BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë organizon forumin me aktorët e sistemit financiar, me tematikë mbikëqyrja dhe stabiliteti financiar, si dhe funksionimi i tregut të parasë dhe atij financiar

Data e publikimit: 03.04.2008

 

Në vijim të përpjekjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të nxitur komunikimin periodik me sistemin financiar në përgjithësi, dhe me atë bankar në veçanti, Banka e Shqipërisë organizoi sot në ambientet e hotel "Tirana International", forumin me tematikë: mbikëqyrja dhe stabiliteti financiar, si dhe funksionimi i tregut të parasë dhe atij financiar.

I konceptuar në formën e një tryeze të rrumbullakët me drejtuesit e institucioneve financiare bankare dhe jobankare, ky forum kishte për qëllim trajtimin e mjaft çështjeve dhe sfidave, me të cilat përballet sot sistemi financiar në Shqipëri, si dhe gjetjen e mënyrave dhe hapave që garantojnë stabilitetin e sistemit bankar dhe rrisin eficiencën e tregut financiar.

Ky forum, i cili do të pasohet në të ardhmen nga forume dhe tryeza të tjera të kësaj natyre me aktorët e sistemit financiar, do të përbëjë një traditë të Bankës së Shqipërisë, duke synuar përsosjen e tregut financiar dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në fjalën e tij me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, theksoi nevojën e komunikimit periodik me aktorët e sistemit financiar, duke u shprehur se dialogu i përhershëm i shërben ngritjes së çështjeve me rëndësi për sistemin financiar dhe gjetjen e zgjidhjeve që garantojnë një të ardhme të sigurtë.

Pasi përmendi zhvillimet pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2007, ndër të cilat mund të përmenden rritja e aktiveve të sistemit bankar, rritja e produkteve elektronike në shërbim të klientëve, zgjerimi i rrjetit bankar me degë dhe agjenci të reja, krijimi i Regjistrit të Kredive etj., z. Fullani u ndal në disa çështje që konsiderohen delikate nga Banka e Shqipërisë dhe që kërkojnë vëmendje më të madhe nga ana e sistemit bankar.

Kredia për ekonominë mbetet veçanërisht në vëmendje të Bankës së Shqipërisë. Në konstatimet e bëra prej saj, vihet re se kredia në valutë vazhdon të mbizotërojë portofolin e kredisë. Në këtë kontekst, z. Fullani shprehu shqetësimin e Bankës së Shqipërisë për vijimin e akordimit në valutë të pjesës më të madhe të kredisë konsumatore dhe të kredisë për hipoteka, në një kohë kur pjesa më e madhe e individëve i ka të ardhurat në monedhën kombëtare, gjë që pasqyron nënvlerësimin e rrezikut të kursit të këmbimit nga ana e sektorit bankar. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një paketë ndryshimesh rregullatore, e cila ndërthur masat administrative me ato të kujdesit dhe mbikëqyrjes, duke synuar ruajtjen e cilësisë së portofolit të kredive.

Një tjetër temë e rëndësishme në të cilën u ndal z. Fullani, dhe që shpesh ka qenë në qendër të diskutimeve të tij, ishte transparenca e sistemit bankar me publikun. Duke e konsideruar transparencën si pikënisjen e një qeverisjeje të mirë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë iu bëri thirrje bankave tregtare që të jenë më të hapura me publikun dhe me klientët e tyre, duke u shprehur që ende ekziston një hendek dhe mungesë informacioni të nevojshëm që klientët e bankave duhet të kenë për bankën, së cilës i besojnë paratë e tyre. "Banka e Shqipërisë", - u shpreh Guvernatori, "do të nxisë sistemin bankar të përballet drejtpërdrejtë me tregun."

Administrimi dhe kontrolli i brendshëm ishte një tjetër çështje e ngritur në diskutimin e z. Fullani dhe që kërkon vëmendje dhe kujdes nga ana e sistemit bankar. Guvernatori theksoi nevojën e kualifikimit të njerëzve me shkallë të lartë integriteti dhe profesionalizmi, veçanërisht në drejtim të cilësisë së burimeve njerëzore të përfshirë në vendimmarrje dhe në administrimin e rrezikut.

Gjatë fjalës së tij, z. Fullani u ndal edhe në masat e ndërmarra nga ana e Bankës së Shqipërisë për zhvillimin e tregut ndërbankar të parasë nëpërmjet orientimit të operacioneve monetare, drejt krijimit të një strukture likuiditeti të përshtatshme për të gjallëruar aktivitetin në këtë treg, si dhe përmes zgjerimit të hapësirës së përdorimit të rezervës së detyruar.

Si u shpreh dhe z. Fullani: "Banka e Shqipërisë do të jetë tërësisht e angazhuar në marrjen e masave për nxitjen, rritjen dhe zgjerimin e tregut dhe të instrumenteve të ndërmjetësimit financiar. Ky forum" - përfundoi ai, - "konfirmon rolin e Bankës së Shqipërisë dhe të sistemit bankar si dy nga faktorët e rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi, dhe të sistemit financiar, në veçanti".

Më pas, forumi vijoi me diskutimin dhe trajtimin e çështjeve të mësipërme nga ana e të pranishmëve.