BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë organizoi fazën finale të konkursit "Vlera e Vërtetë e Parasë" me nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit

Data e publikimit: 25.04.2008

 

Të premten në datë 25 prill, në sallën "Black Box", në Akademinë e Lartë të Arteve u zhvillua faza finale e konkursit që Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës organizon për nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit, të quajtur "Vlera e Vërtetë e Parasë".

Faza eliminatore u zhvillua në hollin e Bankës së Shqipërisë në datat 2 dhe 4 prill. 20 ekipet pjesëmarrëse u përballën me njëri tjetrin të ndarë në grupe me nga 5 shkolla. Sfida i përngjau një konkursi klasik, ekipet konkurruan për rreth 90 minuta përpara panelit të jurisë të përbërë nga drejtues të Bankës së Shqipërisë. Ata iu përgjigjën një grupi të larmishëm pyetjesh, si pyetje me shtjellim, pyetje rrufe, pyetje kuis, pyetje me plotësim termash, një zgjidhje ushtrimi, një interpretim grafiku, duke e mbyllur konkurrimin me përgjigjen e një pyetjeje, të përgatitur nga vetë ekipet pjesëmarrëse për njeri tjetrin. Skuadrat, të cilat u paraqitën më mirë për sa i përket njohurive mbi materialin përgatitor, aftësive analitike të argumentit, aftësive prezantuese dhe punës në grup janë: "Qemal Stafa", "Sami Frashëri" dhe "Besnik Sykja".

guvernatori ne takimin 3

Edukimi i publikut është parë nga Banka e Shqipërisë si një mundësi më shumë, për të siguruar një ambient të përshtatshëm të zhvillimit të aktivitetit të saj; si një domosdoshmëri për krijimin e bazës për zhvillimin e një komunikimi interaktiv; si një parakusht që duhet plotësuar "për të jetuar në harmoni"me shoqërinë, prosperitetit të të cilës i shërben; si një mjet i pazëvendësueshëm në funksion të rritjes së reputacionit dhe besueshmërisë së saj nga publiku; si një mënyrë efikase e rritjes së transparencës dhe përgjegjshmërisë që ajo synon të transmetojë në publik.

Për këtë arsye, duke ndjekur edhe shembullin e bankave qendrore të vendeve më të zhvilluara, Banka e Shqipërisë ka ideuar programin edukues gjithëpërfshirës, të parin në llojin tij, të quajtur "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme". Pjesë e të cilit është dhe konkursi për nxënësit e shkollave të mesme "Vlera e Vërtetë e Parasë".

Programi edukues "Banka Qendrore në Jetën e Përditshme" synon të krijojë një kulturë të vërtetë ekonomike-financiare për të gjitha grupet e interesit dhe grupmoshat e ndryshme, duke zhvilluar aktivitete edukuese për secilin prej tyre. Megjithatë, brezit të ri i është kushtuar një vëmendje dhe përkushtim i veçantë jo vetëm prej këtij programi por edhe prej aktiviteteve edukuese të Bankës së Shqipërisë në përgjithësi. Kështu, gjatë dy viteve të fundit janë organizuar takime me nxënësit e viteve të treta të gjimnazeve të kryeqytetit, ku është bashkëbiseduar rreth fushave të ekonomisë, financave personale dhe bankës në veçanti. Janë shpërndarë rreth 17 000 broshura edukative të shkruara në gjuhë të kuptueshme nga të gjithë, janë zhvilluar takime në shkollat e mesme të kryeqytetit dhe janë organizuar vizita në ambientet e Bankës së Shqipërisë për nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës. Kështu, konkursi "Vlera e Vërtetë e Parasë" është finalizimi i një përgatitjeje të gjatë si për Bankën Qendrore ashtu edhe për gjimnazistët e Tiranës, por nga ana tjetër është dhe fillimi i një tradite të re. Pasi organizimi i një konkursi të tillë do të shndërrohet shumë shpejt në traditë në Bankën e Shqipërisë, duke u zgjeruar atë edhe në qytete të tjera.

Pyetjes se përse Banka e Shqipërisë e ka filluar punën në fushën e edukimit me grupmoshën e nxënësve të shkollave të mesme, mund t'i sjellim si përgjigje fjalët e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në shkollën e mesme të përgjithshme "Qemal Stafa" të Tiranës:

"Ju, të rinjtë, jeni e ardhmja e një shoqërie. Siç jemi të gjithë dëshmitarë, shoqëria shqiptare po synon të integrohet në Evropën e Bashkuar. Në fjalë më të thjeshta, shoqëria jonë po përpiqet të bashkojë vlerat e saj më të mira me ato të popujve tashmë të bashkuar të Evropës. E pa dyshim, që ndër vlerat me të cilat mund të krenohet shoqëria jonë, kam bindjen e plotë që jeni ju."