BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA) – Mblidhen në Tiranë Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore

Data e publikimit: 28.02.2024

 

Është zhvilluar sot, më 28 shkurt 2024, në Tiranë, Ministeriali “Ballkani Perëndimor drejt Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA)”, organizuar nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë. Ky Ministerial u mbajt në prag të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së për Planin e Rritjes. Në këtë plan, Komisioni Evropian ka identifikuar aksesin në SEPA (Single Euro Payments Area), si një nga mundësitë që vendet e Ballkanit Perëndimor mund ta përfitojnë përpara finalizimit të procesit të anëtarësimit, me përmbushjen e kushteve të përcaktuara. Në Ministerial u mblodhën Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Botërore dhe BERZH-it.

 DSC8457 498

Ministri i Financave, z. Ervin Mete, gjatë fjalës së mbajtur, u shpreh se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të konsiderueshme ekonomike për rajonin. Përfshirja në SEPA për vendet joanëtare të BE-së, - tha ndër të tjera ministri Mete, - përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor që të ulë kostot e tregtisë dhe të pagesave si brenda rajonit, ashtu edhe me BE-në.

Zoti Mete nënvizoi se Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, e po ashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte dhe flukseve të tjera financiare. Sipas të dhënave zyrtare, tregtia me BE-në përbën më shumë se dy të tretat e tregtisë totale të rajonit. Mbi 70% e eksporteve nga Ballkani Perëndimor shkojnë në vendet anëtare të BE-së. BE-ja është gjithashtu burimi më i madh i investimeve të huaja direkte në rajon. Ajo përbën rreth 70% të totalit të IHD-ve në Ballkanin Perëndimor.

 DSC8320 498

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kostoja për të dërguar remitanca në Shqipëri përllogaritet në mesatarisht 8.7% dhe vlerësohet se me përfshirjen në SEPA, emigrantët dhe familjet e tyre mund të kursejnë në mënyrë domethënëse.

Ministri shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit në SEPA jep akses në sisteme pagesash më efikase dhe më të sigurta. Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve evropiane do të rrisë atraktivitetin tonë si destinacion investimi. Turizmi po bëhet një nga faktorët kryesorë të rritjes së PBB-së në dy vitet e fundit, tha më tej ministri, ndaj sigurimi i pagesave të thjeshta, të shpejta dhe të besueshme ndërkufitare pritet ta mbështesë më tej këtë sektor.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, e hapi fjalën e tij duke theksuar rëndësinë që ka integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe faktin që ky integrim, ndër të tjera, po ndodh nëpërmjet sistemeve të pagesave i kurorëzuar me pjesëmarrjen e përshpejtuar në SEPA.

Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi se Shqipëria ka intensifikuar përpjekjet për arritjen e këtij objektivi historik, duke synuar ta përfundojë procesin e aplikimit për pjesëmarrjen në SEPA, brenda muajit qershor 2024. Shqipëria përtej angazhimit serioz që ka pasur në kuadër të procesit të integrimit, ka qenë gjithnjë e vëmendshme të ndjekë parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian në rregullimin dhe reformimin e tregut të pagesave. Si rezultat, bazuar edhe në konstatimet e Bankës Botërore, e cila është pjesë integrale dhe e rëndësishme e këtij projekti, Shqipëria vlerësohet avangard në proces dhe është gati për të kryer aplikimin për anëtarësimin në SEPA.

 DSC7772 498

Pasi prezantoi në detaje masat e marra dhe hapat në vijim, ku identifikohen qartazi bashkëpunimi dhe mbështetja ndërinstitucionale si brenda vendit, ashtu dhe me faktorët ndërkombëtarë, z. Sejko ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit në SEPA për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, ai ftoi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të intensifikojnë përpjekjet për përmbushjen e këtij objektivi të rëndësishëm, i cili, do t’i integrojë tregjet tona brenda rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian. Guvernatori nënvizoi se pavarësisht faktit që ky proces, për shkak të fazave të ndryshme të plotësimit të kritereve, nuk mund të jetë i përbashkët, bashkëpunimi dhe komunikimi do të ndihmojnë për finalizimin me sukses të procesit. Për këtë qëllim, z. Sejko shprehu angazhimin e plotë të Bankës së Shqipërisë për të ndarë përvojën dhe njohuritë e përftuara nga ky rrugëtim, ku duket se Shqipëria do të jetë pararojë.

SEPA i jep mundësi vendeve anëtare të realizojnë pagesa në euro - transferta krediti dhe debitim direkt ashtu si pagesat kombëtare - duke eliminuar diferencat mes pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare dhe duke harmonizuar standardet dhe kushtet e funksionimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për rajonin, - si reduktimi i kostove të tregtisë, uljen e kostove të transfertave bankare, reduktimin e cash-it në ekonomi, duke i bërë pagesat elektronike më të thjeshta dhe më të lira, si edhe duke stimuluar njëkohësisht përfshirjen financiare dhe aksesin në financë. Banka Botërore po mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor me asistencë teknike për të përmbushur kushtet e nevojshme për aplikimin dhe anëtarësimin eventual në Tregun Unik të Pagesave në Euro.