BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore organizon Forumin e Nivelit të Lartë me temë ''Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë''

Data e publikimit: 08.11.2023

 

Në datën 8 nëntor 2023, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore organizoi Forumin e Nivelit të Lartë me temë "Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë".

 DSC6169

I organizuar nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Forumi mblodhi në një tryezë të përbashkët, përfaqësues nga bankat qendrore evropiane, institucione financiare ndërkombëtare, ekspertë të shquar, politikëbërës dhe ekonomistë, me qëllim kryesor përfshirjen në dialog të aktorëve të ndryshëm në lidhje me sfidat që paraqiten nga ndryshimi i klimës dhe implikimet e saj në makroekonomi dhe financa.

 DSC6233 498

Konceptuar në dy sesione, punimet e konferencës u hapën me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Menaxherit të Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas.

 DSC6304 498

Në fillim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se ndryshimet klimatike nuk përbëjnë më një rrezik të largët, por janë realiteti ynë i tanishëm, i shprehur nëpërmjet ngjarjeve të paparashikuara të motit dhe probabiliteteve të rritura dhe të intensifikuara të fatkeqësive natyrore. Ai shtoi se ndryshimet klimatike ushtrojnë presion të konsiderueshëm edhe në stabilitetin e sistemeve tona financiare dhe është mëse e qartë që sektori ynë financiar nuk mund të operojë i izoluar nga këto sfida.

 DSC6344

Guvernatori theksoi se për të vazhduar rrugën e rritjes së qëndrueshme, bankat tona duhet të identifikojnë, monitorojnë dhe menaxhojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet që lidhen me klimën. Gjithashtu, sektori bankar mund të luajë një rol udhëheqës për kompanitë, jo vetëm nëpërmjet "kanalizimit të fondeve", por edhe "edukimit të klientëve" drejt modeleve të biznesit dhe investimeve që përputhen me përgjegjësinë mjedisore. Sektori bankar duhet ta trajtojë këtë jo si një sfidë, por si një mundësi strategjike.

 DSC6350

Banka e Shqipërisë mbetet e vendosur në angazhimin e saj për të kuptuar dhe trajtuar pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike dhe kalimin në një ekonomi me emetim neto zero. Në këtë linjë, Guvernatori bëri me dije se Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore kanë hartuar dhe shpallur “Strategjinë për Administrimin dhe Mbikëqyrjen e Rreziqeve Financiare të Lidhura me Klimën në Sektorin Financiar, për vitet 2023-2025”, të cilën e ka bërë publike dhe në faqen e Bankës së Shqipërisë.

 DSC6355 498

Strategjia përfshin integrimin e inovacioneve të fundit dhe praktikave më të mira, të shoqëruara nga harmonizimi i kornizës sonë rregullatore me legjislacionin e BE-së (acquis) për financën e qëndrueshme. Pjesë thelbësore e saj është edhe plani i veprimit, i cili përfshin gjithë spektrin dhe përgjegjësitë e shumëfishta të Bankës së Shqipërisë - nga politika monetare, te stabiliteti financiar dhe operacionet ditore – duke konfirmuar dhe një herë përkushtimin e palëkundur të Bankës së Shqipërisë në përmbushjen e misionit të saj për të udhëhequr avancimin drejt financave të gjelbra, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe kontributin në zhvillimin e qëndrueshëm.

 DSC6407 498

Ndërkohë, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, z. Emanuel Salinas, gjatë fjalës së tij, ritheksoi faktin se sfidat globale që lindin nga ndryshimet klimatike janë prezente dhe një aktualitet tashmë i pamohueshëm. Lidhur me këtë, Banka Botërore e vlerëson si tepër të rëndësishme përgatitjen nga ana e të gjitha institucioneve dhe më në veçanti të sektorit bankar për t’i adresuar më së miri këto sfida në mënyrë që të sigurohet jo vetëm stabiliteti dhe qëndrueshmëria afatgjatë e sektorit, por dhe mobilizimi i kapitalit drejt përshtatjes së tranzicionit të gjelbër.

Duke falënderuar Bankën e Shqipërisë për bashkëpunimin dhe përpjekjet e deritanishme në këtë drejtim, z. Salinas u shpreh se përballë një çështjeje globale si ndryshimi klimatik, kërkohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe angazhim i të gjitha institucioneve në shkallë globale.

Gjatë forumit, penalistët prezantuan përvojat e tyre, raste konkrete, praktikat më të mira, si dhe sfidat dhe mundësitë që paraqet financimi i gjelbër, duke nënvizuar nevojën kritike për të integruar klimën në vendimmarrjen financiare dhe për të nxitur bashkëpunimin midis palëve të interesuara.

Paneli i parë u fokusua në diskutimin e politikave dhe strategjive të nevojshme gjithëpërfshirëse, duke e parë financën e gjelbër si një mjet për të garantuar stabilitetin makroekonomik dhe financiar dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për të gjithë. Gjatë sesionit të dytë u trajtua rëndësia e qasjeve bashkëpunuese dhe zgjidhjeve inovative për të menaxhuar në mënyrë efektive rreziqet klimatike brenda sektorit financiar.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori falënderoi Bankën Botërore për bashkëpunimin e shkëlqyer si dhe shprehu mirënjohjen ndaj Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin në adresimin e këtyre çështjeve kritike. Gjithashtu ai inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit për t’i përkthyer këto njohuri në veprime të prekshme dhe zgjidhje sa më kreative brenda institucioneve dhe roleve të tyre përkatëse, si mbikëqyrës dhe si bankierë.