BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 22 nëntor 2023

Data e publikimit: 22.11.2023

 

Në mbledhjen e tij të datës 22 nëntor 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2024- 2026

498-7376

Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2024 – 2026 është një përditësim i strategjisë ekzistuese (2023-2025), përmes së cilit zgjatet afati i zbatimit të këtij dokumenti, përtej vitit 2025 dhe përcaktohen objektivat për periudhën afatmesme në vijim.

Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit; të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve; si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.

Ajo përfshin funksionet kryesore të BSH-së: politikat (politika monetare, rezerva valutore, mbikëqyrja bankare, politika makroprudenciale), infrastrukturën financiare (emisioni i parasë, sistemet e pagesave); funksionet horizontale (kërkimet, statistikat); dhe shërbimet mbështetëse (burimet njerëzore, kontrolli i brendshëm, kontabiliteti dhe IT).

498-7224

Informacioni për zbatimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit është pjesë e rregullt e raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë.

  • Miratimin e buxhetit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2024 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2025 - 2026

Buxheti i miratuar për vitin 2024 dhe ai orientues afatmesëm për vitet 2025-2026 garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit. Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore.

Buxheti i Bankës së Shqipërisë për vitet 2024 - 2026, ndër të tjera, synon përsosjen e mëtejshme të kuadrit të politikës dhe të operacioneve monetare, zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të Bankës së Shqipërisë, furnizimin e ekonomisë me kartëmonedhë cilësore, përpunimin me kujdes të saj, si dhe përsosjen e komunikimit dhe transparencës me publikun. Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike, asaj të sigurisë dhe të ambienteve ku ushtrohet aktiviteti i Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.