BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Deklaratë e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të FMN-së në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri

Data e publikimit: 22.05.2007

 

Z.Murilo Portugal, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) bëri deklaratën e mëposhtme sot në Tiranë:

"Unë jam shumë mirënjohës për këtë mundësi për të vizituar Shqipërinë dhe dua të falenderoj Kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Financave Ridvan Bode dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë për mikpritjen e tyre të ngrohtë dhe për diskutimet e hapura dhe të sinqerta.

"Shqipëria ka patur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe ka treguar zotërim të fortë të programeve të FMN-së. Ne kemi diskutuar me autoritetet se si FMN-ja mund të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në të ardhmen. Përveç takimeve me qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë, unë gjithashtu u takova me përfaqësues të parlamentit, shoqërisë civile dhe medias.

"Gjatë takimit tim me Kryeministrin Berisha, unë e urova atë për progresin mbresëlënës të Shqipërisë që nga fillimi i tranzicionit, me një stabilitet makroekonomik tashmë të rrënjosur mirë dhe disa vite me një rritje ekonomike të lartë jo-inflacioniste. Unë gjithashtu shpreha vlerësimin tonë për zotërimin e fortë të të reformave nga autoritetet shqiptare. Ne ramë dakord për nevojën për reforma strukturore të mëtejshme për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të huaja direkte. Kjo do të jetë e nevojshme për të zhvilluar më tej sektorin e eksporteve shqiptare dhe për të ruajtur normat aktuale të larta të rritjes ekonomike në afatin e mesëm. Këto reforma, të cilat duhet të gëzojnë mbështetje të gjerë publike, do të duhet të përqëndrohen në reduktimin e sektorit informal dhe përmirësimin e qeverisjes; përmirësimin e institucioneve publike, përfshirë këtu gjyqësorin; përmirësimin e infrastrukturës, në veçanti rrjetet e energjisë elektrike dhe të transportit; dhe përfundimin e regjistrimit të pronësisë. Duke parë në të ardhmen, ne biseduam se si mundet FMN-ja ta mbështesë Shqipërinë, edhe pas përfundimit të programit aktual në 2009.

"Unë gjithashtu pata bisedime të dobishme me Ministrin Bode dhe Guvernatorin Fullani në fushat e tyre përkatëse.

"FMN-ja mbështet politikat fiskale të qeverisë që synojnë arritjen e një qeverie të vogël, por efiçente, me defiçit fiskal dhe borxh publik në rënie graduale në terma të PBB-së në afatin e mesëm dhe me shpenzime të përqëndruara në fushat prioritare si arsimi, shëndetësia dhe investimet në infrastrukturë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë me qeverinë axhendën e saj ambicioze për reforma tatimore, duke sjellë eksperiencën e praktikave më të mira ndërkombëtare për një pozicion fiskal të qëndrueshëm. Ne biem dakord për rëndësinë e përmirësimeve të mëtejshme në administrimin e të ardhurave dhe në menaxhimin e borxhit, përfshirë këtu dhe përdorimin e borxhit afat-shkurtër publik për të ndihmuar zhvillimin e tregjeve sekondare për letrat me vlerë të qeverisë.

"Pritshmëritë për inflacionin në Shqipëri janë të ankoruara mirë në nivele të ulëta, falë besueshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit të Bankës së Shqipërisë. Në të ardhmen, institucione të forta dhe të pavarura si Banka e Shqipërisë do të bëhen pika të brendshme e të rëndësishme referimi për hartimin e politikave ekonomike. Ndërsa rritja aktuale shumë e shpejtë e kreditimit do të sjellë sfida të reja për Bankën e Shqipërisë, ne jemi të inkurajuar që kjo rritje është më shumë e drejtuar nga investimet e biznesit.

"Në përfundim, unë jam i impresionuar nga angazhimi i qeverisë për të përballuar sfidat e ekonomisë shqiptare dhe për ta vendosur vendin në rrugën drejt shndërrimit në një ekonomi në zhvillim. FMN-ja është e angazhuar të vazhdojë të punojë me Shqipërinë për ta ndihmuar të realizojë këtë."