BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 shkurt 2022

Data e publikimit: 02.02.2022

 

Në mbledhjen e datës 2 shkurt 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

 DSC8760 498

  • Miratimin e vendimit “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat”

Në bazë të këtij vendimi, pezullohet deri në fund të vitit 2022, shpërndarja nga ana e bankave, e fitimit të vitit 2021 dhe e fitimit që do të realizohet gjatë vitit 2022.

Kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

 DSC8796 498

  • Të miratojë rregulloren “Për regjistrin publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave”

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i subjekteve dhe të dhënave që do të përmbajë regjistri publik i ofruesve të shërbimeve të pagesave dhe agjentëve të tyre.

Ky akt rregullativ del në zbatim të dispozitave të reja të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, të cilat parashikojnë detyrimin për përcaktimin me akt nënligjor të formës dhe përmbajtjes së regjistrit publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave.

  • Të miratojë rishtypjen e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor me prerje 10 lekë dhe kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor me prerje 5000 lekë

Ky vendim parashikon rishtypjen e monedhës metalike 10 lekë dhe kartëmonedhave 5000 lekë, me kurs ligjor, me qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disa vjeçare.