BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 31 tetor dhe 1 nëntor 2005

Data e publikimit: 02.11.2005

 

Në mbledhjen e zhvilluar në datat 31 tetor dhe 1 nëntor 2005 Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi shqyrtoi raportin e paraqitur prej Departamentit të Politikave monetare të Bankës së Shqipërisë vendosi të miratoj :

  • Opinionin e Bankës së Shqipërisë "MBI GJENDJEN E EKONOMISË NË TREMUJORIN E TRETË TË VITIT 2005".

Materiali i plotë do të publikohet në Buletinin Zyrtar dhe në Faqen e Internetit të Bankës së Shqipërisë, në këtë njoftim po pasqyrojmë vetëm fjalën e Guvernatorit.

FJALA E GUVERNATORIT

Nëntë muajt e parë të vitit 2005 kanë paraqitur një tablo pozitive në drejtim të rritjes ekonomike dhe të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Aktiviteti ekonomik ka lëvizur përgjithësisht brenda trajektores së parashikuar nga programi i zhvillimit të vendit. Ky vlerësim mbështetet në një sërë treguesish, si: rritja e dukshme e vëllimit të shitjeve; rritja e të ardhurave tatimore; zgjerimi i eksporteve; ulja e normës së papunësisë dhe zgjerimi i punësimit. Një zhvillim i spikatur i vitit 2005, i cili ka dhënë kontributin e tij në rritjen e aktivitetit ekonomik, është mbështetja më e mirë e ekonomisë me kredi nga sistemi bankar. Pjesa më e madhe e këtij kreditimi ka shkuar për financimin e aktiviteteve prodhuese dhe të tregtisë. Ekonomia është favorizuar edhe nga politika monetare neutrale e Bankës së Shqipërisë, e cila ka kontribuar në ruajtjen e normave të interesit në nivele të ulëta historike.

Duke u bazuar në të dhënat që kemi në dispozicion, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia ka shenja të dukshme rritjeje gjatë nëntëmujorit të parë. Në veçanti, aktiviteti ekonomik ka patur një hop të dukshëm gjatë tremujorit të dytë, duke treguar gjallërim të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Në vijim të dinamikave tashmë të konsoliduara të ekonomisë shqiptare, zgjerimi i prodhimit është mbështetur kryesisht në sektorët "Energji elektrike, ujë dhe gaz", "Transport dhe telekomunikacion" dhe "Ndërtim". Në fund të muajit qershor, norma e papunësisë arriti vlerën 14.3 për qind, duke shënuar një ulje prej 0.5 pikësh përqindjeje ndaj një viti më parë. Sipas INSTAT, në harkun kohor të një viti ekonomia shqiptare ka krijuar 13.4 mijë vende të reja pune në sektorin privat, i cili vazhdon të mbetet motorri i rritjes ekonomike.

Bilanci i pagesave ka paraqitur një rezultat pozitiv prej 11 milionë eurosh deri në muajin qershor. Hyrjet e kapitalit kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar deficitin korent, i cili arriti në rreth 145 milionë euro, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Deficiti në tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve ka qenë burimi kryesor i deficitit korent. Llogaria kapitale dhe financiare ka regjistruar hyrje neto prej rreth 197 milionë eurosh, ndërkohë që rezervat valutore të autoritetit monetar janë rritur me rreth 7 milionë euro gjatë kësaj periudhe. Ashtu si dhe më parë, deficiti i lartë tregtar financohet në pjesën më të madhe nga hyrjet korente në formën e të ardhurave nga emigrantët, si edhe nga hyrjet kapitale dhe financiare në formë grantesh, borxhi qeveritar dhe privat, dhe investimet direkte.

Rritja ekonomike është favorizuar nga ambienti i qëndrueshëm makroekonomik, i shprehur në inflacion të ulët, respektim të vlerave të programuara të deficitit buxhetor dhe një situatë monetare nën kontroll. Inflacioni vjetor në fund të muajit shtator arriti në 3.1 për qind, praktikisht pika e mesit të objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa inflacioni mesatar vjetor është luhatur rreth kufirit të poshtëm të këtij objektivi. Në përgjigje të zhvillimeve ekonomike dhe monetare, presionet dhe pritjet inflacioniste mbeten nën kontroll edhe për periudhën e ardhme. Norma e inflacionit gjatë tremujorit të tretë është kushtëzuar nga kontributi i grupeve "Ushqime dhe pije joalkolike" e "Transport". Tremujori i tretë i vitit u karakterizua nga rritja e ndjeshme e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke përbërë një sfidë reale ndaj aktivitetit ekonomik në nivel botëror. Megjithatë, e amortizuar nga mbiçmimi i kursit të këmbimit, rritja e çmimeve në tregun vendas ka qenë pothuaj dy herë më e ulët. Pesha e ulët e karburanteve në shportën e mallrave të konsumit në Shqipëri, ka bërë që ndikimi i saj në inflacion të jetë i vogël ndërsa nuk vihet re ende rritje e kostove të produkteve si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve.

Konsolidimi i stabilitetit makroekonomik ka ndihmuar kontrollin e presioneve inflacioniste. Treguesit kryesorë të programit buxhetor janë respektuar në tërësinë e tyre. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, deri në fund të muajit shtator, janë mbledhur 97.5 për qind e të ardhurave të planifikuara dhe është realizuar rreth 96.4 për qind e shpenzimeve të programuara. Po kështu, deficiti buxhetor dhe financimi i brendshëm i tij, kanë qenë përgjithësisht brenda parashikimit. Gjithsesi, gjatë tremujorit të tretë, si pasojë e një procesi të gjatë paselektoral, u vu re një ngadalësim i fluksit të të ardhurave, ndërkohë që nga ana tjetër, kjo periudhë është shoqëruar me përqendrimin e huamarrjes së qeverisë i cili, ndonëse ka respektuar kufijtë vjetorë, ka krijuar vështirësi në administrimin e situatës së likuiditetit. Banka e Shqipërisë vlerëson se forcimi i administrimit fiskal si dhe respektimi i kritereve të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, duhet të mbeten një përparësi konstante e politikës fiskale.

Zhvillimet makroekonomike dhe qëndrueshmëria e inflacionit në nivele të ulta janë favorizuar edhe nga situata monetare. Pas uljes së fundit të normës bazë të interesit në muajin mars, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare neutrale. Gjatë tremujorit të tretë është vënë re një ngadalësim i ritmit të rritjes së ofertës monetare, përkundrejt rritjes së shpejtë të saj në gjysmën e parë të vitit. Norma e rritjes vjetore të agregatit M3 në muajin gusht, zbriti në 15.4 për qind, nga 18.3 për qind që ishte në fund të muajit qershor. Nën ndikimin e ngushtimit të diferencës së normave të interesit midis lekut dhe valutës dhe rritjes sezonale të hyrjeve valutore ne formën e remitancave, struktura e ofertës monetare është zhvendosur drejt depozitave në valutë, ndërkohë që struktura kohore ka rezultuar relativisht e qëndrueshme. Ecuria e mjeteve valutore neto të sistemit bankar në muajin gusht paraqitet e kënaqshme, me një rritje prej 112.7 milionë usd krahasuar me muajin qershor. Deri në muajin gusht, teprica e kredisë është rritur me rreth 31 miliardë lekë; rritje kjo rreth 60 për qind më e lartë se rritja e tepricës së kredisë për gjithë vitin 2004. Aktiviteti i vrullshëm i kreditimit është shoqëruar me përmirësimin e të gjithë treguesve të kredisë; raporti i saj ndaj parasë gjithsej ka arritur në nivelin 18 për qind, ndërkohë që pesha e kredisë në PBB ka kapur vlerën 11.8 për qind.

Rritja e kredisë për ekonominë, financimi i përqendruar i deficitit buxhetor dhe ngadalësimi i fluksit të depozitave, kanë sjellë rënien e likuiditetit të sistemit bankar gjatë tremujorit të tretë, duke kontribuar në rritjen e presioneve mbi yield-in e bonove të thesarit. Në kushtet e një tregu bankar të privatizuar dhe një tregu relativisht të pazhvilluar të bonove të thesarit, yield-i i bonove të thesarit pësoi një rritje, e cila nuk ka qenë në përputhje me situatën dhe faktorët bazë makroekonomikë. Për administrimin e kësaj situate, Banka e Shqipërisë vlersoi me kujdes kuadrin e saj operacional si dhe pozicionin e parashikuar të saj në tregun valutor, duke synuar ruajtjen e ekuilibrave monetarë. Gjatë muajit korrik, Banka e Shqipërisë ndryshoi kahun e operacioneve monetare, me qëllim plotësimin e nevojave afatshkurtra të sistemit për likuiditet, nëpërmjet kryerjes së repove të anasjellta.

Plotësimi i nevojave të përkoshme të tregut me likuditet si dhe financimi i deficitit buxhetor nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet kredive direkte afatshkurtra për qeverinë, kishin si qëllim zbutjen e presionin mbi normat e interesit të bonove të thesarit, me theks të veçantë në frenimin e rritjes së tyre. Ndërkohë, gjysma e dytë e muajit tetor është shoqëruar me normalizim të situatës dhe uljen e yield-it të bonove të thesarit. Si pasojë e ngushtimit të diferencës së normave të interesit gjatë këtij viti, prurjet valutore të emigrantëve kanë gjetur rrugën në sistemin bankar kryesisht në formën e depozitave në valutë. Në prani të një regjimi fleksibël të kursit të këmbimit, kjo dukuri ka kufizuar hapësirat për praninë sezonale të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Aktiviteti karakteristik i Bankës së Shqipërisë në tregun valutor gjatë fundit të verës, ka qenë i kufizuar gjatë këtij viti. Këta faktorë kanë çuar në shmangien e përkohshme të disa treguesve monetarë nga vlerat e parashikuara. Duke përgjithësuar zhvillimet monetare të verës së vitit 2005, mund të konkludohet se administrimi i situatës monetare nga Banka e Shqipërisë ka qenë i efekshëm dhe kjo vërtetohet nga përmirësimi i situatës së likuiditetit të sistemit në muajt shtator-tetor dhe zbutja e presioneve mbi normat e interesit.

Megjithë zhvillimet përgjithësisht pozitive të nëntëmujorit të parë, ekonomia shqiptare ka përpara saj disa sfida të karakterit strukturor, zgjidhja e të cilave do të përbënte një kontribut të ndjeshëm në konsolidimin e ritmeve të rritjes ekonomike. Situata e rënduar energjitike përbën një problem konstant për ekonominë shqiptare. Intensiteti i kësaj krize dhe ndjeshmëria e bizneseve shqiptare ndaj saj, mund të kushtëzojnë edhe realizimin e objektivit të rritjes ekonomike prej 6 për qind për vitin 2005. Situata bëhet më problematike në prani të shtrenjtimit të çmimit të karburanteve dhe të shtrenjtimit të çmimit të energjisë në rajon. Kombinimi i këtyre faktorëve mund të përbëjë një rrezik potencial, i cili mund ta shtrijë ndikimin e vet edhe për vitin e ardhshëm.

Në këtë kontekst, duke hedhur vështrimin në të ardhmen, Banka e Shqipërisë vlerëson se duhet punuar për zgjidhje të qëndrueshme të këtij problemi, për të minimizuar në maksimum varësinë e ekonomisë sonë ndaj faktorëve subjektive përfshirë edhe kushtet atmosferike. Përmirësimi i klimës së biznesit në vend kërkon, ndër të tjera, zbatimin e projekteve që lidhen me shtimin e burimeve alternative energjitike në vend.

  • Këshilli Mbikëqyrës, në këtë mbledhje analizoi pasqyrat financiare dhe realizimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për periudhën nëntëmujore të vitit 2005; miratoi disa përmirësime në strukturat organizative dhe mori disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.