BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 shkurt 2024

Data e publikimit: 07.02.2024

 

Në mbledhjen e datës 7 shkurt 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 3.25% si dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.25% dhe 4.25%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi:

  • Miratimin e udhëzimit “Për raportimin e incidenteve madhore”.

 DSC4453 498x332

Ky udhëzim synon përcaktimin e kritereve, kufijve dhe metodologjisë që do të përdoret nga ofruesit e shërbimeve të pagesave për klasifikimin e incidenteve operacionale ose të sigurisë si incidente madhore, si dhe unifikimin e formatit të raportimit dhe të procedurave që ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të ndjekin për të njoftuar Bankën e Shqipërisë në rastin e ndodhjes së një incidenti madhor.  Ai  vjen në zbatim të dispozitave të ligjit 55/2020 “Për shërbimet e pagesave”, të cilat parashikojnë detyrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave për raportimin e incidenteve madhore operacionale apo të sigurisë.

  • Miratimin e rregullores “Për procedurat e krijimit dhe shtypjes së monedhave dhe kartëmonedhave pa kurs ligjor, përkujtimore për qëllime numizmatike dhe medaljoneve përkujtimore, nga Banka e Shqipërisë”

 DSC4490 498x332

Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave dhe i procedurave që ndiqen nga Banka e Shqipërisë, për miratimin e tematikës, konfigurimit dhe shtypjes së monedhave, kartëmonedhave lek pa kurs ligjor, përkujtimore për qëllime numizmatike dhe të medaljoneve përkujtimore, nga Banka e Shqipërisë.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.