BANKA E SHQIPËRISË

DEKLARATË PËR SHTYP
Deklaratë e përbashkët e Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për tregun e këmbimit valutor

Data e publikimit: 24.05.2007

 

Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërmarrjen e nismave ligjore kundër aspekteve të informalitetit në ekonominë shqiptare në përgjithësi, dhe në tregun e brendshëm financiar në veçanti, dhe në përmbushje të përgjegjësive ligjore që rrjedhin nga Ligji "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" nr. 9662, datë 18.12.2006, i cili hyn në fuqi në datën 1 Qershor 2007 , deklarojnë se:

Konstatojnë me shqetësim vazhdimin e ushtrimit të veprimtarisë së këmbimit valutor nga subjekte të paliçencuara në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit.

Të dy institucionet konstatojnë se zhvillimi i paligjshëm i kësaj veprimtarie përbën dhunim te kuadrit ligjor ne fuqi dhe vlerësojnë se ai mbart dhe stimulon materializimin e rreziqeve lidhur me ruajtjen e stabilitetit makro dhe mikroekonomik tashmë ekzistues në Shqipëri, pastrimin e parave si dhe interesat e qytetarit apo konsumatorit shqiptar:

Kjo veprimtari e paliçencuar, dhe për rrjedhojë e pakontrolluar, që ushtrohet në këtë treg mund të krijojë mundësi për mbulimin dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme. Ushtrimi i kësaj veprimtarie në mënyrë të paligjshme dhe të paregjistruar në organet tatimore është burim i evazionit fiskal, dhe për rrjedhojë është shkak i pakësimit të të hyrave publike në buxhetin e shtetit.

Kjo veprimtari e paliçencuar përbën shkak për konkurrencën e pandershme ndaj operatorëve të tjerë të liçencuar të tregut të këmbimeve valutore, dhe si e tillë është burim i deformimeve në zhvillimin e shëndoshë dhe funksional të këtij tregu.

Gjithashtu, zhvillimi i veprimtarisë së këmbimit valutor në mënyrë të pambikëqyrur krijon premisa të përshtatshme për qarkullimin e kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara.

Për sa më sipër, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave angazhohen të bashkërendojnë përpjekjet e tyre institucionale për marrjen e masave të nevojshme ligjore për mbylljen dhe formalizimin e këtij tregu.

Banka e Shqipërisë fton të gjithë shtetasit dhe subjektet e tjera të interesuara për të ushtruar veprimtarinë e liçencuar të këmbimit valutor, të aplikojnë pranë këtij institucioni për marrjen e liçencës në përputhje me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë. Në këtë aspekt Banka e Shqipërisë dëshiron të sqarojë se me hyrjen në fuqi në datën 1 Qershor 2007 të Ligjit Nr.9662 datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", të drejtën për të aplikuar për t'u pajisur me liçencë për ushtrimin e veprimtarisë së këmbimit valutor e kanë vetëm personat juridikë tregtarë.

Të gjithë shtetasit dhe subjektet që nuk kanë licensë për ushtrim aktiviteti, pas datës 15 qershor 2007 do t'u nënshtrohen sanksioneve ligjore dhe do t'u bllokohet aktiviteti.

Ministria e Financave do të ndërmarrë procedurat e nevojshme ligjore nëpërmjet Policisë Tatimore me qëllim ushtrimin e kontrollit dhe identifikimin e individëve apo subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e paliçencuar të këmbimit valutor, për mbylljen e kësaj veprimtarie, si dhe nxjerrjen dhe ekzekutimin e masave të tjera ndëshkuese të parashikuara me ligj.

Së fundmi, të dy institucionet angazhohen të zbatojnë me rigorozitet detyrimet ligjore që burojnë nga Ligji Nr.9662 datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", dhe nuk do të hezitojnë të kallëzojnë penalisht çdo individ apo subjekt që kryen veprimtari të këmbimit valutor pa licencën përkatëse të lëshuar nga Banka e Shqipërisë, veprimtari e cila do të ndiqet deri edhe penalisht.

Ministria e Financave Banka e Shqipërisë