BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 4 prill 2007

Data e publikimit: 04.04.2007

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 4 prill 2007, pasi analizoi zhvillimet më të fundit monetare dhe në inflacion, vendosi : të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 5.50 për qind.

Inflacioni vjetor rezultoi 2.9 për qind në muajin shkurt 2007, duke qenë mjaft afër normës së synuar nga Banka e Shqipërisë. Inflacioni vjetor i muajit shkurt ishte i njëjtë me inflacionin e muajit janar, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor pësoi një rritje të lehtë në nivelin 2.6 për qind. Çmimet e konsumit u rritën me 0.5 për qind gjatë muajit shkurt, duke shënuar të njëjtin kah dhe intensitet sezonal me atë të muajve shkurt të dy viteve paraardhës. Ky muaj nuk është karakterizuar nga goditje të paparashikuara nga ana e ofertës ose e kërkesës.

Zhvillimet monetare në muajin janar janë karakterizuar nga reduktimi sezonal i kërkesës për mjete monetare, i shkaktuar nga reduktimi i kërkesës së qeverisë dhe ekonomisë. Sipas të dhënave paraprake, përbërësit më likuidë të ofertës monetare, paraja jashtë bankave dhe baza monetare, kanë qëndruar në nivele pothuajse të njëjta gjatë muajit shkurt. Teprica e kredisë për ekonominë, në muajin janar 2007 shënoi 194.4 miliardë lekë ose 3.2 miliardë lekë më shumë se një muaj më parë. Në terma vjetorë, kredia u rrit me 55.8 për qind, duke arritur në 21.5 për qind të PBB-së.

Në muajin shkurt, janë evidentuar raste të uljes së normave të interesit, si pasojë e disbalancës së krijuar midis kërkesës dhe ofertës për likuiditetit. Banka e Shqipërisë ka tërhequr mesatarisht çdo javë rreth 7.1 miliardë lekë, nëpërmjet ankandeve të repove njëjavore me çmim fiks. Gjithashtu, për tërheqjen afatgjatë të likuiditetit, Banka e Shqipërisë organizoi edhe ankande repo afatgjata.

Gjatë muajit shkurt dhe fillimit të muajit mars, leku ka qenë përgjithësisht i stabilizuar, me tendenca nënçmuese kundrejt euros dhe mbiçmuese kundrejt dollarit.

Duke u nisur nga vlerësimet e situatës ekonomike dhe asaj monetare, dhe veçanërisht nga zhvillimet aktuale dhe të pritshme në inflacion, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin, 5.50 për qind.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë vigjilente ndaj të gjitha rreziqeve të mundshme, materializimi i të cilave në muajt në vijim, do të ndikonte në përshpejtimin e inflacionit. Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë do monitorojë me kujdes të gjithë zhvillimet e ardhshme: në ekonomi, në raportet e kërkesës dhe të ofertës për mjete monetare, në treguesit fiskalë, si dhe në ecurinë e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare.

Kjo ndjekje e kujdesshme do të mundësojë ndërmarrjen e veprimeve të duhura në funksion të përmbushjes së objektivit kryesor, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.


* * *

Në këtë mbledhje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi rregulloren "Për Fondin e Pensionit Suplementar të Bankës së Shqipërisë" dhe procedurën e prokurimit, për blerjen e programit dhe të pajisjeve kompjuterike për krijimin e Regjistrit të Kredive. Ai gjithashtu, shqyrtoi disa informacione që kanë të bëjnë me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.