BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 26 korrik 2006

Data e publikimit: 27.07.2006

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 26 korrik 2006, me propozimin e Departamentit të Politkës Monetare mori në shqyrtim dhe miratoi :

1. Deklaratën e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2006.

Stabiliteti ekonomik i brendshëm dhe ecuria pozitive e ekonomisë botërore, kanë krijuar kushte të përshtatshme për zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2006. Të dhënat e para ekonomike të vitit 2006 tregojnë se ekonomia shqiptare i ka lënë pas pasojat e situatës së rënduar energjitike dhe po ndjek trajektoren e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike. Duke filluar nga viti 2005, rritja ekonomike është nxitur kryesisht nga forcimi i kërkesës së brendshme, e cila po mbështetet gjithnjë e më shumë nga kredia për ekonominë.

Ekonomia botërore gjatë gjysmës së parë të vitit 2006 ka treguar një ritëm të lartë rritjeje ekonomike. Nisur nga këto zhvillime pozitive, vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare parashikojnë se ekonomia botërore do të rritet mesatarisht me 4 për qind, gjatë vitit 2006. Në veçanti, spikat fakti se edhe rajonet deri tani problematike, Eurozona dhe Japonia, kanë treguar një rritje të kënaqshme ekonomike. Eurozona ka regjistruar një rritje prej 1.9 për qind. Besimi konsumator dhe tregu i punës tregojnë stabilitet dhe pritshmëri optimiste. Ecuria e kënaqshme ekonomike dhe rigjenerimi i kërkesës së brendshme kanë ndikuar në zbutjen e efektit të rritjes së çmimeve të naftës për periudhën në vazhdim. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara është zhvilluar me ritme veçanërisht të larta gjatë tremujorit të parë të këtij viti, si pasojë e nivelit të lartë të kërkesës së brendshme dhe të shpenzimeve konsumatore.

Megjithatë, mjedisi ekonomik botëror përmban edhe elemente shqetësuese, jo vetëm për rritjen ekonomike botërore por edhe për ecurinë e këtij treguesi në Shqipëri. Në veçanti, çmimi i naftës vazhdon të jetë në nivele historikisht të larta, pjesërisht si pasojë e rritjes së lartë ekonomike dhe pjesërisht si pasojë e problemeve me rrjetin e furnizimit. Rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar është pasqyruar edhe në tregun vendas gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Forcimi i lekut ndaj dollarit amerikan në tremujorin e parë ka përmbajtur presionet për rritje të çmimit të naftës në vend. Ndërkohë që, gjatë tremujorit të dytë efekti zbutës i kursit të këmbimit ka qenë më i dobët. Politikat monetare të bankave kryesore qendrore kanë patur një natyrë të qartë shtrënguese, në përgjigje të rritjes së presioneve inflacioniste përballë rritjes së fortë ekonomike. Në Shqipëri, ky shtrëngim është reflektuar në rritjen e normave të interesit të aseteve financiare në valutë, me rrjedhoja të rëndësishme për kushtet e kreditimit të ekonomisë duke e bërë atë më të shtrenjtë.

Ekonomia e brendshme është zhvilluar me ritme të kënaqshme, gjatë pjesës së parë të këtij viti. Duke gjykuar në tërësi treguesit që disponojmë, rritja PBB-së me 5.0 për qind gjatë vitit 2006 konsiderohet një objektiv i arritshëm, madje edhe i tejkalueshëm. Kështu, rritja vjetore e nivelit të shitjeve për ekonominë në tremujorin e parë, rezultoi rreth 18 për qind. Kjo rritje ka qenë më e lartë se sa normat e regjistruara në vitet e fundit për këtë periudhë të vitit. Një ecuri e tillë është mbështetur edhe nga rritja e shpejtë e kredisë për ekonominë. Në terma relativë, kredia është rritur me 2.5 pikë përqindjeje ndaj PBB-së gjatë pesë muajve të parë të vitit, duke siguruar një nxitje të fortë monetare për zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend. Nga vlerësimet e deritanishme, sektorët të cilët kanë përfituar më shumë nga rritja ekonomike kanë qenë sektorët e industrisë, veçanërisht industria përpunuese dhe sektori i tregtisë, hoteleve dhe restoranteve. Megjithë ngadalësimin në 6 për qind të ritmit vjetor të rritjes së shitjeve në tremujorin e parë, sektori i ndërtimit ka patur ecuri të kënaqshme. Ai mbetet ende një burim i qëndrueshëm për rritjen ekonomike.

Norma e papunësisë gjatë tremujorit të parë të këtij viti ka shënuar një rënie nga 14.2 në 14.0 për qind, si pasojë e uljes së numrit të të papunëve me 4 mijë vetë. Në këtë ndryshim kanë ndikuar përpjekjet e organeve shtetërore për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë, si edhe një regjistrim më i saktë i të papunëve. Struktura e të punësuarve sipas sektorëve shtetëror e privat të ekonomisë, nuk ka pësuar ndryshime krahasuar me periudhën paraardhëse.

Deficiti i llogarisë korente është thelluar në tremujorin e parë të këtij viti në krahasim me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ky thellim ka ardhur si pasojë e rritjes së deficitit në bilancin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve. Karakteristikë e këtij tremujori krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2005, është rritja më e shpejtë e importeve në raport me rritjen e eksporteve, që kanë mbuluar rreth 28 për qind të vëllimit të importit. Ecuria e dërgesave të emigrantëve ka vazhduar të jetë e qëndrueshme edhe gjatë kësaj periudhe. Këto flukse hyrëse janë rritur me rreth 20 për qind, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2005.

Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur një politikë fiskale të kujdesshme janë reflektuar në ecurinë e përgjithshme të treguesve të buxhetit. Kjo është pasqyruar kryesisht në rritjen e të ardhurave buxhetore, ndërkohë që niveli i shpenzimeve publike, dhe veçanërisht zëri i investimeve, ka qenë nën nivelin e planifikuar për pesëmujorin e parë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat janë rritur me 13 për qind, ndërsa shpenzimet janë ulur me 8 për qind. Si pasojë, pesëmujori i parë i këtij viti ka regjistruar suficit të vazhdueshëm buxhetor. Programi buxhetor i rishikuar për pjesën e mbetur të vitit, vendos objektiva ambiciozë në drejtim të rritjes së investimeve publike dhe uljes së barrës tatimore për bizneset. Realizimi i tyre do të ishte një zhvillim i dëshirueshëm për krijimin e një infastrukture të qëndrueshme për rritjen ekonomike dhe nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja. Gjithashtu, gjykojmë se duhen bërë më shumë përpjekje për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve buxhetore, gjatë harkut kohor të vitit fiskal.

Gjashtëmujori i parë i këtij viti është karakterizuar nga norma të ulëta dhe të qëndrueshme të inflacionit vjetor. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit është luhatur në vlerat 1.3-3.1 për qind gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që inflacioni mesatar i periudhës është 2 për qind. Presionet inflacioniste janë forcuar gjatë tremujorit të dytë të vitit, si rezultat i veprimit të vonuar të faktorëve sezonalë, si edhe nga forcimi më i zbutur i lekut ndaj euros, prirja rritëse në çmimet e importit si pasojë e rritjes së inflacionit në Eurozonë dhe rritja e çmimeve të naftës. Gjithashtu, rritja e shpejtë e kredisë për ekonominë përmban rreziqet e saj për stabilitetin makroekonomik në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë gjykoi të përshtatshëm shtrëngimin e politikës monetare dhe rritjen e normës bazë të interesit. Kjo lëvizje synon kontrollin e presioneve të kërkesës si dhe kontrollin e pritjeve inflacioniste. Në bazë të të dhënave operative, Banka e Shqipërisë vlerëson se tregjet e parasë kanë filluar të shfaqin shenjat e para të reagimit ndaj kësaj lëvizjeje.

Zhvillimet monetare kanë ecur përgjithësisht në përputhje me parashikimet e Bankës së Shqipërisë. Rritja e ofertës monetare është realizuar sipas ritmit të parashikuar në programin monetar, në intervalin 10-12 për qind. Kjo rritje i ka shërbyer nevojave të ekonomisë për mjete monetare, duke mos krijuar presione inflacioniste. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi, sektori privat i ekonomisë është bërë konsumatori kryesor i burimeve monetare të sistemit bankar, duke ulur dominancën e deritanishme të huamarrjes së qeverisë. Teprica e kredisë shënoi një rritje prej 24.5 miliardë lekësh, gjatë periudhës janar-maj. Kjo rritje është 30 për qind më e lartë sesa rritja e tepricës së kredisë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Norma e rritjes vjetore të kredisë në fund të muajit maj, shënoi vlerën 65 për qind. Rritja vjetore e kredisë ka ndjekur një prirje rënëse që prej muajit dhjetor të vitit 2005. Teprica e kredisë për ekonominë në raport me PBB-në në gjysmën e parë të vitit llogaritet në rreth 17 për qind, kundrejt raportit prej 14.6 për qind të vlerësuar në fund të vitit 2005. Gjithashtu, kërkesa më e lartë e sektorit privat për mjete monetare është reflektuar në rritjen e dukshme të peshës së tepricës së kredisë ndaj ofertës monetare (M3).

Ritmet e rritjes së ofertës monetare gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, kanë qenë afër prirjes historike. Rritja vjetore e parasë së gjerë, M3, në muajin maj rezultoi 10.5 për qind ndërsa agregati M2 shënoi një rritje prej 6.2 për qind në terma vjetorë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ritmet e zgjerimit monetar janë më të ulëta. Oferta monetare ka shënuar ndryshime si në strukturën kohore, ashtu edhe në atë valutore, duke tentuar drejt mjeteve më pak likuide dhe njëkohësisht drejt mjeteve valutore. Në muajin maj, raporti i parasë jashtë bankave ndaj M3 ishte 23.5 për qind kundrejt raportit prej 24.5 për qind, të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Njëkohësisht, raporti i depozitave në valutë ndaj M3 rezultoi 27.6 për qind ose 2.9 pikë përqindjeje më i lartë se në muajin maj të vitit të mëparshëm.

Normat e interesit në tregun e depozitave në lekë kanë reflektuar përgjithësisht neutralitetin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të fundit. Në kushtet e prirjes rritëse të normës së interesit të depozitave në usd diferenca ndaj interesit në lekë është ngushtuar në rreth 1.4 pikë përqindje në gjysmën e parë të këtij viti. Në raport me interesin e depozitave në euro diferenca e interesit në lekë luhatet në rreth 2 pikë përqindjeje kundrejt rreth 5 pikë përqindjeje në vitin 2003. Megjithë uljen e diferencave të interesave, leku ka shfaqur prirje mbiçmuese kundrejt dollarit ndërsa ka qenë relativisht i qëndrueshëm kundrejt euros gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Në terma vjetorë leku vazhdon të jetë i mbiçmuar ndaj të dyja monedhave kryesore, përkatësisht rreth 4.4 dhe 0.4 për qind kundrejt dollarit dhe euros.

Banka e Shqipërisë vlerëson se gjashtëmujori i dytë i vitit 2006 do të karakterizohet nga konsolidimi i mëtejshëm i ekuilibrit të përgjithshëm makroekonomik të vendit. Në programin e saj monetar, ku është faktorizuar dhe vendimi i javëve të fundit për rritjen e normës javore të marrëveshjeve të riblerjes me 0.25 pikë përqindjeje, parashikohet një rritje ekonomike në nivelin 5 për qind. Banka e Shqipërisë ka marrë të gjithë masat për t'iu përgjigjur në kohë nevojave të ekonomisë për para, duke bërë kujdes që të vërë nën kontroll presionet inflacioniste që zakonisht gjeneron rritja e kërkesës së brendshme. Në përputhje me kërkesat e ekonomisë për kredi si dhë në përputhje me objektivin për inflacionin, Banka e Shqipërisë ka parashikuar një rritje të ofertës së parasë në masën 13.6 për qind. Ashtu si dhe në fund të tremujorit të parë të vitit 2006, do të tregohet kujdes maksimal, për të respektuar kufizimet sasiore që rrjedhin nga Marrëveshja me FMN, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2006.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka besimin se tregu financiar, siç u vu re edhe pas vendimit të fundit, në vazhdimësi do të perceptojë drejt sinjalet dhe vendimet e politikës monetare, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e mëtejshëm të mekanizimit të transmetimit të politikës monetare.

Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në këtë treg duke përçuar në të sinjalet e duhura si nëpërmjet veprimeve të natyrës operacionale ashtu edhe nëpërmjet vendimeve më specifike të politikës monetare, sa herë që të gjykohet e nevojshme. Duke për fituar nga ky rast, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë do të bëjë të gjitha përpjekjet për të qenë një institucion i hapur dhe dialogues me publikun, një institucion i cili do të shmangë në çdo rast vendimet e natyrës surprizë, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se shtojnë konfuzionin dhe paqartësinë në treg.

Deklarata e Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2006 do të publikohet e plotë në faqen e Internetit dhe në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

***

Gjithashtu, në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori dhe vendimet: "Për shtypjen dhe rishtypjen e kartmonedhave me kurs ligjor"; "Për miratimin e Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për periudhën afatmesme 2006 - 2008" dhe disa vendime që lidhen me aktivitetin e brendshëm të Bankës së Shqipërisë.