BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 maj 2023

Data e publikimit: 03.05.2023

 

Në mbledhjen e datës 3 maj 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 3.00%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.00% dhe 4.00%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi:

  • miratimin e strategjisë: Plan Veprimi “Për administrimin dhe mbikëqyrjen e rreziqeve financiare të lidhura me klimën në sektorin financiar gjatë 2023-2025”

 DSC8602 498

Nëpërmjet këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ndërmarrë hapa konkretë për të përcaktuar rolin që duhet të luajë Banka e Shqipërisë në 3 vitet e ardhshme në identifikimin, monitorimin dhe administrimin e rreziqeve financiare të lidhura me klimën.

Strategjia e miratuar ka për qëllim të perceptojë dhe të zbusë pasojat e mundshme ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike, duke ndjekur planet e veprimit të Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Kjo strategji përmban plane për disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së bankës qendrore. Ndër to përfshihen veprimtari që lidhen me mbikëqyrjen bankare, stabilitetin financiar, politikën monetare, statistikat financiare, kërkimin shkencor, etj. Në varësi të ecurisë së mëtejshme të kësaj veprimtarie, si dhe të zhvillimeve globale në standardet e lidhura me to, më pas mund të propozohen dhe përditësime të mëtejshme të kësaj strategjie me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe të treguesve të tjerë në sektorët që banka qendrore administron.


Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës u njoh me informacione të tjera lidhur me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.