BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË E BANKËS SË SHQIPËRISË
Deklarata e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019

Data e publikimit: 15.04.2020

 

Në mbështetje të kërkesës së nenit 69 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të nenit 8 të ligjit nr. 9962, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të informuar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave, si edhe për të tërhequr vëmendjen e institucioneve financiare dhe të publikut mbi gjendjen e sistemit financiar në vend dhe rreziqet potenciale që mund të kërcënojnë qëndrueshmërinë e tij, Banka e Shqipërisë publikon këtë deklaratë periodike. Kjo deklaratë është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë.

Në raportin e stabilitetit financiar dhe në këtë deklaratë që e paraprin, vlerësohet ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve që burojnë prej ndërveprimit të tij me zhvillimet ekonomike, të jashtme dhe të brendshme, me agjentët e ekonomisë reale, me tregjet financiare në vend, si edhe ndaj rreziqeve që lidhen me mënyrën se si sektori bankar zhvillon veprimtarinë e tij. Në vijim, këto rreziqe përballen me gjendjen financiare të sektorit bankar dhe stresohen nëpërmjet ushtrimit të provës së rezistencës, për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019 (më tej, ‘periudha’), sektori bankar tregoi zhvillime pozitive në veprimtarinë e tij, mbështetur në ecurinë e treguesve të performancës financiare dhe të ekspozimit ndaj rreziqeve. Me përmirësimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit financiar, sektori bankar kontribuoi në rritjen ekonomike të vendit. Treguesit e kapitalizimit dhe ushtrimet e provës së rezistencës, dëshmojnë qëndrueshmërinë e veprimtarisë së sektorit bankar. Kjo qëndrueshmëri do të ruhet pavarësisht sfidës serioze dhe të paprecedentë me të cilën po përballet gjendja e shëndetit publik dhe zhvillimi i ekonomisë si rezultat i pandemisë së Koronavirusit SARS-COV-2 (Covid-19). Me këtë objektiv dhe për të kontribuuar më gjerësisht në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim të ngushtë me industrinë bankare dhe në harmonizim të plotë me autoritetet e tjera shtetërore, do të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme që i njeh ligji në mënyrë proaktive dhe transparente.

Ky raport, si rregull, analizon zhvillimet në sistemin financiar deri në fund të vitit 2019. Në përgjithësi, këto zhvillime, përpara ndikimit të pandemisë, konfirmonin:

  • Një kuadër të qëndrueshëm të zhvillimeve ekonomike brenda dhe jashtë vendit. Megjithëse i ndjeu efektet e tërmetit të nëntorit 2019 në tremujorin e fundit të vitit, rritja ekonomike vjetore e vendit për vitin 2019 mbeti pozitive dhe vlerësohet me bazë të gjerë, duke mundësuar rënien e mëtejshme të normës së papunësisë dhe duke mbështetur zhvillime përgjithësisht pozitive në bilancin e pagesave në kushtet e performancës së mirë të sektorit të turizmit dhe të qëndrueshmërisë së remitancave. Prirja konsoliduese e politikës fiskale rezultoi e dobishme për të siguruar një korrektim të nevojshëm për përballimin e efekteve afatshkurtra të tërmetit. Në rang botëror, zhvillimet ekonomike nuk patën ndryshime të dukshme nga periudha e mëparshme; ato u përcaktuan nga lufta tregtare mes ekonomive më të mëdha, konfliktet rajonale dhe vijimi i politikave akomoduese monetare në kushtet e presioneve të përmbajtura inflacioniste.

 

  • Ecurinë normale të tregjeve financiare në vend. Gjatë periudhës u evidentua rritje e normave të interesit në tregun parësor të titujve të qeverisë, si për emetimet afatshkurtra ashtu edhe për ato afatgjata. Vëllimi i transaksioneve në tregun sekondar shënoi rënie dhe u përqendrua kryesisht në emetimet afatshkurtra, duke reflektuar preferencën e investitorëve për zotërimin e titujve të borxhit deri në maturim. Rënie e vëllimit të transaksioneve ditore dhe javore u vu re edhe në tregun ndërbankar, por normat e interesit mbetën pranë nivelit të normës bazë të interesit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Kursi i këmbimit të lekut tregoi luhatshmëri të ulët gjatë periudhës. Në tregun e pasurive të paluajtshme, treguesit e marrë nga vrojtimet tregojnë për rritje të çmimit, në kushtet e rritjes së kërkesës dhe të ofertës. Gjatë periudhës, funksionimi i sistemeve të pagesave ka qenë optimal, duke njohur rritje të vëllimit dhe numrit të pagesave të procesuara.

 

  • Kushte më të përshtatshme financimi për individët dhe bizneset. Si individët ashtu edhe bizneset rritën financimin e tyre nga sektori bankar gjatë periudhës, por kjo rritje ishte më e shpejtë tek bizneset. Edhe depozitat e të dy sektorëve në banka njohën rritje, por zgjerimi i depozitave të individëve ishte rreth 6 herë më i lartë se ai i bizneseve. Rritja e depozitave të individëve, e cila ishte kryesisht në valutë, reflektoi edhe rënien e investimeve të tyre në tituj. Sipas vrojtimit që kryen rregullisht Banka e Shqipërisë, pesha e familjeve që kanë një borxh për të paguar është relativisht e ulët (24%), dhe ngarkesa e borxhit vlerësohet e përballueshme. Për periudhën e ardhshme, familjet shpehen më të gatshme për të rritur nivelin e huamarrjes. Edhe për ndërmarrjet, ngarkesa me borxh vlerësohet e përshtatshme, në kushtet kur vlera e borxhit zë gjysmën e vlerës së kapitalit për 78% të ndërmarrjeve, dhe gati 67% e tyre deklarojnë se pagesa e borxhit nuk kalon 20% të të ardhurave të veprimtarisë. Megjithatë, barra e pagesës së borxhit shfaqet më e lartë tek ndërmarrjet e vogla. Edhe tek ndërmarrjet është vënë re një gatishmëri më e madhe për të rritur nivelet e huamarrjes në periudhën e ardhshme.

 

  • Performancën e mirë të sistemit financiar. Gjatë periudhës, aktiviteti i sistemit financiar u zgjerua me gati 2.6 pikë përqindje, duke u ngjitur në 107% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë rritje, kontributin kryesor e dha zgjerimi i veprimtarisë së sektorit bankar, me gati 4% gjatë periudhës. Kontribut pozitiv në këtë ecuri dha aktiviteti i kreditimit dhe i vendosjeve, por më kryesori ishte aktiviteti i investimeve në tituj. Kredia shënoi rritje gjatë periudhës dhe për vitin 2019 ajo u zgjerua me 4.8%. Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë kredia për bizneset, ajo në lekë dhe ajo afatgjatë. Depozitat u rritën me 5.4% gjatë vitit, ku kontributin kryesor e dhanë depozitat e individëve, ato pa afat dhe ato në valutë. Sektori bankar e mbylli vitin me fitim më të lartë se një vit më parë, me një normë kthimi mbi aktivet dhe mbi kapitalin, përkatësisht në nivelet 1.4% dhe 13.5%. Rezultati financiar u ndikua dukshëm nga zgjerimi i fitimit prej instrumenteve financiare, ndërsa të ardhurat neto nga interesat, të cilat mbizotërojnë në të ardhurat e veprimtarisë bankare, shënuan rënie me 4.8%. Si rezultat, marzhi neto nga interesat ka zbritur në 3.4% në fund të periudhës, nga 3.7% një vit më parë. Ndonëse raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit zbriti me 0.2 pikë përqindje gjatë periudhës, niveli i tij prej 18.3% vlerësohet mjaft i mirë.

 

  • Ekspozimin e kontrolluar të sektorit bankar ndaj rreziqeve. Gjatë periudhës, cilësia e portofolit të kredisë vijoi përmirësimin. Si rezultat, raporti i kredive me probleme zbriti në 8.4%, për herë të parë në nivel njëshifror gjatë dekadës së fundit. Kontributin në rënien e kredive me probleme gjatë periudhës e dhanë fshirjet, ristrukturimet dhe shlyerjet. Fshirjet e kredive me probleme kanë rinisur pas ndryshimeve rregullative të Bankës së Shqipërisë për shkurtimin në dy vjet të kohës së klasifikimit të kredisë si “e humbur”, përtej së cilës banka duhet ta largojë kredinë nga bilanci. Përmirësimi në cilësinë e kredisë është vërejtur kryesisht në portofolin e kredisë për biznese, kredisë në valutë dhe kredisë me afate më të gjata maturimi. Në përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së kredisë, bankat administruan në mënyrë proaktive situatën e krijuar pas tërmetit të nëntorit 2019, që sidoqoftë ishte një goditje e kufizuar në kohë dhe në dëme. Një sfidë shumë më komplekse është përpara dhe lidhet me efektet që do të sjellë situata aktuale e pandemisë shëndetësore në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjendja e likuiditetit të sektorit bankar paraqitet mjaft e mirë dhe ka paraqitur pak ndryshime gjatë vitit 2019. Tek rreziqet e tregut, sektori bankar është i ndjeshëm ndaj rrezikut të kursit të këmbimit përmes segmentit të kredisë së pambrojtur në valutë. Ekspozimi ndaj rrezikut të normës së interesit mbetet i pranishëm, por është relativisht i kufizuar.

Rreziqet e veprimtarisë bankare reflektojnë dhe ndërthuren me zhvillime të natyrës strukturore. E tillë është ekzistenca për një kohë të gjatë e mjedisit me norma të ulëta interesi, i cili ruan presionin mbi rezultatin financiar të bankave, nxit ndryshimin e strukturës së financimit të tij drejt burimeve më afatshkurtra dhe nevojës për aktive likuide të larta, si dhe ruan potencialin për rritje të stresit të veprimtarisë në rastin e një korrigjimi të fortë e të papritur. Përdorimi i lartë i valutës në sektorin bankar shoqërohet me rreziqe për administrimin e rrezikut të likuiditetit në valutë.

Banka e Shqipërisë është përpjekur t’i adresojë këto rreziqe nëpërmjet veprimeve rregullative të natyrës mikroprudenciale dhe instrumenteve të politikës makroprudenciale. Disa akte të reja rregullative që janë futur në zbatim - ku përfshihen ai për raportin e mbulimit të likuiditetit, paketa e masave për deeuroizimin, si edhe rregullorja për zbatimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, - synojnë zbutjen e rreziqeve dhe forcimin e rezistencës së sektorit bankar ndaj tyre.

Vlerësim mbi ndikimin e pandemisë COVID-19

Kur vlerësohet gjendja dhe stabiliteti i sistemit financiar, si edhe kapacitetet e tij për përballimin e rreziqeve, vështrimi duhet të jetë nga e ardhmja. Në këtë proces, nevojitet një vlerësim i përgjithshëm mbi efektet që pandemia aktuale e koronavirusit mund të ketë mbi ekonominë dhe stabilitetin e sistemit financiar.

Kjo pandemi dhe masat e marra nga Qeveria për mbrojtjen e jetës së shtetasve dhe eliminimin në një kohë sa më të shkurtër të emergjencës së koronavirusit, shoqërohen pashmangshmërisht me ndryshime të aktiviteteve që kryejmë në jetën e përditshme. Këto ndryshime përfshijnë edhe aktivitetet ekonomike ku ndikimi, ndonëse i përkohshëm, do të jetë i ndjeshëm. Më konkretisht, ndërmarrjet private dhe publike (me përjashtim ndoshta të atyre që ofrojnë shërbime jetike bazë), në varësi të aftësisë së tyre për t’u përshtatur qoftë edhe pjesërisht, mund të pësojnë dëmtim të zinxhirit të marrëdhënieve tregtare dhe do të ndjejnë mesatarisht një rënie të theksuar të shitjeve të mallrave e të shërbimeve. Kjo do të sjellë rënie të të ardhurave dhe vështirësi për të përballuar detyrimet financiare të veprimtarisë që lidhen me shpenzimet fikse dhe ato variabël. Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare. Këto të fundit, mund të përfshijnë edhe vështirësi në shlyerjen e kredive të marra në institucionet financiare, duke sjellë rënie të cilësisë së kredisë në këto institucione dhe ndikim negativ në rezultatin financiar.

Është e nevojshme që, për aq sa është e mundur, autoritetet publike të ndërmarrin veprime të shpejta dhe të rëndësishme për të ndërprerë rrjedhën e lirë të skenarëve të mësipërm dhe për të mbështetur ndërmarrjet, familjet dhe sistemin financiar në zbutjen dhe përballimin e efekteve negative që i shoqërojnë këta skenarë.

Ky është edhe qëndrimi i institucioneve financiare ndërkombëtare dhe strukturave të Bashkimit Evropian, ndaj një situate që vlerësohet e paprecedentë. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë vendosur në dispozicion fonde financiare dhe instrumente të posaçme për shfrytëzimin e tyre, me qëllim humarrjen e shpejtë të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Komisioni Evropian shpalli paketën e posaçme financiare prej 37 miliardë eurosh për përballimin e efekteve ekonomike dhe financiare, që shoqërojnë shpërthimin e epidemisë në vendet anëtare. Fokusi është tek familjet dhe bizneset e vogla e të mesme, të cilat mund të përballen me nevoja të ngutshme për likuiditet. Së fundi, Komisioni Evropian deklaroi se do të mbështesë pezullimin e kërkesave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes për përgjegjësinë fiskale, duke u mundësuar qeverive të vendeve anëtare të rrisin shpenzimet e nevojshme për përballimin e situatës. Në sferën monetare, Banka Qendrore Evropiane, në mbledhjen e datës 12 mars, ruajti kushtet monetare akomoduese dhe rriti në 120 miliardë euro paketën mujore të injektimit të likuiditetit përmes blerjes së titujve, duke synuar edhe zbutjen e luhatshmërisë së normave të interesit. Pak ditë më vonë, kjo u pasua nga një paketë e dytë në vlerën 750 miliardë euro. Më parë, edhe simotrat e saj në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar kishin marrë masa të ngjashme. Këto veprime të shpejta, ofruan shpresë dhe ndihmuan në ndalimin dhe korrektimin e pjesshëm të humbjeve të thella që kishin pësuar tregjet më të rëndësishme financiare. Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare në Bashkimin Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Autoriteti Bankar Evropian kanë mbështetur nevojën për fleksibilitet në trajtimin rregullativ nga ana e autoriteteve mbikëqyrëse, për të bërë të mundur që bankat të shndërrohen në një kanal më efektiv të përcjelljes së likuiditetit në ekonomi në situatën aktuale.

Në Shqipëri, autoritetet publike kanë ndërmarrë disa masa që synojnë zbutjen e ndikimit të pandemisë në ekonomi, duke shprehur nevojën për një qasje proporcionale dhe dinamike ndaj zhvillimeve të situatës dhe të panjohurave që e shoqërojnë atë.

Paketa fillestare financiare e prezantuar nga Qeveria, synon që krahas mbështetjes financiare për fuqizimin e kapaciteteve të strukturave të shëndetësisë, të zbusë pasojat financiare që kjo situatë mund të sjellë për agjentët realë të ekonomisë, pra edhe për rritjen ekonomike të vendit. Paketa ofron mbështetje për shtresat e popullsisë në nevojë dhe sigurimin e të ardhurave bazë për punëmarrësit në bizneset e vogla dhe ata të vetëpunësuar, në rastet kur veprimtaria ekonomike e tyre është ndërprerë për shkak të vendimeve të Qeverisë. Paralelisht, Qeveria ka ofruar garanci shtetërore për huamarrjen e re të bizneseve nga sektori bankar me qëllim plotësimin e nevojave të tyre afatshkurtra për likuiditet. Kjo e fundit, ofron mundësi për sipërmarrësit që të ruajnë fuqinë punëtore në afat të shkurtër, por edhe të përgatiten paraprakisht për një rifillim të veprimtarisë në mënyrën më të përshtatshme kur situata ta mundësojë. Më tej, janë bërë publike edhe disa lehtësime në përmbushjen e afateve të raportimeve tatimore. Së fundi, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga ana e Qeverisë e kthen trajtimin e situatës së pandemisë në një përparësi absolute për strukturat e shtetit, përshpejton zgjerimin, detajimin dhe fokusimin e politikave ndihmuese dhe ofron mekanizmat që sigurojnë një sinergji më të madhe mes entiteteve publike e private, e nevojshme për përballimin e situatës.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë veprimet e saja në drejtimet e administrimit institucional, komunikimit me subjektet e mbikëqyrura e posaçërisht me bankat, dhe në kuadër të politikave që zbaton.

Si institucion, Banka e Shqipërisë ka aktivizuar planin e saj të emergjencës nga strukturat e përcaktuara, ku në qendër janë vendosur siguria shëndetësore e personelit dhe vijimi pa ndërprerje i funksioneve kritike të bankës qendrore. Për të parën, është vepruar në përputhje me udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe të Qeverisë, duke kufizuar ndërveprimin me personat e jashtëm, duke ndërtuar kuadrin e identifikimit dhe trajtimit të personelit potencialisht të infektuar, duke kërkuar zbatimin maksimal të kushteve të higjienës dhe të distancimit fizik, si edhe duke përmirësuar kapacitetet e higjienizimit dhe të dezinfektimit në mjediset e institucionit. Për të përmirësuar kushtet e distancimit fizik dhe ulur mundësinë e infektimit, një pjesë e personelit është autorizuar të punojë nga shtëpia. Paralelisht, është siguruar vijimi i funksioneve kritike të institucionit, për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale. Në qendër të vëmendjes kanë qenë veprimet e bankës qendrore në tregun e hapur, transaksionet e furnizimit të bankave tregtare me para fizike, mirëfunksionimi i sistemeve të pagesave dhe marrëdhëniet me kontraktorët.

Edhe në drejtim të komunikimit me bankat, fokusi fillestar ka qenë i njëjtë: aktivizimi i planeve të emergjencës me qëllim mbrojtjen shëndetësore të personelit dhe vijimin e veprimeve kritike të institucioneve financiare. Duke qenë se situata e pandemisë është e paprecedentë, Banka e Shqipërisë ndau me bankat një Udhëzim të posaçëm lidhur me veprimet e një organizate në këtë rast. Paralelisht, komunikimi me bankat ka vijuar për të detajuar mënyrën e organizimit të punës prej tyre dhe dakorduar mënyrën e bashkëpunimit në dhënien nga Banka e Shqipërisë të funksioneve mbështetëse. Deri në momentin e hartimit dhe miratimit të këtij raporti, vëllimet e punës i janë përshtatur orareve më të kufizuara të veprimtarisë dhe, brenda këtyre kushteve, proceset janë zhvilluar normalisht.

Në kuadër të politikave të saj, veprimet e Bankës së Shqipërisë mund të ndahen në dy grupe: 1) në lëmin e politikës monetare, dhe 2) në atë të mbikëqyrjes bankare e të stabilitetit financiar. Grupi i parë i veprimeve synon mbështetjen e gjendjes së likuiditetit të sistemit financiar dhe mirëfunksionimin e tregjeve të parasë. Grupi i dytë i masave synon që në këtë periudhë të ndalimit të një pjese të konsiderueshme të veprimtarisë ekonomike në vend, të zbutet ndikimi i situatës mbi cilësinë e portofolit të kredisë, të lirohen burimet e bankave nga veprimtari që mund të shtyhen në kohë dhe të ruhet gjendja e mirë e likuiditetit dhe e kapitalizimit të bankave, në mënyrë që baza për një rigjallërim të aktivitetit në përfundim të pandemisë të jetë solide.

Në kuadër të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 25.3.2020, vendosi:

  • uljen e normës bazë të interesit me 0.50 pikë përqindjeje, në nivelin 0.5%. Në këtë mënyrë, bankat mund të marrin hua nga Banka e Shqipërisë me një kosto më të ulët dhe mund ta reflektojnë këtë kosto më të ulët në likuiditetin që përcjellin në ekonomi. Ky është niveli më i ulët historik i normës bazë të interesit të politikës monetare;
  • ngushtimin e diferencës mes normës së interesit të kredisë njëditore dhe të depozitës njëditore, duke ulur normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 0.9%. Përsëri, në këtë mënyrë, bankat që mund të kenë nevoja likuiditeti afatshkurtra, mund t’i përmbushin këto nevoja me instrumentin e posaçëm të Bankës së Shqipërisë.

Më parë, Banka e Shqipërisë kishte vendosur ndryshimin e formës së ankandit javor të injektimit të likuiditetit, për të mundësuar dhënien e likuiditetit të bankave në mënyrë të pakufizuar dhe me normën bazë të interesit.

Në kuadër të veprimeve në sferën e mbikëqyrjes dhe të stabilitetit financiar, Banka e Shqipërisë është fokusuar në nevojën për të ndihmuar huamarrësit në lehtësimin e përkohshëm të detyrimeve të tyre ndaj bankave dhe subjekteve të tjera kredidhënëse, në rastet kur huamarrësit ndeshen me vështirësi në kryerjen e veprimtarisë për shkak të masave për kufizimin e përhapjes së pandemisë. Për këtë qëllim, Guvernatori dhe Kryeministri i Shqipërisë, dolën me një urdhër të përbashkët ku iu kërkojnë institucioneve të kreditimit të trajtojnë sa më shpejt kërkesat që vijnë nga huamarrësit e dëmtuar (biznese dhe individë) dhe të shtyjnë këstet e kredive të tyre deri në datën 31 maj 2020. Në vijim, Banka e Shqipërisë pret që bankat dhe institucionet e tjera të kreditit të ndjekin një qasje proaktive, përmes së cilës, në konsultim me huamarrësit, të përdorin forma të tjera të njohura veçanërisht nga përvoja e viteve të fundit, për të ulur probabilitetin e dështimit të huamarrësit. Gjithashtu është e nevojshme të vlerësohet dhe të mbështetet nevoja e agjentëve realë të ekonomisë për financim të ri, gjatë dhe në vijim të pandemisë.

Për të lehtësuar veprimtarinë e bankave dhe të subjekteve të tjera të mbikëqyrura në kushtet kur punojnë me numër të pakësuar personeli, Banka e Shqipërisë ka ndërprerë përkohësisht inspektimet në vend pranë tyre. Gjithashtu, janë shtyrë afatet për konsultime të projektakteve të ndryshme, që lidhen me veprimtarinë e subjekteve të mbikëqyrura.

Ndonëse pandemia do të jetë e përkohshme, mbetet e panjohur se kur dhe me ç’ritëm do të dalë ekonomia nga efektet e saj. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, në konsultim me bankat dhe subjektet e tjera të mbikëqyrura, do të punojë për të konceptuar veprime të tjera të natyrës rregullative që do t’i përgjigjen zhvillimeve. Duhet theksuar se të gjitha veprimet që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren, do të orientohen gjithmonë nga objektivi kryesor, ai i ruajtjes së qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Në këtë proces, kapacitetet e sektorit bankar do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe për këtë qëllim do të përdoren edhe ushtrimet e provës së rezistencës.

Për fundin e vitit 2019 dhe në raport me rreziqet konvencionale, rezultatet e ushtrimeve të provës së rezistencës për gjendjen e kapitalizimit dhe të likuiditetit, tregonin gjendjen mjaft të mirë të këtyre kapaciteteve. Por situata e pandemisë, për efektet dinamike që po sjell në ekonominë e vendit, duket se përfaqëson një natyrë rreziku jokonvencional. Përballja me një situatë të tillë përmban të panjohura, të cilat kanë nevojë të kapen në mënyrë të përshtatshme nga modelet aktuale të vlerësimit të kapaciteteve të sistemit financiar dhe të sektorit bankar. Për këto arsye, është e nevojshme që bankat:

  • të rrisin përparësinë dhe frekuencën e realizimit të këtyre ushtrimeve, duke përshtatur natyrën, ashpërsinë dhe kompleksitetin e skenarëve; të vlerësojnë përshtatshmërinë e kapaciteteve që zotërojnë, për të përballuar goditjet eventuale që prodhojnë ata skenarë, jo vetëm në afatin e shkurtër por edhe në një afat më të gjatë;
  • të sigurojnë një proces vendimmarrjeje sa më të shpejtë dhe efektiv, për t’i fuqizuar këto kapacitete. Fokusi duhet të jetë tek ndërmarrja e veprimeve që jo vetëm ruajnë por edhe përmirësojnë më tej gjendjen e rezervave të kapitalit dhe të likuiditetit;
  • të forcojnë komunikimin me Bankën e Shqipërisë, për analizimin e zhvillimeve dhe të rezultateve.

Megjithëse ky raport i kushtohet analizës së zhvillimeve deri në fund të vitit 2019, ai konfirmon se pandemia e ka gjetur sistemin financiar dhe sektorin bankar në një gjendje shumë të mirë financiare. Kjo gjendje financiare do t’i lejojë sektorit bankar të përthithë goditjet e mundshme nga efektet që pandemia do të ketë mbi ekonominë e vendit.

Në kuadër të rolit dhe të politikave të saj, dhe në koordinim me autoritetet e tjera shtetërore, Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që sektori bankar dhe tregjet financiare, të veprojnë në këtë periudhë në kushte sa më të përshtatshme dhe në mënyrë të qëndrueshme.

Në vijim, gjeni të detajuar përmbajtjen e raportit të stabilitetit financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019.