BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë në Workshopin e gjashtë dedikuar Planifikimit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Data e publikimit: 02.11.2023

 

Në datën 30 tetor 2023, Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj, shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, zj. Vasilika Kota, mori pjesë në Workshopin e gjashtë dedikuar Planifikimit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe përmbushjes së kërkesave për MREL[1], organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Raiffeisen Bank International. Ky forum i përvitshëm organizohet si pjesë e Iniciativës së Vjenës dhe mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi, autoritetet rregullatore evropiane dhe ato të vendeve të Ballkanit, përfaqësues nga fushat e financës dhe investitorë në tregjet financiare të angazhuar në financimin e instrumenteve të MREL-it.

Screenshot 2023-11-01 at 15.33.39

Punimet e këtij workshop-i ishin konceptuar të ndara në disa panele, ku të pranishmit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit legjislative në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, zhvillimet pozitive në Evropë dhe Ballkan në përmbushjen e kërkesave për MREL dhe pritshmëritë e investitorëve në treg për financimin e titujve financiarë që përmbushin kuadrin e ri rregullator.

IMG 3988498

Në panelin me përfaqësues nga Bordi i Përbashkët i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme dhe autoritetet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Kroaci, Çeki, Austri, Poloni dhe Rumani, zj. Kota prezantoi hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të ngritur një regjim të suksesshëm të ndërhyrjes së jashtëzakonshme që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar, duke qenë pararendëse e këtij procesi në Ballkan. Në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që ka transpozuar Direktivën Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme dhe ka ndërtuar edhe kuadrin e plotë rregullativ që e shoqëron atë.

IMG 3976498

Gjatë diskutimit në panel, zj. Kota prezantoi angazhimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në përmbushjen me sukses të kërkesave të reja rregullative për MREL nga sektori bankar, si dhe sfidat që paraqet përafrimi i kuadrit evropian në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, në panel u diskutuan dhe vlerësimet e Bankës së Shqipërisë mbi nevojën për të përshtatur planifikimin për ndërhyrje të jashtëzakonshme me leksionet që kuadri rregullativ global përfitoi nga eksperienca e zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në krizat më të fundit në disa banka në Evropë dhe SHBA.

Këtë vit, gjatë punimeve të forumit, një vend të veçantë zuri diskutimi mbi suksesin e sektorit bankar në Shqipëri për të nënshkruar për herë të parë tituj financiarë për qëllime të MREL-it, me investitorë profesionistë të tregut financiar, të tillë si BERZH dhe Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Ky emetim është titulli i parë financiar që emetohet në Ballkan i nënshkruar plotësisht nga investitorë të tregut financiar ndërkombëtar, duke reflektuar besimin e tyre në sektorin bankar në Shqipëri dhe njohjen në mënyrë të veçantë të kontributit të rëndësishëm që ka dhënë përafrimi i kuadrit rregullator evropian nga Banka e Shqipërisë. Investimi synon të shërbejë si katalizator për të rritur interesin e investitorëve të tjerë në financimin e titujve për MREL, të cilët shoqërohen dhe me elemente të mbështetjes së strategjisë gjithëpërfshirëse të BERZH-it për një ekonomi të qëndrueshme dhe të gjelbër, në linjë edhe me strategjinë e miratuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë për administrimin dhe mbikëqyrjen e rreziqeve financiare të lidhura me klimën në sektorin financiar.

E ftuar në ceremoninë e rastit për nënshkrimin e instrumentit financiar, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj bëri një ekspoze të angazhimit të vazhdueshëm të sektorit bankar për kalimin me sukses të sfidave për të përmbushur kërkesat rregullative, në të njëjtin standard si grupet e mëdha bankare evropiane. Në veçanti, ajo theksoi rëndësinë e këtij angazhimi për të garantuar një sistem bankar të shëndetshëm, të aftë të përballojë çdo goditje dhe plotësisht të përgatitur për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në gjykimin e tyre, përfaqësuesit e BERZH-it dhe të Fondit OPEC vlerësuan fuqizimin e vazhdueshëm të kuadrit rregullator në Shqipëri që shërben si një parakusht për tërheqjen e investitorëve të rëndësishëm në vend. Në mënyrë të veçantë, ata vlerësuan arritjet e Bankës së Shqipërisë për hartimin dhe zbatimin e një regjimi profesional në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, i aftë të ruajë standardet më të mira evropiane.

[1] MREL (Minimum Requirement for Eligible Liabilities) është një kërkesë minimale e veçantë e vendosur nga autoritetet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme që zbatohet për institucionet financiare së bashku me kërkesat prudente për kapital minimal.