BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 8 qershor 2005

Data e publikimit: 09.06.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 08 qershor 2005, pasi shqyrtoi propozimet e disa departameneve të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë:

1. Opinionin e Bankës së Shqipërisë "Mbi gjendjen e ekonomisë gjatë tremujorit të parë të vitit 2005".

Fjala e Guvernatorit

Muajt e parë të vitit 2005, edhe pse në kushtet e të dhënave jo të plota, duket se kanë ruajtur ritmet e verifikuara kohët e fundit. Tremujori i parë i vitit 2005 vlerësohet se ka mbajtuar të pandryshuara raportet kryesore makroekonomike të pranishme në tremujorët e fundit. Kjo na jep mundësinë për të gjykuar se ekonomia shqiptare, për pjesën tjetër të vitit 2005, pritet të vazhdojë konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik të vendit, në përputhje me objektivat e përcaktuara në programin afatmesëm të zhvillimit të vendit 2005 - 2007.

Më konkretisht, synohet një rritje ekonomike e qëndrueshme rreth nivelit 6 për qind, një normë vjetore e inflacionit brenda intervalit 2 - 4 për qind, një nivel i mjaftueshëm rezervash valutore dhe një ngushtim i mëtejshëm i deficitit të llogarisë korente. Rritja ekonomike për vitin 2005 pritet të mbështetet kryesisht nga rritja në sektorin e shërbimeve, të ndërtimit dhe më tej nga rritja në sektorët e transportit, bujqësisë dhe industrisë.

Të ardhurat buxhetore gjatë vitit 2005 pritet të shënojnë një rritje vjetore prej rreth 12 për qind në krahasim me vitin 2004, duke ruajtur të njëjtin nivel relativ ndaj PBB-së (22.5 për qind). Nga ana tjetër, në kryerjen e shpenzimeve publike synohet rritja e eficiencës dhe financimi më i mirë i sektorëve dhe i programeve prioritare. Vazhdimi i reformave në administratën tatimore dhe doganore, si pjesë e reformave strukturore të vendit, i shoqëruar me përpjekjet për të kufizuar shtrirjen e ekonomisë joformale do të rrisë nivelin e të ardhurave buxhetore dhe do të krijojë mundësi për rritjen e shpenzimeve sidomos në sektorët kryesorë të ekonomisë.

Objektivi strategjik afatmesëm i politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë është mbajtja e normës së inflacionit në nivele të ulëta pozitive. Normat e ulëta pozitive të inflacionit sigurojnë qëndrueshmëri në tregje dhe mbështesin rritjen ekonomike. Edhe për vitin 2005, objektivi për inflacionin, shprehet në ruajtjen e normës vjetore të rritjes së indeksit të çmimeve të konsumit, të matur dhe të publikuar nga INSTAT, brenda intervalit 2-4 për qind. Duke u nisur nga parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2005, nga objektivi i Bankës së Shqipërisë për normën e inflacionit, si dhe nga tendencat e zhvillimeve monetare, Banka e Shqipërisë do të synojë të kontrollojë rritjen e ofertës monetare në nivelin 9.8 për qind për vitin 2005. Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ruajë një regjim luhatës të kursit të këmbimit. Zhvillimet makroekonomike dhe ecuria e normës së inflacionit kanë mbështetur zbutjen e mëtejshme të politikës monetare pas uljes së normës bazë në fund të vitit 2004. Presionet nga ana e kërkesës kanë patur tendenca zbehjeje, duke balancuar pothuajse plotësisht efektet e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe të çmimeve të administruara në vend. Zbutja e presioneve inflacioniste është reflektuar në norma inflacioni të ulëta në muajt e parë të vitit. Gjithashtu, parashikimet për inflacionin në muajt e ardhshëm tregojnë se presionet inflacioniste do të mbeten të dobëta në gjysmën e parë të vitit. Në këto kushte, në fund të muajit mars, Banka e Shqipërisë, uli me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e çuar atë në nivelin më të ulët historik prej 5 për qind. Sistemi bankar e ka reflektuar këtë ulje në uljen e normave të interesit të depozitave, të bonove të thesarit në lekë dhe, në një masë më të vogël, në rënien e normave të interesit të kredisë në lekë.

Zhvillimet e deritanishme në çmimet e konsumit kanë treguar se niveli i përgjithshëm i çmimeve gjatë vitit 2004 dhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2005 është kushtëzuar në mënyrë të ndjeshme nga ecuria e çmimeve të mallrave ushqimorë, nga rritja e çmimit të administruar të energjisë elektrike si edhe nga zhvillimet në kursin e këmbimit. Çmimet në rënie të produkteve ushqimore, të shkaktuara nga rritja e ofertës së prodhimit bujqësore, kanë ushtruar presione në rënie mbi normën vjetore të inflacionit që nga muaji maj i vitit 2004. Rënia në bazë vjetore e çmimeve të këtyre produkteve është regjistruar edhe në tremujorin e parë të vitit 2005, gjë që nuk është karakteristike për këtë periudhë të vitit. Rritja në muajin janar e çmimit të energjisë elektrike, bëri që të rritej inflacioni i grupit përkatës si edhe inflacioni vjetor total i këtij muaji. Deri në momentin e shuarjes së efektit të rritjes së çmimit, pra deri në janar të vitit 2006, pritet që kontributi i rritjes së çmimit të energjisë të mbetet në nivelin 2.4-2.5 pikë përqindjeje. Nga ana tjetër, rritja e çmimit të naftës nuk ka shkaktuar rritje të ndjeshme të inflacionit për shkak të peshës së vogël të grupit ‘transport' në shportën e konsumit dhe të efektit pozitiv të forcimit të lekut kundrejt dollarit amerikan. Gjatë vitit 2005, politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të synojë të stimulojë aktivitetin ekonomik nëpërmjet nxitjes së investimeve nga ana e sektorit privat, pa cënuar përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe stabilitetin financiar të sistemit në të ardhmen.

Gjatë vitit 2005, politikat makroekonomike do të fokusohen edhe në zhvillimet në sektorin e jashtëm dhe sidomos në ecurinë e deficitit të llogarisë korente, i cili për vitin 2004 qëndronte në nivelin 5.3 për qind të PBB-së. Deficiti korent ndaj PBB-së ka ardhur në rënie gjatë tre viteve të fundit. Arritja e objektivit për ngushtimin e deficitit korent gjatë vitit 2005, mund të vështirësohet si pasojë e lëvizjeve në kursin e këmbimit, ndërkohë që pozicioni i përgjithshëm i bilancit të pagesave do të vazhdojë të jetë i lidhur ngushtë me financimin nëpërmjet të ardhurave nga privatizimi. Një sinjal pozitiv i marrë nga viti 2004 ishte qëndrueshmëria relative e importeve, megjithë forcimin e lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan përgjatë pjesës më të madhe të vitit. Nga ana tjetër, eksportet shqiptare janë rritur me ritme më të shpejta se importet, duke treguar rritje të lehtë kompetitiviteti në tregun europian. Viti 2005 ka filluar me një pozicion të shëndoshë të rezervave valutore, të cilat mbulojnë 5.2 muaj importe mallrash dhe shërbimesh diçka më shumë se objektivi ynë për fundin e vitit.

Në tërësi, viti 2005 parashikohet të jetë një tjetër vit zhvillimi për ekonominë shqiptare. Rritja e të ardhurave tatimore dhe rritja e kreditimit të ekonomisë gjatë tremujorit të parë të vitit tregojnë për një ecuri pozitive të aktivitetit ekonomik. Stabiliteti i treguesve monetarë, kushtet e favorshme financiare në ekonomi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i sistemit bankar do të nxitin më tej këtë aktivitet gjatë vitit 2005, duke bërë të mundur shfrytëzimin më të plotë të potencialit financiar të ekonomisë shqiptare. Banka e Shqipërisë gjykon se është momenti i duhur për autoritetet politike të kapitalizojnë mbi këtë moment, duke ruajtur ritmin e reformave strukturore dhe duke hartuar politika e strategji konkrete zhvillimi. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ketë në fokusin e saj hartimin dhe ndjekjen e politikave monetare të përshtatshme për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin e sistemit financiar sipas standardeve më të përparuara.

Materiali i plotë do të publikohet në Buletinin Zyrtar dhe në Faqen e Internetit të Bankës së Shqipërisë.

2. Rregulloren "Për mbikëqyrjen e shoqërive të kursim - kreditit dhe të unioneve të tyre"

Rregullorja e re "Për mbikëqyrjen e shoqërive të kursim kreditit dhe unioneve të tyre" merr në konsideratë zhvillimet cilësore të institucioneve të mikrofinancës. Ato po sigurojnë produkte dhe shërbime të vërteta bankare për atë pjesë të popullsisë më të ardhura relativisht të vogla apo që është vendosur në zonat rurale ku shërbimet e vërteta bankare ende nuk mbërrijnë.

Në krahasim me rregulloren ekzistuese, rregullorja e miratuar krijon mundësinë që këto institucione të japin kredi në disa valuta të huaja, të tilla si Euro, USD, SFR, GBD. Ky ndryshim konsiderohet i rëndësishmë pasi këto insitucione kanë mundësi më të madhe për të siguruar burime shtesë për financim: nëpërmjet anëtarëve të tyre (emigracioni) si dhe nëpërmjet donacioneve apo kredive me terma të buta ose tregtarë.

Gjithashtu, në këtë rregullore parashikohet edhe rishikimi dinamik i politikave kredituese pa cënuar cilësinë e portofolit duke pranuar rast pas rastit dhe ristruktirimin e kredisë. Kjo rregullore së bashku me vendimin përkatës të Këshillit Mbikëqyrës për sistemin raportues sistemon përfundimisht përmbajtjen e sistemit raportues dhe frekuencën e raportimit.

Rregullorja e miratuar "Për mbikëqyrjen e shoqërive të kursim kreditit dhe unioneve të tyre" do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

3. Miratimin e transferimit të 100 për qind të aksioneve të Bankës Dardania sh.a. tek aksioneri "Fonds der Republik von Kosova" në Gjermani.

Banka Dardania është licencuar nga Banka e Shqipërisë me licencën nr.5/1998, date 11.01.1999 për kryerjen e veprimtarive të përcaktuara në pikën 3 të nenit 26 të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë".

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, bazuar në kërkesën e Bankës Dardania mori vendimin për miratimin e transferimit të të gjitha aksioneve të kësaj banke tek aksioneri kryesor aktual "Fonds der Republik von Kosova".

Pas miratimit të këtij ndryshimi Fond der Republik Kosova Gjermani është zotërues i 100 për qind të aksioneve të Bankës Dardania.

4. Në këtë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës u bënë dhe disa ndryshime në rregulloren "Për mjaftueshmërinë e kapitalit" dhe në udhëzimin "Për kapitalin rregullator të bankave", si dhe u shqyrtuan disa informacione që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.