BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 korrik 2022

Data e publikimit: 06.07.2022

 

Në mbledhjen e datës 6 korrik 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të rritet në nivelin 1.25%; norma e interesit të kredisë njëditore të rritet në nivelin 2.25%; si dhe norma e interesit të depozitës njëditore të rritet në nivelin 0.25%.

Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi për:

  • Miratimin paraprak për zotërimin nga OTP Bank Nyrt, (Hungari) të 100 për qind të kapitalit aksionar të Bankës Alpha Albania sh.a.

498-7780

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miraton paraprakisht zotërimin e 100% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të Bankës Alpha Albania sh.a, nga OTP Bank Nyrt (Hungari).

  • Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për funksionimin e sistemit qendror të regjistrimit dhe shlyerjes së titujve (AFISaR)”

 

498-7811

Këto ndryshime kanë për qëllim kryesor shfuqizimin e disa dispozitave në rregulloren e sistemit AFISaR që lidhen me aktivitetin e ndërmjetësimit të Bankës së Shqipërisë për investimet e individëve në bono thesari. Vendimi për mbylljen e fazuar të këtij aktiviteti është marrë më datën 5.8.2020 me synim transferimin e plotë të këtij shërbimi te institucionet financiare të licencuara për këtë qëllim. Gjithashtu, janë rregulluar edhe disa aspekte që janë konstatuar gjatë punës së administrimit të sistemit të regjistrimit dhe shlyerjes së titujve shtetërorë në kuadër të rolit të Bankës së Shqipërisë si agjent fiskal i qeverisë.

  • Miratimin e normave të interesit për remunerimin e rezervës së detyruar dhe tepricave të bankave

Duke marrë në konsideratë zhvillimet në tregun ndërkombëtar, pritshmëritë e politikës monetare në Eurozonë dhe parashikimet afatmesme mbi ecurinë e inflacionit në këtë zonë, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ndryshojë remunerimin e rezervës së detyruar dhe tepricave të saj në euro. Në bazë të këtij vendimi, norma e interesit të remunerimit të rezervës së detyruar në euro do të jetë e barabartë me normën e interesit të depozitës të përcaktuar nga Banka Qendrore Evropiane por jo më e madhe se 0 (zero), ndërsa ajo e interesit të remunerimit të tepricës në euro është 25 pikë bazë më e ulët se norma e interesit të depozitës së përcaktuar nga Banka Qendrore Evropiane, por jo më e madhe se 0 (zero).

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.