BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë bëhet pjesë e Rrjetit për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave (SBFN)
Data e publikimit: 05.03.2024
Rrjeti për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave (ose SBFN) mirëpret Bankën e Shqipërisë si anëtarin më të ri. Banka e Shqipërisë ka treguar një përkushtim serioz dhe ka bërë përparime të matshme në ngritjen e një mjedisi të favorshëm për financat e qëndrueshme. Sa më sipër, përmendim hartimin dhe miratimin e Strategjisë së Gjelbër Afatmesme 2023-2025: “Strategjia për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të lidhura me Klimën në Sektorin Financiar 2023-2025”, e cila përcakton një plan veprimi gjithëpërfshirës për ngritjen e kapaciteteve; punën kërkimore; vlerësimin e rrezikut; dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kombëtar në fushën e zhvillimit dhe arritjes së financave të qëndrueshme.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u shpreh entuziast rreth anëtarësimit në SBFN: “Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ndjehem krenar të njoftoj anëtarësimin tonë në Rrjetin për Qëndrueshmërinë e Bankave dhe Financave, SBFN. Ne jemi të përkushtuar ndaj financave të qëndrueshme dhe kjo reflektohet në Strategjinë tonë të miratuar së fundmi për “Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të lidhura me Klimën në Sektorin Financiar 2023-2025”. Ky partneritet me SBFN-në e përforcon edhe njëherë përkushtimin tonë për bashkëpunim, shkëmbim njohurish dhe avancim drejt një sistemi financiar më të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj sfidave që sjellin ndryshimet klimatike”.
Rong Zhang, koordinatori global i SBFN-së, mirëpriti me entuziazëm anëtarësimin e Bankës së Shqipërisë në këtë rrjet: “SBFN mirëpret përzemërsisht Bankën e Shqipërisë si anëtaren më të re. Ne jemi gati të punojmë së bashku me Bankën e Shqipërisë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për të administruar rreziqet dhe performancen e ESG (faktorë të lidhur me mjedisin, aspektet sociale dhe qeverisjen) në sektorin financiar, si dhe për të zhvilluar produkte novatore, të cilat inkurajojnë kanalizimin e kapitalit drejt atyre sektorëve dhe aktiviteteve që kanë objektiva të lidhura me prosperitetin financiar, mbrojtjen e mjedisit dhe mirëqenien sociale. Së bashku, synojmë të adresojmë në mënyrë efektive sfidat e financave të qëndrueshme dhe të mbështesim periudhën tranzitore drejt një ekonomie të qëndrueshme.”
Anëtarësimi i Bankës së Shqipërisë në SBFN-ë rrit numrin e anëtarësimit në këtë rrjet në 89 anëtarë dhe shtrirjen e tij në 68 shtete.