BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë ndërmerr iniciativën e re dhe hap fushatën ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”

Data e publikimit: 17.11.2021

 

Në datën 17 nëntor 2021, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u organizua hapja e fushatës ndërgjegjësuese “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”. Kjo iniciativë e re e Bankës së Shqipërisë ka si qëllim ndërgjegjësimin e publikut për mospërdorimin e termave të gabuar “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në veprimet e tyre financiare, terminologji që ka sjellë në kohë një konfuzion të vazhdueshëm.

 DSC1212 498

Pikërisht  për  të  shmangur  këtë  konfuzion,  Banka  e  Shqipërisë  ka ndërmarrë  një fushatë kombëtare disavjeçare, për të theksuar se monedha shqiptare quhet thjesht Lek dhe vlera nominale e saj është ajo e shkruar mbi monedhë apo kartëmonedhë.

 DSC0715 498

Aktiviteti hapës i fushatës u çel nga fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, për të vijuar më pas me kumtimet e mbajtura nga Prof. Dr. Adrian Civici, Akademik i Asociuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe zj. Valbona Treska, Presidente e Urdhrit të Psikologut.

 DSC0918 498

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë vendosi të ndërmarrë këtë fushatë në kuadër të rolit të saj në edukimin financiar si dhe në përmbushje të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë qëllim, në rezolutat e vlerësimit të veprimtarisë së institucionit tonë.

 DSC1352 498

Në vijim Guvernatori theksoi se, për t’i paraprirë kësaj fushate ndërgjegjësuese, Banka e Shqipërisë ka përgatitur dhe lançuar vazhdimisht materiale, si dhe është kujdesur që ta përfshijë këtë mesazh në botimet dhe programet e saj edukative. Ajo gjithashtu ka kryer një vrojtim në bazë kombëtare për matjen e shkallës së përdorimit të terminologjisë “lek i ri - lek i vjetër”. Të dhënat e vrojtimit dëshmojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut është një fenomen mjaft prezent në shoqërinë tonë, pasi më shumë se gjysma e të intervistuarve e lexojnë apo e identifikojnë gabim vlerën e lekut. Gjithashtu, rezultatet tregojnë se komunikimi i gabuar i vlerës së lekut varion sipas grupeve socio-demografike, si grupmosha, niveli arsimor, punësimi, niveli i të ardhurave etj.

 DSC0637 498

Bazuar në gjitha elementet e lartpërmendura, Banka e Shqipërisë vendosi të ndërmarrë këtë fushatë ndërgjegjësuese gjithëpërfshirëse, e cila do të shtrihet në kohë dhe do të prekë grupe të ndryshme interesi. Për realizimin e saj, Banka e Shqipërisë do të bashkëpunojë me institucione relevante, duke synuar ndërtimin e një platforme gjithëpërfshirëse me mjete dhe kanale komunikimi, ndër të cilat veçojmë bashkëpunimin me:

 DSC1479 498

  • Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të organizuar leksione për nxënësit dhe gjimnazistët pranë Muzeut të Bankës së Shqipërisë;
  • universitetet për të organizuar leksione në auditore me ekonomistë, psikologë etj.;
  • Autoritetin e Medias Audiovizive për të ndërgjegjësuar sa më shumë mediat të shmangin përdorimin e kësaj terminologjie;
  • Dhomën e Tregtisë për të rritur ndërgjegjësimin e subjekteve tregtare si dhe me qëllim që çmimet të jenë të shprehura vetëm në monedhën vendase;
  • institucione të tjera kombëtare e lokale për shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe posterave të përgatitur nga Banka e Shqipërisë për këtë qëllim.

 DSC1139 498

Në përfundim të aktivitetit, në emër të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori ftoi të gjitha institucionet e lartpërmendura që t’i bashkohen angazhimit të Bankës për të ndërgjegjësuar publikun shqiptar për të lënë pas njëherë e përgjithmonë përdorimin e kësaj terminologjie të gabuar në marrëdhëniet ekonomike e financiare, me bindjen se ka ardhur koha ta kthejmë atë përfundimisht në një relikt linguistik.

 DSC0821 498

Banka e Shqipërisë iu kujton se monedha jonë nuk është as e vjetër e as e re, por është thjesht Lek!

 DSC1059 498

 DSC1694 498