesin e kapitalit aksioner të sistemit vazhdon të japë edhe niveli i fitimit të periudhës (rreth 1.4 miliardë lekë), ndërkohë që diferencat debitore të rivlerësimit, ndonëse njohin rënie, vazhdojnë të ndikojnë negativisht në kapital.

Për nga nivelet që shfaq raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, grupbankat e sistemit ruajnë të njëjtin pozicionim brenda sistemit si në fundvitin 2004. Grupi i bankave të vogla dallon nivelin më të lartë të treguesit (50 për qind), ndërkohë që dy grupbankat e tjera evidentojnë pothuaj nivele të përafërta të treguesit. Treguesi i mjaftueshmërisë për bankat e sistemit evidentohet mbi 12 për qind për të gjitha bankat, ndërsa janë tre banka në system, nivelet e mjaftueshmërisë të të cilave, në tremujorin e pare, i afrohen niveleve minimale të kërkuara.

Tremujori i parë i vitit shënon treguesin e aktiveve likuide ndaj totalit të aktiveve për bankat e sistemit në nivelin mbi 20 për qind. Treguesi në këtë nivel vleresohet shume i mire. Edhe treguesi i "aktive afatshkurtra / pasive afshkurtra" për sistemin evidentohet 100 për qind në këtë tremujor ose 3 pikë përqindjeje më i lartë se në fund të vitit 2004. Rritja e treguesit në këtë periudhë gjen shpjegim në rritjen me ritme pothuaj dy herë më të larta të aktiveve afatshkurtra (rreth 8 për qind ose 11.7 miliardë lekë) se pasivet afatshkurtra (të cilat shënojnë rritje rreth 4 për qind ose 6.6 miliardë lekë). Disa banka të sistemit ndonëse evidentojnë nivele të ulëta të treguesit, disponojnë nivele të kënaqshme të aktiveve likuide.

Së fundi, të dhënat e Bankës së Shqipërisë për likuiditetin gjatë tremujorit të parë të vitit, flasin për një situatë të karakterizuar nga tepricë likuiditeti, niveli mesatar i së cilës evidentohet pothuaj dy herë më i lartë se në tremujorin e fundit të vitit 2004. Ndikimin kryesor në rritjen e niveleve të likuiditetit në këtë periudhë e dha kthimi në sistem i parasë së dalë në fundvitin 2004 dhe ulja e emetimit të bonove të thesarit të qeverisë. Banka e Shqipërisë ndërhyri për tërheqjen e likuiditetit kryesisht me instrumentin kryesor të tregut (repo me maturim njëjavor me çmim fiks) dhe vetëm në një rast u perdorën instrumentet strukturore (repo me maturim njëmujor). Përdorimi i kufizuar i këtyre të fundit nxiti rritjen e konkurrencës në tregun primar të letrave me vlerë, e për rrjedhojë, rritjen e luhatshmërisë së vëllimit të tregtimit në tregun ndërbankar. Instrumentet e tregut të hapur u mbështetën edhe nga përdorimi i depozitës njëditore nga bankat, ndërkohë që teprica e likuiditetit dhe funksionimi i mirë i tregut ndërbankar, shmangën nevojën e përdorimit të kredisë njëditore.

(1) - Në fakt, krahasuar me rezultatin neto të tremujorit të fundit, rritja është shumë më e lartë sesa 12.6%. Por, për arsye të përllogaritjes së RoAA në terma vjetore mbi bazën e rezultatit faktik nga fillimi i vitit deri në periudhën kur kryhet analiza, rritja në këtë rast përllogaritet mbi bazën e treguesve mesatare të rezultateve neto për periudhat që krahasohen.

(2) - Interesi bazë i ekonomisë amerikane është rritur disa herë gjatë periudhës në analizë, ndërsa pëer Eurozonën ka mbetur i pandryshuar