BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
ALREG nis operimin në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe AIPS

Data e publikimit: 01.03.2021

 

Në datën 1 mars 2021, operatori i sistemit të shlyerjes së Titujve ALREG, nisi operimin nëpërmjet anëtarësimit në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS. Subjekti ALREG sh.a. është licencuar bashkërisht nga Banka e Shqipërisë si operator i sistemit për shlyerjen e titujve dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si regjistrar duke përmbushur kështu kërkesat ligjore për t'u konsideruar një Depozitar Qendror i Titujve sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Ky subjekt anëtarësohet në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS në​kategorinë "Pjesëmarrës Operatorë", nënkategoria “i”, si operator i një sistemi të shlyerjes së titujve. Veprimtaria e cila synon të kryejë operatori nëpërmjet kësaj pjesëmarrjeje lidhet me shlyerjen e transaksioneve me tituj të kryer në bursë, duke përfshirë këtu emetimin e titujve privat por edhe tregtimin e titujve të emetuar në të. Anëtarësimi i ALREG si pjesëmarrës në sistemin AIPS, lidhet me shlyerjen e këmbës së parasë fizike (cash) të transaksioneve. Ky anëtarësim është parakusht i nevojshëm për funksionimin e këtij sistemi të shlyerjes së titujve sipas praktikave më të mira ndërkombëtare duke garantuar maksimalisht finalitetin e shlyerjes dhe mbrojtjen e sistemit dhe të pjesëmarrësve në të.

Me fillimin e operimit ditën e sotme, ALREG në tregun shqiptar do të ushtrojë veprimtarinë e regjistrarit të titujve për të gjithë titujt e lejuar dhe veprimtarinë e klerimit dhe shlyerjes së titujve si operator i sistemit të shlyerjes së titujve në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ në fuqi e në përputhje me licencat e miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë.

​Vlen të theksohet se ALREG, krahas sistemit AFISAR të operuar nga Banka e Shqipërisë për regjistrimin dhe shlyerjen e titujve të qeverisë, është i pari subjekt privat i këtij lloji që licencohet dhe fillon operimin në tregun shqiptar. Plotësimi dhe funksionimi i të gjithë infrastrukturës së nevojshme për procesimin e transaksioneve pas tregtimit në bursë (post trading) shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve të kapitalit dhe në përgjithësi tregjeve financiare, duke dhënë kështu një kontribut shtesë në nxitjen e formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë.