BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 shtator 2023

Data e publikimit: 06.09.2023

 

Në mbledhjen e datës 6 shtator 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi :

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2023

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 (më tej, “periudha”), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Në tërësi, depozitat dhe kreditë u zgjeruan, por ritmet e rritjes ishin më të ulëta se në periudhat e mëparshme, duke reflektuar ndikimin e mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut. Në kushtet e nivelit më të lartë të normave të interesit, cilësia e kredisë pësoi një rënie të lehtë, por kreditë me probleme mbeten sërisht në nivelet më të ulëta historike.

Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar por rreziqet e kreditit dhe të tregut kërkojnë monitorim te vazhdueshem. Rezistenca e sektorit bankar ndaj rreziqeve vlerësohet e mirë, në kushtet kur treguesit e kapitalizimit mbetën në nivele të përshtatshme ndërsa performanca financiare u përmiresua në mënyrë të ndjeshme. Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, dhe vecanërisht nga përmirësimet në llogarinë korrente të bilancit të pagesave. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave.

Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste erdhën në rënie por norma e inflacionit mbeti mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar gjithnjë e më shumë kontributin e faktorëve ekonomikë të brendshëm. Banka e Shqipërisë vijoi me normalizimin e politikës monetare duke theksuar se reagimi i saj i mëtejshëm do të reflektojë zhvillimet në faktorët përcaktues të inflacionit.

Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishëm. Ato lidhen me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike dhe të tregjeve ndërkombëtare, por edhe me ecurinë e inflacionit dhe ndikimin e rreziqeve të tregut. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ndërsa institucionet financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të forcuar rezistencën e sistemit financiar.

 DSC6090

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së shoqërive të kursim-kreditit dhe të unioneve të tyre”

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.