BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM
Banka e Shqipërisë publikon për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë”

Data e publikimit: 07.08.2018

 

Banka e Shqipërisë publikon për konsultim publik projektligjin “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji ka si qëllim krijimin e një baze të qartë ligjore për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë dhe synon të përafrojë pjesërisht legjislacionin shqiptar me Direktivën 2015/2366 BE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Evropës të datës 25 Nëntor 2015 “Për shërbimet e pagesave në tregun e brendshëm”.

Hartimi i projektligjit adreson një sërë objektivash strategjikë të Bankës së Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave me qëllim krijimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri, mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase pagesash, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh e shërbimesh pagesash që plotësojnë nevojat e përdoruesve.

Transpozimi i kësaj direktive përbën gjithashtu dhe një nga detyrimet për t’u përmbushur nga Banka e Shqipërisë në kuadër të integrimit në BE, si pjesë e kapitullit IV, Lëvizja e Lirë e Kapitalit të “Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” dhe përafrimin me tregun e pagesave të Bashkimit Evropian (SEPA). 

Për komente apo pyetje mund të na shkruani në e-mailin në vijim:  [email protected].

Afati i konsultimit zgjat deri në datën 20 Shtator 2018.