BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë organizon konkursin "Vlera e Vërtetë e Parasë" me nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit

Data e publikimit: 02.04.2008

 

Në përpjekjen e saj për edukimin e publikut, nën shembullin edhe të bankave qendrore të vendeve më të zhvilluara, ndër aktivitetet e planifikuara të zhvillohen prej programit edukues gjithëpërfshirës "Banka Qendrore në jetën e përditshme", Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, organizon konkursin "Vlera e vërtetë e parasë", me nxënësit e viteve të treta të të gjitha shkollave të mesme të kryeqytetit. Konkursi, është një prej aktiviteteve të përfshira në Memorandumin e Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë në datën 13 dhjetor 2007.

Banka e Shqipërisë ftoi të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit të përballen lidhur me çështje që kanë të bëjnë me funksionin kryesor të Bankës Qendrore, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe hartimin e zbatimin e politikës monetare të saj. Me organizimin e një konkursi të tillë, Banka e Shqipërisë synon të njohë nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme të Tiranës me funksionet e Bankës së Shqipërisë dhe rolin që ajo luan në zhvillimin ekonomik të vendit. Përveç synimit kryesor, organizimi i këtij aktiviteti ka për qëllim të nxisë interesin e brezit të ri në lëndën e ekonomisë, biznesit dhe financës, si drejtime për studime universitare dhe pasuniversitare dhe një pedanë kërcimi drejt një karriere dhe kontributi të suksesshëm në këto fusha.

20 shkolla të mesme të kryeqytetit marrin pjesë në konkursin "Vlera e Vërtetë e Parasë". Faza e parë eliminatore u zhvillua në ambientin e Hollit të Bankës së Shqipërisë, prej orës 10:00 - 15:00 dhe u përshëndet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani. Në fjalën e tij, si edhe në raste të tjera, ai vlerësoi çështjet e edukimit si shumë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë. Ai gjithashtu, shpalosi ambicien e Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim, si edhe sukseset që ka shënuar në këta vitet e fundit, në fushën e edukimit.

10 shkolla të mesme publike dhe private konkurruan midis tyre të ndara në grupe me nga 5 shkolla. Faza e dytë eliminatore, e cila do të vërë përballë njëra tjetrës 10 shkolla të mesme të tjera, do të zhvillohet të premten, datë 4 prill prej orës 10:00 - 15:00.

Sfida u zhvillua në formën e një konkursi klasik, ku skuadrat iu përgjigjën pyetjeve të një paneli jurie, të ngritur nga Banka e Shqipërisë dhe u gjykuan jo vetëm mbi njohuritë e tyre, por edhe mbi aftësitë analitike të argumentimit të përgjigjeve, aftësitë prezantuese dhe punës në grup.

Programi edukues "Banka Qendrore në jetën e përditshme" është një program i përshtatur për të gjithë grupet e interesit dhe grupmoshat e ndryshme, duke zhvilluar aktivitete edukuese për shkollat e mesme, universitetet dhe grupe të tjera interesi. Puna e bërë në kuadër të tij dhe konkursit "Vlera e Vërtetë e Parasë", pjesë e këtij programi, i ka fillimet në qershor të vitit 2007, me zhvillimin e një programi pilot, gjatë së cilit u organizuan seminaret e para trajnuese dyditore për mësuesit e lëndës së ekonomisë së zbatuar, që tashmë janë kthyer në traditë.

Ajo që vlen të theksohet është që puna edukuese me nxënësit e shkollave të mesme dhe të rinjtë në përgjithësi, nuk mbaron këtu. Siç u shpreh edhe Guvernatori Fullani, ajo sapo ka filluar: - "Çfarë realisht ne synojmë, - u shpreh ai, - nuk është vetëm ky konkurs, është më shumë se kaq, është një bashkëbisedim i përhershëm midis brezit të ri dhe Bankës së Shqipërisë."