BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Aktivitet edukues “Ekonomia e gjelbër: A të përfshin edhe ty? ”

Data e publikimit: 21.06.2012

 

Në kuadër të angazhimit të saj për edukimin e publikut, Banka e Shqipërisë, organizoi sot në datë 21 qershor 2012, një aktivitet edukues nën moton “Ekonomia e gjelbër: A të përfshin edhe ty?”, në mjediset e parkut “Rinia”. Në këtë aktivitet merrnin pjesë fëmijë prej organizatës sociale SOS Fshatrat e Fëmijëve, si dhe prej organizatës Shoqata Kombëtare Edukim për Jetën (SHKEJ).

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i brezit të ri që natyra është në themel të jetës dhe mbrojtja mjedisore, ndër të tjera, është një prej parakushteve për rritjen afatgjatë ekonomike. Siç u shpreh dhe Guvernatori Fullani: “Aktiviteti i sotëm i dedikohet rëndësisë së ekonomisë së gjelbër, ku çdo qytetar mund të japë kontributin e tij duke “kursyer” burimet natyrore, nëpërmjet përdorimit efIcient të tyre”.

2012 06 21 aktiviteti mjedisi 4930 0

Nxënësit që morën pjesë në këtë aktivitet u njohën me një shumëllojshmëri materialesh me karakter sensibilizues, edukativ dhe artistik, të mbështetura mbi parimin e të mësuarit përmes argëtimit.

Në këtë aktivitet u ekspozuan disa punë artistike të nxënësve të Liceut Artistik në Tiranë dhe studentëve të Universitetit të Arteve, të cilat ishin krijuar me materiale të ricikluara.

Ky është viti i parë që Banka e Shqipërisë organizon aktivitete ndërgjegjësuese mbi mjedisin, të cilat do të shoqërohen edhe me ndjekjen e politikave institucionale që mbështesin mbrojtjen e mjedisit, si për shembull riciklimi i pajisjeve elektronike, plastikës dhe letrës, të cilat përdoren konsiderueshëm nga punonjësit e saj.