BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 30 mars 2005

Data e publikimit: 31.03.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 30 mars 2005, pasi shqyrtoi propozimet e disa departameneve të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:

1. Uljen me 0.25 pikë përqindjeje e normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.

Pas këtij ndryshimi, norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes (repo) zbret në 5.0 për qind, duke shënuar një tjetër minimum historik që nga periudha e përdorimit të saj si instrumenti kryesor i zbatimit të politikës monetare. Lehtësimi i politikës monetare është konsistent me ruajtjen kushteve të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit si dhe ruajtjen e ekuilibrave kryesorë monetarë.

Vendimi për uljen e normës bazë të interesit mbështetet në ecurinë dhe pritshmëritë për nivele të kontrolluara të inflacionit dhe të treguesve monetarë. Inflacioni vjetor është luhatur brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë nëntë muajve të fundit, duke tentuar të zbresë në kufirin e poshtëm të intervalit objektiv gjatë muajve të fundit. Mungesa e presioneve të kërkesës agregate, prania e kufizuar e fenomeneve shock në inflacion si dhe zhvillimet pozitive në produktivitet dhe në kursin e këmbimit, kanë krijuar një ambient të qetë inflacionist.

Banka e Shqipërisë vlerëson se situata makroekonomike është e favorshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve edhe gjatë horizontit kohor afatmesëm. Tendencat aktuale dhe parashikimet tregojnë se niveli i inflacionit gjatë vitit 2005 do të tentojë të luhatet brenda objektivit 2-4 për qind të Bankës së Shqipërisë ndërkohë që ritmi i zhvillimit të ekonomisë do të jetë i ngjashëm me atë të viteve të shkuara. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë synon të marë një rol më aktiv në nxitjen e aktivitetit ekonomik duke patur parasysh edhe akomodimin e efekteve negative në ekonomi që mund të sjellë rritja e çmimit të naftës e vërejtur së fundi në tregjet ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, ulja e normës bazë të interesit synon të rrisë edhe më tej stimulin monetar, të akumuluar nga hapat lehtësues të politikës monetare të ndërmarë gjatë vitit të kaluar. Reduktimi i normës bazë të interesit pritet të ndikojë në uljen e normave të interesit të segmenteve të tregut financiar në lekë: të tregut ndërbankar; të tregun të depozitave në lekë; të tregun të bonove të thesarit; dhe të tregut të kredive në lekë. Ulja e normave të interesit do të nxisë kërkesën për kredi në lekë, duke rritur peshën e saj në kredi dhe duke krijuar kushte për përshpejtimin e ritmeve të saj në të ardhmen.

2. Rregulloren "Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike".

Zhvillimet teknologjike dhe konkurrenca që ekziston në veprimtarinë bankare, kanë nxitur dhe kanë mundësuar futjen e produkteve dhe të shërbimeve të reja bankare, të cilat po bëhen të pranueshme gjerësisht nga publiku. Këtu mund të përmenden përdorimi i kartave elektronike të pagesave, shërbimi i produkteve bankare nëpërmjet internetit etj.

Bankingu elektronik është një term përmbledhës për procesin sipas të cilit klienti mund të përfitojë shërbime tradicionale ose të reja bankare, duke përdorur rrugën elektronike dhe sistemet e komunikimit në distancë, pa qenë e nevojshme të paraqitet fizikisht në institucion.

Bankat mund t'i ofrojnë klientit të tyre që në distancë të njihet me gjendjen e llogarisë së tij, gjendjen e kartës së kreditit, faturat e paguara dhe transferimet e fondeve nëpërmjet llogarive, njohjen e bilancit të llogarive me çek dhe llogarive të kursimit, të kryejë pagesat e huasë hipotekare, të blejë instrumente të ndryshme financiare etj..

Megjithëse është një zhvillim komod, me përfitime të dyanshme si për bankën ashtu edhe për klientin, bankingu elektronik përmban në vetvete edhe mjaft rreziqe të cilat duhet të kuptohen dhe të kontrollohen. Prandaj, është hartuar rregullorja "Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike", e cila ka për qëllim përcaktimin e disa kërkesave dhe të disa parimeve, që mundësojnë vlerësimin e rrezikut në këtë veprimtari dhe minimizimin e tij.

Rregullorja përmban disa elemente, ku përfshihen kërkesat për:

  • kushtet organizative, kushtet në lidhje me stafin dhe ato teknike për realizimin e shërbimit bankar në rrugë elekronike;
  • kryerjen e verifikimeve nga ana e Bankës së Shqipërisë për shërbimin e-banking, si edhe
  • parimet e administrimit të rrezikut të veprimtarisë e-banking, ku Komiteti i Bazelit për mbikëqyrjen bankare kërkon që ky rrezik të njihet, të adresohet dhe të administohet nga institucionet bankare në një mënyrë të kujdesshme, duke marrë në konsideratë karakteristikat e veçanta të e-banking që lidhen me shpejtësinë e madhe të zhvillimit të teknologjisë dhe të shërbimit të klientit, praninë e zgjeruar dhe natyrën globale të rrjeteve elektronike, bashkëpunimin me palë të treta të jashtme etj..

E-banking është konceptuar si shërbimi në një formë të re, i veprimtarisë bankare që mund të bëjë pjesë në licencën e një banke.

Kjo rregullore do të jetë e detyrueshme për t'u zbatuar nga të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja që operojnë në Shqipëri 15 ditë pas botimit të saj në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

3. Vlerësimi i gjendjes financiare të sistemit bankar shqiptar për tremujorin e katërt të vitit 2004.

Gjatë vitit 2004 aktivet e sistemit bankar shënuan rritje me 52.8 miliardë lekë (ose 14.1 për qind), rreth 18.5 miliardë lekë më e lartë se rritja e aktiveve e evidentuar në vitin 2003. Megjithëse viti 2004 njohu hyrjen e një banke të re në treg, Banka Popullore, ndikimi i saj në rritjen e aktiveve të sistemit ishte vetëm 4 miliardë lekë. Kjo tregon se bankat në vend po prezantojnë ritme rritëse progresive nga njëri vit në tjetrin.

Tremujori i fundit i vitit 2004 prezantoi rritje të aktiveve për grupin e bankave G3 me 9 miliardë lekë në krahasim me tremujorin e tretë, për grupin G1 me 3.5 miliardë lekë, ndërsa grupi G2 shënoi rënie me 0.45 miliardë lekë. Sistemi bankar në vend vazhdon te jete i përqendruar ndaj bankave të mëdha (G3), këto të fundit përbëjnë 83 për qind të totalit të aktiveve të sistemit. Gjithsesi, duke marrë në konsideratë një tregues tjetër të përqendrimit, indeksin H (Herfindahl), i cili fokusohet mbi peshën specifike të secilës bankë, vlerat e tij në rënie flasin për reduktim të këtij fenomeni gjatë viteve.

Gjatë vitit 2004, teprica e kredisë së sistemit bankar shënoi rritje me 19.3 miliardë lekë ose 38 për qind në krahasim me fundvitin 2003. Kjo rritje i atribuohet jo vetëm bankave të mëdha të sistemit, por edhe disa prej bankave të grupit G1 dhe G2.

Tremujori i katërt dallon rritje të kredisë së re në krahasim me tremujorin e mëparshëm, megjithëse ky element është pakësuar me 3.6 miliardë lekë ose 12 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Faktor i këtij kufizimi është gjetja e mundësive të reja të investimit nga bankat e sistemit, sikurse janë "letrat e tjera me vlerë", të cilat sjellin norma të larta kthimi dhe vlerësohen me risk më të ulët se kreditimi.

Në lidhje me kontributin e grupbankave në rritjen e tepricës së kredisë për tremujorin e katërt evidentohen grupet G3 dhe G1 (respektivisht me 6.3 dhe 2 miliardë lekë), ndërkohë që ndikimi i grupit G2 llogaritet vetëm 0.98 miliarë lekë.

Pesha e kredisë afatshkurtër ndaj tepricës së kredisë rezulton 26.7 për qind nga 40.3 për qind në fundvitin 2003, ndërsa kredia afatmesme dhe ajo afatgjatë evidentojnë rritje respektivisht me 5.7 dhe 6.1 pikë përqindjeje ndaj tepricës së kredisë së sistemit bankar. Keto ndryshime strukturore te portofolit te kredive duket te flasin per nje tendencë në rritje të bankave për të financuar dhe mbështetur projektet për investime sesa nevojat për mjete qarkulluese të bizneseve duke kontribuar në këtë mënyrë më mirë në rritjen e ekonomisë.

Treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë (bruto)", i cili vlerëson efektivitetin e menaxhimit të portofolit të kredisë, llogaritet 4.2 për qind nga 4.6 për qind në fundvitin 2003. Kjo rënie shpjegohet me ritmin më të lartë rritës të portofolit të kredive, rreth 39% ndaj ritmit të përkeqësimit portofolit të kredive me probleme, rreth 25%. Pra, nga jashtë duket që përmirësimi i këtij treguesi vjen më tepër si rrejdhojë e influencës së elementit sasior sesa atij cilësor që ka të bëjë me ecurinë e portofolit të kredive me probleme.

Megjithë dominimin e kredisë në valutë, kredia në lekë prezanton rritje të lehtë të peshës së saj ndaj tepricës së kredisë (në 19.5 për qind nga 17.9 për qind në fundvitin 2003 (1). Nga analiza, rezulton se kredia në valutë, kur fluksi i të ardhurave të kredimarrësit është në lekë llogaritet 48 për qind e totalit të tepricës së kredisë dhe 63 për qind e tepricës së kredisë në valutë. Ndonëse, në pamje të parë, sistemi shfaqet i ekspozuar ndaj riskut indirekt të kreditit, skenarët hipotetikë që marrin në konsideratë nënçmimin e lek-ut rezultojnë në nje rënie te pakonsiderueshme te normës së mjaftueshmërisë së kapitalit per sistemin bankar.

Fitimi neto i sistemit bankar në fund të vitit 2004 është rreth 650 milionë lekë më i lartë se një vit më parë. Kjo performance e mirë mbështetet jo vetëm nga rritja e volumit të aktiveve dhe në përgjithësi aktivitetit të sistemit bankar, por edhe rritja e rentabilitetit.

Rentabiliteti i G1 rezulton të jetë më i larti nga të tre grupimet, në ndryshim nga renditja përgjatë vitit 2004, gjë që lidhet më tepër me elemente rastësore. Ndërsa rentabiliteti i G3 edhe pse më i ulët, por që vlerësohet i mirë, tregon për qendrueshmëri të tyre.

Së fundi, rritja e nivelit të treguesit të efikasitetit, apo përkeqësimi i tij, lidhet kryesisht me ndodhjen e ngjarjeve pozitive për sistemin, që kanë të bëjnë me përmirësime strukturore, zgjerim aktiviteti apo edhe rritje të konkurrencës.

Viti 2004 vazhdon të njohë rritje të mëtejshme të niveleve të kapitalit aksioner të sistemit duke shënuar këtë fundvit vlerën 26 miliardë lekë ose rreth 4 miliardë lekë më shumë se në fundvitin 2003. Treguesi i sistemit ndikohet kryesisht nga grupi i bankave të mëdha (G3) me rreth 2 miliardë lekë dhe bankave të vogla (G1) me rreth 1.2 miliardë lekë, ndërkohë që kontributi i bankave të mesme (G2) evidentohet vetëm 0.8 miliardë lekë.

Elementi kryesor i kapitalit aksioner - kapitali i paguar,- vazhdon të ruajë peshën kryesore (rreth 72%) në kapitalin aksioner të sistemit dhe me një kontribut prej 5 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë lekë më shumë se kontributi i tij në fundvitin 2003. Sistemit ju shtua një bankë e re gjatë vitit dhe disa banka rritën nivelet e kapitalit të paguar duke ndikuar pozitivisht në rritjen e niveleve të treguesit për sistemin. Gjithashtu, nivelet e konsiderueshme të fitimit ndikojnë pozitivisht në kapital (5.1 miliardë lekë), ndonëse efekti pozitiv i tyre zbehet nga efekti negativ i diferencave debitore të rivlerësimit (5 miliardë lekë) si rezultat i nëncmimit të dollarit kundrejt lekut.

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar në fundvitin 2004 evidentohet 21.6 për qind ose rreth 7 pikë përqindjeje më i ulët se në fundvitin 2003. Rënia e raportit të mjaftueshmërisë shpjegohet me ritmet më të larta të rritjes së aktiveve të klasifikuara sipas rrezikut (rreth 33 miliardë lekë ose 52 për qind) se ritmet e rritjes se kapitalit rregullator (rreth 3 miliardë lekë ose 15 për qind). Tremujori i fundit i vitit konsolidon tendencën në rënie të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit si rezultat kryesisht i rritjes së investimeve të bankave në aktivitete më me rrezik.

Analiza e mjaftueshmërisë së kapitalit sipas grupbankave të sistemit dallon grupin e bankave të vogla (G1) me rënie të ndjeshme të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit krahasuar me fundivitin 2003, ndonëse ky grup vazhdon të ruajë nivelin më të lartë të raportit te mjaftuesjmerise se kapitalit, nderkohë që dy grupbankat e tjera njohin rënie josinjifikuese të treguesit, por shënojnë nivele më të ulëta të tij. Rënia e ndjeshme e treguesit në G1 shpjegohet me rritjen e konsiderueshme të nivelit të kredidhënies kryesisht nga dy banka të grupit, ndërsa në grupin e bankave të mesme (G2) dhe të mëdha (G3) janë disa banka aktive në kredidhënie, të cilat vazhdojnë të kontribuojnë në nivelet më efektive të raportit te mjaftueshmerise se kapitalit.

Analiza e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat e sistemit vazhdon të dallojë për një bankë nivele të RMK shumë afër nivleve minimale të kërkuara, madje me tendencë në rënie, ndërkohë që bankat e tjera të sistemit ruajnë nivelet e mjaftueshmërisë së kapitalit mbi ato minimale të kërkuara (12 për qind).

Viti 2004 konsolidoi rritjen në vazhdimësi të aktivitetit të bankave me tendencë investimet më me rrezik, rritje kjo që shoqëroi tendencën në rënie të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, ndersa bankat e sistemit shfaqën nivele të mjaftueshmërisë së kapitalit mbi ato minimale të kërkuara (12 për qind).

Treguesit e likuiditetit dëshmuan edhe gjatë vitit 2004 një situatë të kënaqshme likuiditeti. Lehtësirat e ofruara nga Banka e Shqiperisë për likuiditetin krijuan mundësinë për thithjen e tepricave të likuiditetit nga bankat e sistemit si dhe plotësimin e nevojave për këtë të fundit. Në fund të periudhës që analizojmë, treguesi i aktiveve likuide ndaj totalit të aktiveve për bankat e sistemit ruan nivel të kënaqshëm (mbi 27 për qind). Në sistem dallojnë disa banka me nivele më të larta të treguesit te cilat gjejnë shpjegim në nivelet modeste të kredidhënies në aktivitetin e këtyre bankave.

Treguesi i aktiveve afatshkurtra ndaj pasiveve afshkurtra për sistemin evidentohet 97 për qind në këtë fundvit ose rreth 10 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me fundvitin 2003. Rënia e treguesit shpjegohet me rritjen me ritme më të larta të pasiveve afatshkurtra sesa aktivet afatshkurtra. Treguesi ndonëse njeh rënie vazhdon të ruajë nivel të kënaqshëm për sistemin (afër 100%) që flet për menaxhim të mirë të likuidtetit. Në sistem dallohen disa banka të cilat njohin vlera të ulëta të treguesit, por niveli i kënaqshëm i aktiveve likuide në totalin e aktiveve të tyre nuk i ekspozon këto të fundit ndaj riskut të likuiditetit.

Së fundi, sipas testimit hipotetik të aftësisë së sistemit bankar për të thithur humbje që mund të shkaktohen nga situata shock, rrjedhojë e zhvillimeve të padëshirueshme të disa treguesve të caktuar, evidentohen banka të veçanta me pamjaftueshmëri kapitali. Megjihtëkëtë, perspektiva e rritjes së niveleve të kapitalit minimal të kërkuar deri në 1 miliardë lekë në periudhën afatmesme 2005-2008 vlerësohet si një masë paraprake mbrojtëse për tërë sistemin bankar në të ardhmen.

(1) - Për rrjedhojë, në fundvitin 2004 pesha e kredisë në valutë llogaritet 80.5 për qind nga 82.1 për qind një vit më parë

4. Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës u miratuan Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2004 dhe disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.