BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore organizoi workshop-in me temë "Sistemi financiar në Shqipëri – Nga skenarët e 2025-ës, te veprimi në ditët e sotme"

Data e publikimit: 03.02.2017

 

Në datën 2 shkurt 2017, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, organizoi në ambientet e saj, workshop-in me temë "Sistemi financiar në Shqipëri - Nga skenarët e 2025-ës, te veprimi në ditët e sotme", nën drejtimin e Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj. Në këtë workshop merrnin pjesë përfaqësues të Bankës Botërore, ministrive, institucioneve financiare të vendit, botës akademike si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

#498 dsc7480

Ky forum, kishte për qëllim diskutimin e skenarëve të ndryshëm për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Të vendosur në një horizont kohor afatgjatë, kombinime alternative të faktorëve që influencojnë një ekonomi të hapur gjetën përgjigje në politikat financiare dhe makroekonomike të propozuara nga pjesëmarrësit në workshop. Workshop-i ishte konceptuar si një platformë dinamike diskutimi për të shkëmbyer mendimet lidhur me sfidat, identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve, testimin e strategjive të ndryshme, duke e sjellë të ardhmen në mendimin e përditshëm.

Në fjalën e saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm. Por, e sotmja e shëndetshme  duhet të mbajë zgjuar interesin për të zbuluar mundësi të reja që e ardhmja mund të sjellë, në mënyrë që të jemi të përgatitur për të përfituar më të mirën prej tyre. Kjo nënkupton që institucionet duhet të shpenzojnë kohën e duhur për të analizuar skenarë të ndryshëm të së ardhmes dhe t'i marrin në konsideratë këto analiza gjatë vendimmarrjes.

#498 dsc7502

Më tej, Zëvendësguvernatorja falënderoi Bankën Botërore për asistencën dhe ekspertizën teknike të ofruar në këtë fushë, si dhe e vlerësoi këtë eksperiencë si mjaft të dobishme për përgatitjen e strategjive afatgjata, por njëkohësisht për t'i reflektuar në  vendimmarrjen e sotme.

Organizimi i workshop-eve të tilla është pjesë e praktikave të Bankës Botërore në vende të ndryshme, si dhe pjesë e planeve të punës të Bankës së Shqipërisë për një sektor financiar shqiptar me vizion përtej dekadës.