BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ceremonia e promovimit të librit “Epoka e trazirave: Aventura në një botë të re” të Alan Greenspan, ish-Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale.

Data e publikimit: 03.02.2011

 

Sot, në datë 3 shkurt 2011, u zhvillua ceremonia e promovimit të librit “Epoka e trazirave: “Aventura në një botë të re” të Alan Greenspan, ish- kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, me parathënie të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani. Në fjalën e tij, Guvernatori Fullani është shprehur se drejtimi që ai i bëri politikës monetare të Rezervës Federale, si besimtar i zjarrtë i tregut dhe ithtar i inovacionit, i karakterizuar nga zhdërvjelltësia për zgjidhjen e situatave të pamundura, e justifikon plotësisht shprehjen se politika monetare nuk është shkencë, por art. “Ndoshta për këtë arsye, ai është cilësuar “MAESTRO”, shprehje që përdoret shpesh për artin e jo për financat dhe politikën. I urtë, bindës, imponues, njëkohësisht modest dhe miqësor, me një zë të plotë dhe karakteristik - ky është imazhi që unë ruaj për të madhin Chairman Greenspan, njeriun që lëvizte tregjet”, - ka theksuar Guvernatori Fullani.

Në fjalën e tij Guvernatori theksoi se në libër, ndër të tjera, pasqyrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë shumë ide në lidhje me disa nga sfidat dhe objektivat më të cilat përballet ekonomia jonë. 

.2011-02-03_greenspan book promotion.

Duke marrë shkas nga përfundimet e autorit, z. Fullani vuri theksin në disa prej këtyre çështjeve siç janë: pavarësia e Bankës Qendrore, vazhdimi i reformave strukturore, bashkëpunimi rajonal dhe domosdoshmëria për të thithur sa më shumë investime të huaja.

Në lidhje me pavarësinë është e rëndësishme që banka qendrore të jetë e pavarur, transparente, e përgjegjshme, por jo e izoluar. Bashkërendimi me institucionet e tjera vendimmarrëse është i rëndësishëm.  

Po kaq i rëndësishëm është thellimi i mëtejshëm i procesit të reformave strukturore. Sipas tij, investimet e huaja dhe reformat strukturore konsiderohen një element shumë i rëndësishëm për ekonominë e një vendi. Në mënyrë që efikasiteti i reformave dhe interesi i investitorëve të huaj të rritet sa më shumë duhet që vendet e rajonit të rrisin bashkëpunimin  me njëri-tjetrin. Vetëm kështu rajoni ynë do të merrte përmasat e një ekonomie të shkallës.

“Është momenti i duhur që të gjithë të çlirojnë energji pozitive dhe të besojnë tek inovacioni”, - theksoi Guvernatori. 

Ceremonia e promovimit të librit u zhvillua në prani të Ministrit të Financave, z. Ridvan  Bode, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesve të sistemit bankar, përfaqësuesve nga komuniteti i biznesit, ekonomistëve si dhe opinionistëve dhe gazetarëve.

Libri “Epoka e trazirave: “Aventura në një botë të re” vjen për herë të parë për lexuesin shqiptar. “Epoka e trazirave” tregon përballjen e pazakontë të Alan Greenspan-it me botën e sotme financiare, çka lidhet ngushtë me përvojën vetjake dhe punën për drejtimin e ekonomisë globale për një kohë më të gjatë dhe me më shumë efektivitet se çdo figurë tjetër e gjallë. Duke ndjekur harkun e udhëtimit të jashtëzakonshëm të jetës së tij për më shumë se tetëmbëdhjetë vjet si Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale, veçanërisht në pjesën e dytë të librit, Greenspan-i ndërmerr një udhëtim të shkëlqyer në horizontin e ekonomisë globale. Mishërim i thelbit të një jete plot urtësi dhe mprehtësi, si dhe i shprehjes elegante të një botëkuptimi koherent, “Epoka e trazirave” përbën trashëgiminë më të madhe vetjake dhe intelektuale të Alan Greenspan-it.

Për gati 18 vjet Greenspan ka qenë figura më e rëndësishme në ekonominë ndërkombëtare. Alan Greenspan ka lindur në 6 mars të vitit 1926. Ai është një ndër ekonomistët më të njohur në arenën ndërkombëtare. Në vitin 1987 Greenspan u emërua për herë të parë nga Presidenti Amerikan Ronald Reagan, si Kryetar i Bordit të Guvernatorëve të Rezervës Federale. Ai është emëruar në intervale të njëpasnjëshme katërvjeçare deri në daljen në pension të tij, në 31 janar 2006.