BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 1 qershor 2022

Data e publikimit: 01.06.2022

 

Në mbledhjen e datës 1 qershor 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  1. Miratimin e rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”

Ky akt nënligjor synon të rregullojë në mënyrë të detajuar kërkesat e autoritetit rregullator për autentifikimin e thelluar të klientit  dhe mënyrën e zbatimit të tij nga subjektet e këtij akti.

 DSC3208 498

Hartimi i kësaj rregulloreje siguron  plotësimin e detyrimeve për përafrimin e mëtejshëm me praktikat e  Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit, si dhe  krijon mundësinë për ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe klientët e tyre që të përdorin të njëjtat shërbime dhe standarde të krijuara nga ofruesit e shërbimeve të pagesave në vendet e BE-së, përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit.

 DSC3255 498

Autentifikimi i thelluar i klientit është një nga kërkesat e Direktivës Evropiane të Pagesave (PSD2)[1], të transpozuar në ligjin 55/2020 “Për shërbimet e pagesave” që synon të rrisë sigurinë dhe të minimizojë rrezikun e mashtrimit kryesisht në fushën e pagesave elektronike. Ky proces me rëndësi që përkufizohet në ligjin e posaçëm për shërbimet e pagesave, bazohet në përdorimin e dy ose më shumë elementëve të kategorizuar si njohuri, posedim dhe qenësi, të cilët, duke qenë të pavarur, sigurojnë që shkelja (thyerja) e njërit prej elementëve nuk kompromenton besueshmërinë e elementëve të tjerë, si dhe sigurojnë mbrojtje të konfidencialitetit të të dhënave të autentifikimit të klientit.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.