BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave organizojnë trajnimin me temë ”Masat kundër Financimit të Terrorizmit (TF) dhe zbatimi i Sanksioneve ndërkombëtare të KSKB (TFS)”

Data e publikimit: 26.10.2020

 

Në datat 22 dhe 23 tetor 2020, Banka e Shqipërisë nё bashkёpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave organizoi trajnimin dyditor për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues nga rreth 44 institucione financiare jobanka (IFJB) si dhe shoqëri kursim-krediti (SHKK) në ditën e parë, dhe nga 50 zyra të këmbimit valutor (ZKV) në ditën e dytë.

DSC 0368 498

Ky aktivitet u organizua në kuadër të detyrimeve ligjore dhe nismave e aktiviteteve të vazhdueshme që Banka e Shqipërisë ndërmerr për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave si pjesë e ndërveprimit institucional, si dhe në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të ekspertëve në raportin e vlerësimit të raundit të pestë të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i KiE-së.

DSC 0334 498

Pёrfaqёsues nga Banka e Shqipёrisё nё kёto programe trajnimi ishte zj. Mirjana Goxharaj, Pёrgjegjёse e Zyrёs sё Mbikëqyrjes së Rrezikut Reputacional. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (D.P.P.P.P), u përfaqësua nga z. Agim Muslia, Drejtor i Drejtorisë së Përputhshmërisë dhe TI, dhe z.Pavli Gjika, Specialist në Sektorin e Përputhshmërisë dhe Trajnimeve.

DSC 0681 498

Nё kёtë trajnim të përbashkët të dy institucioneve, në fokus ishin masat kundër Financimit të Terrorizmit dhe zbatimi i Sanksioneve ndërkombëtare të KSKB, detyrimet ligjore të përcaktuara në ligjin nr.157/2013 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” i ndryshuar, ligjin 72/2019 “Për masat shtrënguese ndërkombëtare”, por gjithashtu u trajtuan edhe detyrimet ligjore që subjektet IFJB, SHKK dhe ZKV kanë në përputhje me ligjin 9917/2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” i ndryshuar.                         

Gjithashtu, trajnimi u fokusua mbi kuptueshmërinë dhe zbatimin në praktikë të detyrimeve ligjore dhe rregullative, standardeve më të mira ndërkombëtare të fushës, në kushtet kur fenomeni i pastrimit të parave dhe financimit të terrorrizmit dhe masat për parandalimin e tyre kanë njohur një dinamikë të spikatur në vitet e fundit në nivel global.

Ky trajnim u vlerësua nga pjesëmarrësit si një kontribut mjaft i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e  subjekteve nën juridiksionin rregullativ të Bankës së Shqipërisë, mbi çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.