BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Banka e Shqipërisë renditet e para ndër bankat e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore për transparencën dhe komunikimin e saj me publikun

Data e publikimit: 22.06.2021

 

Banka Kombëtare e Austrisë ka publikuar raportin e saj me titull “Fokus mbi Integrimin Ekonomik Evropian” për tremujorin e dytë 2021, i cili përmban analiza dhe pikëpamje ekonomike, si dhe studime analitike mbi makroekonominë dhe çështje të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL). Në këtë raport, një nga elementet e veçanta të studiuara është dhe transparenca dhe komunikimi i bankave qendrore me publikun, për periudhën 1997-2019.

Në këtë studim, Banka e Shqipërisë u rendit e para nga të gjitha bankat e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, për komunikimin mjaft aktiv me publikun.

 DSC7693 - 498

Gjetjet e këtij studimi tregojnë se frekuenca e komunikimit dhe numri i fjalimeve nuk ndërlidhet me madhësinë e ekonomisë së vendeve dhe as numrin e popullsisë. Banka e Shqipërisë evidentohet si shumë aktive krahasuar me bankat homologe, pavarësisht nga numri i vogël i popullsisë.

Statistikat e monitorimit tregojnë se frekuenca e komunikimit nuk lidhet as me faktin që vendi ndjek një politikë monetare të pavarur ose është pjesë e bashkimit monetar të Bankës Qendrore Evropiane. Disa banka qendrore që janë pjesë e zonës së euros kontribuojnë në të njëjtën masë si bankat e tjera qendrore që ndjekin politikën e tyre të pavarur monetare.

Për shembull, duke studiuar rajonin e EQLJL-së , të dhënat tregojnë se Banka e Shqipërisë komunikon më shpesh me publikun, ndërsa bankat e tjera qendrore nga ky rajon mbeten shumë pas saj. Banka e Shqipërisë publikon rreth 250 fjalime, ndërsa banka qendrore e Turqisë, e cila renditet e dyta, publikon 100 fjalime, e ndjekur nga banka qendrore e Serbisë me rreth 90 fjalime. Bankat qendrore të vendeve të tjera kishin një numër shumë më të ulët fjalimesh. Raporti ofron një krahasim në këtë tregues edhe me vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e Eurozonës, dhe, në këtë kuadër, Shqipëria rezulton në nivele thuajse të njëjta me Italinë, dhe më lart se vende të tilla si Greqia, Finlanda, Holanda, Belgjika apo edhe vetë Austria. 

Një tjetër tregues i raportit ishte identifikimi i temave më të trajtuara në fjalime nga bankat qendrore. Statistikat sugjerojnë që BQE-ja, bankat qendrore të EQLJL-së dhe bankat e tjera qendrore jashtë Eurozonës ia kushtojnë pjesën më të madhe të komunikimit të tyre çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve. Sa i përket Shqipërisë, tema që merr vëmendjen maksimale në daljet e Bankës së Shqipërisë është ajo referuar stabilitetit financiar.