BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Çelet Java e Parasë

Data e publikimit: 27.03.2017

 

Në datë 27 mars 2017, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u çel Java e Parasë për vitin 2017, gjatë së cilës do të organizohen aktivitete të ndryshme në datat 27-31 mars 2017. Kjo Javë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë në të ardhmen qytetarë të përgjegjshëm financiarisht. Partnerë të shumtë në mbarë globin do të organizojnë aktivitete të larmishme për te përfshirë dhe fëmijët, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si t'i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.

 dsc0992-2 -  498 copy

Gjatë kësaj jave, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, dhe partnerë të tjerë do të organizojnë aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për fëmijë dhe të rinj si: leksione, konkurse shkollore dhe televizive, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe në banka tregtare, orë të hapura mësimore, shfaqje teatrale dhe ekspozita me piktura për fëmijë.

Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2017 e përshëndetën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Periklis Drougkas.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në edukimin financiar, përmes zbatimit të programeve edukative dhe hartimit të teksteve mësimore dedikuar arsimit fillor dhe atij të mesëm.

Ai nënvizoi gjithashtu moton e aktivitetit "Mëso, kurse, fito", i cili i kushtohet tërësisht ndërgjegjësimit të të rinjve mbi rëndësinë e parasë dhe përfshirjes sa më të gjerë të tyre në sistemin ekonomik e financiar të vendit edhe më gjerë.

Më tej, Guvernatori Sejko shtoi se informimi sa më i plotë i konsumatorit dhe përfshirja financiare e publikut përbëjnë dy çështje kyçe që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien ekonomike të individëve dhe të bizneseve.

Më tej aktiviteti vijoi me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e tre konkurseve të para të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e Javës së Parasë.

Konkursi i parë ishte "Paraja ime" në të cilën morën pjesë nxënësit e shkollave fillore, të klasave I-III, me vizatime të thjeshta mbi konceptin e tyre të parasë dhe të kursimit. Në këtë konkurs morën pjesë mbi 500 nxënës nga rreth 35 shkolla 9-vjeçare, prej të cilëve u përzgjodhën 10 fitues.

Konkursi i dytë i organizuar është ai i videos më të mirë me temë "Kurse për ditë të vështira! Kurse për ditë më të mira!". Konkursi ftoi nxënësit gjimnazistë të përcillnin mesazhet e tyre për temën përmes një videoje prej jo më të gjatë se 2 min. Gjithsej në konkurs u paraqitën 14 video nga nxënës të shkollave të mesme të vendit, prej të cilave u shpallën 3 fitues.

Konkursi i tretë i organizuar është ai i esesë më të mirë me temë "A duhet të jetë i detyrueshëm edukimi financiar në kurrikulën akademike?". Në këtë konkurs u paraqitën 19 ese nga studentë të degës financë-bankë të vitit të tretë, nga universitete të ndryshme të vendit, prej të cilave u përzgjodhën për të fituar çmime 3 esetë më të mira.

Informacion të plotë për fituesit e këtyre çmimeve, si dhe për aktivitetet e tjera të Javës do të gjeni në faqen zyrtare Facebook të Bankës së Shqipërisë.