BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 maj 2022

Data e publikimit: 04.05.2022

 

Në mbledhjen e datës 4 maj 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 1.0%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

 DSC8301 498

Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

  • miratimin e rregullores “Për strukturën dhe përdorimin e numrit ndërkombëtar të llogarisë së pagesës”

Kjo rregullore vjen si një version i rishikuar i rregullores aktuale mbi numrin IBAN, në zbatim të “Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023)”,  “Strategjisë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, për periudhën 2019-2021” dhe në përmbushje të nevojave për përmirësim sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

 DSC8364 498

Ligji “Për shërbimet e pagesave” mundëson që ofruesit e shërbimeve të pagesave, të hapin llogari pagesash, të emetojnë instrumente pagesash dhe potencialisht të jenë pjesëmarrës në sistemin e klerimit të pagesave me vlerë të vogël (AECH). Për këtë qëllim, në varësi të veprimtarisë, institucionet financiare mund të pajisin klientët e tyre me numër llogarie të pagesës. Ky numër llogarie duhet t’i nënshtrohet të njëjtit standardizim dhe rregullsi si formati IBAN i përdorur deri më tani në kontekstin e numrit të llogarisë bankare. Nëpërmjet kësaj rregulloreje, kuptimi dhe përdorimi i tij do të shtrihen në të gjitha llogaritë e pagesave që gjenerohen nga ofruesit e shërbimeve të pagesave për klientët e tyre.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.