BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Njoftim për shtyp mbi mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, 25 shkurt 2015

Data e publikimit: 25.02.2015

 

Sot, më datë 25 shkurt 2015, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi Raportin Vjetor të veprimtarisë së institucionit gjatë vitit 2014.
Raporti vjetor përbën detyrimin ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë. Ai përbën një dokument të rëndësishëm ku, në mënyrë transparente, shpaloset para Kuvendit dhe publikut  aktiviteti i Këshillit Mbikëqyrës dhe i Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionale, monetare, valutore, mbikëqyrëse, operacionale dhe zhvillimore.
Më konkretisht, në të pasqyrohen:

  • Zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • Politika monetare dhe ajo valutore të ndjekura nga Banka e Shqipërisë;
  • Zhvillimet në tregjet financiare dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • Aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • Aktiviteti i emisionit monetar, sistemit të pagesave, kërkimor, komunikues dhe edukimit të publikut;
  • Administrimi i burimeve njerëzore dhe shërbimeve logjistike;
  • Veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • Bilanci kontabël, pasqyrat financiare dhe deklarata e auditorit të jashtëm;
  • Objektivat kryesore të institucionit për vitin 2015.

Pas miratimit të tij nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, çdo i interesuar mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor, në faqen web të Bankës së Shqipërisë: www.bankofalbania.org.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikëqyrës, u prezantuan edhe drejtuesit e rinj të disa prej departamenteve të Bankës së Shqipërisë, më konkretisht ai i Departamentit të Mbikëqyrjes, i Departamentit të Administrimit, i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit dhe ai i Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Këto ndryshime janë kryer në kuadër të përmirësimeve organizative në Bankën e Shqipërisë, me synim rritjen e efektivitetit të këtyre departamenteve dhe përcjelljen e një fryme të re në përmbushjen e funksioneve kryesore të institucionit.

Objektiv kryesor mbetet forcimi i rolit mbikëqyrës, rregullator dhe licencues; përafrimi i mëtejshëm me standardet e Bazelit dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian; si dhe rritja e kapacitetit të administrimit të rreziqeve.

Gjithashtu, nëpërmjet këtyre ndryshimeve do të synohet një administrim dhe mbarëvajtje më e mirë e shërbimeve logjistike dhe burimeve njerëzore në Bankën e Shqipërisë.