BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Deklaratë e stafit të FMN-së dhe Konkluzioni i Konsultimeve për Artikullin IV dhe Misioni i Rishikimit të programit PRGF/EFF në Shqipëri, 26 prill - 11 maj 2006

Data e publikimit: 11.05.2006

 

Kjo deklaratë paraqet konkluzionet e misionit të FMN-së që vizitoi Shqipërinë për të kryer konsultimet për Artikullin IV dhe rishikimin e parë nën programin PRGF/EFF. Konsultimet për artikullin IV u fokusuan në çështjet strategjike afatmesme me të cilat përballet Shqipëria. Qeveria pajtohet me vlerësimin e stafit të FMN-së që objektivat kryesorë janë: ruajtja e stabilitetit makroekonomik; avancimi i reformave fiskale me qëllim përmirësimin e grumbullimit të të ardhurave; forcimi i administrimit të borxhit dhe thjeshtimi i sistemit tatimor; përmbajtja e rritjes së kreditimit; zgjerimi i bazës së eksporteve; përmirësimi i kushteve në sektorin e energjisë elektrike dhe ndërmarrja e një sërë reformash institucionale. Kriteret sasiore dhe cilësore të performancës nën programin e FMN-së, përveç atyre që lidhen me KESH-in, janë realizuar. Është arritur marrëveshja për targetet strukturore dhe sasiore për rishikimin e ardhshëm të programit, si dhe gjithashtu parimet kryesore për buxhetin e planifikuar suplementar të 2006, vendimi final për madhësinë dhe strukturën e këtij buxheti nuk do të merret deri në korrik të këtij viti.

Performanca makroekonomike e Shqipërisë që nga fillimi i kësaj dekade ka qenë përgjithësisht e mirë. Rritja ka qenë e shpejtë dhe inflacioni është reduktuar. Këto zhvillime pozitive janë rezultat i kuadrit të shëndoshë të politikave monetare dhe fiskale. Politika fiskale ka qenë restriktive në masën e duhur, me një theks në zvogëlimin e huamarrjes së brendshme dhe uljen e deficitit. Mungesa e dominimit fiskal ka mbështetur kuadrin e politikave monetare të Bankës së Shqipërisë, çka e ka mbajtur me sukses inflacionin në objektivin e synuar 3±1 për qind.

Megjithë këto arritje të rëndësishme, ekonomia mbetet e brishtë në disa fronte, për shkak të një kulture të shmangies së taksave, borxhit të brendshëm të lartë dhe afatshkurtër, institucioneve financiare jobankare të rregulluara dhe mbikëqyrura dobët, si dhe kapaciteteve të dobëta në parandalimin e pastrimit të parave dhe në luftën kundër financimit të terrorizmit.

Politikat makroekonomike

Megjithë sukseset e kaluara, stabiliteti makroekonomik mund të jetë potencialisht i ndikuar nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe nga goditja e eksporteve. Politikat makroekonomike duhet të përshtaten për të zbutur inflacionin e lartë të mallrave të patregueshëm dhe deficitin e llogarisë korente. Si hap i parë, janë të nevojshme masa më të forta mbikëqyrëse për të kontrolluar rritjen e kreditimit. Këto duhet të shoqërohen me një shtrëngim të pozicionit fiskal në buxhetin suplementar. Rritja e normave të interesit në këtë moment nuk është e përshtatshme.

Rritja dhe Institucionet

Arritja e nivelit të vendeve me të ardhura mesatare do të kërkojë reforma të tjera madhore. Për të mbështetur një rritje ekonomike të lartë me stabilitet makroekonomik dhe për të krijuar kushtet për një zgjerim domethënës të sektorit të eksporteve, cilësia e institucioneve private dhe publike do të duhet të përmirësohet. Reformat që do të ndihmojnë në reduktimin e korrupsionit, formalizimin e ekonomisë dhe në bërjen e mjedisit të biznesit më tërheqës janë themelore.

Duke qenë se kapacitetet institucionale janë të kufizuara, qeveria duhet të fokusohet në funksionet e veta kryesore dhe të promovojë sektorin privat në sektorët e tjerë. Reformat institucionale që nxisin rritjen duhet të përqendrohen në ato fusha ku Shqipëria është prapa konkurrentëve të saj të rinj, si të drejtat e pronësisë dhe zbatimi i kontratave. Kjo do të kërkojë përmirësimin e aksesit në regjistrimin e pronësisë; luftën ndaj korrupsionit, përfshirë edhe në sistemin gjyqësor; trainimin e gjykatësve që merren me çështje tregtare; si dhe lehtësimin e ekzekutimit të kolateralit për bankat.

Përsa i përket fushave jokryesore, misioni mbështet fuqimisht synimin e autoriteteve për të miratuar një strategji të re për sektorin e energjisë, e cila do të promovojë rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat, përfshirë dhe privatizimin e shpërndarjes. Pa këto reforma, sektori i energjisë do të mbetet një rrezik domethënës për rritjen në afatin e mesëm. Privatizimi i shoqërive të naftës, INSIG-ut dhe Albtelekomit duhet të vazhdojë pa vonesa.

Strategjia Fiskale

Strategjia e autoriteteve për ta mbajtur qeverinë të vogël por më eficiente duke përmirësuar cilësinë e shpenzimeve publike është ajo e duhura. Reformat duhet të fokusohen në forcimin e administrimit fiskal për të reduktuar dobësitë fiskale dhe për të paguar borxhin publik.

Synimi i autoriteteve për të mbajtur nivelin e shpenzimeve totale të qeverisë në rreth 30 për qind të PBB-së në afatin e mesëm duhet të jetë i arritshëm. Rritja e eficiencës dhe cilësisë së shpenzimeve publike dhe zhvillimi i një kuadri institucional që siguron shpenzim me vend të parave megjithatë do të kërkojë përpjekje të mëdha dhe është një sfidë e vazhdueshme. Për këtë qëllim, kuadri afatmesëm i shpenzimeve publike dhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik dhe Social duhet të integrohen efektivisht në procesin e buxhetimit.

Duhet gjetur një ekuilibër ndërmjet ndërmarrjes së shpenzimeve publike për infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi nga njëra anë dhe reduktimit të borxhit publik, nga ana tjetër. Politikat afatmesme të konsolidimit fiskal të hartuara nga autoritetet rezultojnë në një ulje graduale të borxhit publik, por kjo rrugë mund të tronditet nga goditje që do ta linin Shqipërinë të brishtë. Do të jetë pra e rëndësishme që një pjesë e mirë e të ardhurave të fituara nga reformat në administrimin tatimor, të përdoren për të reduktuar borxhin në raport me PBB-në më vendosmërisht, nëse këto përfitime janë domethënëse.

Politika tatimore dhe reformat administrative duhet të mbështesin rritjen ekonomike dhe të përmirësojnë klimën e biznesit, duke eliminuar shtrembërimet dhe duke reduktuar kostot e zbatimit të ligjit. Përveç reduktimit të normës së lartë të kontributit të sigurimeve shoqërore dhe eliminimit të tarifave doganore për makineritë e importuara, nuk ka më hapësirë për të shkurtuar taksa të tjera tani.

Prioriteti imediat është thjeshtimi i sistemit tatimor, zgjerimi i bazës së taksueshme dhe krijimi i një kulture të zbatimit të ligjit. Nëse do të zbatohen me sukses, këta hapa do të krijojnë hapësirë për reduktimin e normave të taksave në të ardhmen. Reformat në administrimin e të ardhurave janë gjithashtu thelbësore për të reduktuar dobësitë. Progresi i bërë deri më tani për të përmirësuar administratën doganore dhe forcimin e Zyrës së Taksapaguesve të Mëdhenj është inkurajues, por përpjekje të vazhdueshme janë të nevojshme për të konsoliduar këto përmirësime.

Reformat e ardhshme tatimore duhet të ndërmerren me një ritëm të matur, pasi të sigurohet që tejkalimet e të ardhurave janë të qëndrueshme dhe duke lënë hapësirë dhe për reduktimin e borxhit. Autoritetet parashikojnë reduktime të tjera në normat e taksave për të reduktuar shtrembërimet dhe për të nxitur formalizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë periudhës 2007-2009, reformat tatimore do të rishikohen çdo gjashtë muaj për të analizuar progresin në rritjen e të ardhurave dhe në zgjerimin e bazës së taksapaguesve. Theksi do të vihet në reduktimin e mëtejshëm të kontributit të sigurimeve shoqërore, por dhe duke u kujdesur që stabiliteti financiar i sistemit të pensioneve do të ruhet. Në një hap të dytë janë parashikuar reduktime paralele në tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin. Reduktimet në normën e TVSH-së do të konsiderohen vetëm si një opsion i fundit, duke konsideruar mungesën e shtrembërimeve si dhe kontributin e rëndësishëm në të ardhurat totale.

Për të reduktuar dobësitë e krijuara nga një nivel relativisht i lartë borxhi publik, administrimi i borxhit publik duhet të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme. Duhet të formulohet së shpejti një plan veprimi mbi rekomandimet e misionit të kohëve të fundit të asistencës teknike të FMN-së. Miratimi i një ligji të ri për borxhin publik dhe formulimi i një strategjie për administrimin e borxhit janë hapat e parë më të rëndësishëm në zbatimin e këtij plani veprimi.

Buxheti Suplementar

Buxheti suplementar do të drejtohet drejt investimeve me cilësi të lartë në infrastrukturë dhe në reduktimin e barrës së borxhit. Duke parë rezultatet e mira në grumbullimin e të ardhurave në vitin 2006 është arritur një marrëveshje në parim, për një buxhet suplementar për gjysmën e dytë të vitit, që do të fokusohet në shpenzime kapitale të prioritetit të lartë—kryesisht ndërtim rrugësh—të cilat janë mëse të nevojshme për të përmirësuar infrastrukturën e keqe, për të nxitur rritjen dhe për të reduktuar varfërinë. Për të reduktuar dobësitë fiskale, rreth ¼ për qind e PBB-së do të kursehet. Megjithatë, qeveria do të vendosë për masën dhe strukturën e buxhetit suplementar në korrik, në konsultim me stafin e FMN-së. Për të rritur fleksibilitetin e buxhetit, një pjesë e shpenzimeve për investimeve përpara fundit të vitit mund të rishpërndahet për transferta kapitale, për të mbuluar kostot e ardhshme të shpronësimit të trojeve.

Buxheti suplementar do të shënojë një tjetër hap përpara në planet ambicioze për reforma në taksa. Stafi e mbështet planin e autoriteteve për të përdorur pjesë nga të ardhurat shtesë nga përmirësimet në administrimin tatimor për të ulur në mënyrë të ndjeshme sigurimin shoqëror të paguar nga punonjësit deri në 9 pikë përqindje, për të promovuar një pjesëmarrje më të madhe në ekonominë formale. Autoritetet duhet të konsultohen me Bankën Botërore që ulja e planifikuar nuk rrezikon qëndrueshmërinë financiare të sistemit të pensioneve. Autoritetet planifikojnë të eliminojnë tarifat doganore dhe të praktikojnë TVSH-në e shtyrë për importet e makinerive, me qëllim për të promovuar investimet. Humbjet në të ardhura do të balancohen nga rritja e akcizës, në linjë me vendet e tjera të rajonit.

Qëndrueshmëria e Sistemit Financiar

Shqipëria karakterizohet nga një sistem bankar i fortë, i qëndrueshëm, me fitim dhe likuid që po zhvillohet shpejt, i shoqëruar nga një rritje e shpejtë e kreditimit. Thellimi i ndërmjetësimit financiar është i rëndësishëm për një ekonomi dinamike si ajo e Shqipërisë. Megjithatë, kjo do të kërkojë gjithashtu një menaxhim të kujdesshëm të rreziqeve potenciale që vijnë nga rritja e shpejtë e kreditimit. Krijimi i një zyre informacioni për kredimarrësit pranë Bankës së Shqipërisë, të aksesueshme nga të gjitha bankat si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor për ekzekutimin e kolateralit do të jenë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Në mënyrë që të përmbahen ritmet e rritjes së kreditimit dhe të reduktohen rreziqet, Banka e Shqipërisë është e gatshme të zbatojë masa të mëtejshme për të forcuar mbikëqyrjen bankare dhe rregulloret. Rekomandime më specifike për të përmirësuar vlerësimin e rrezikut nga bankat dhe shtrëngimin e rregulloreve të bankave dhe të mbikëqyrjes (me theks të veçantë në kreditë e këqija) përfshihen në raport të një misioni asistence teknike të FMN-së me ekspertë nga Departamenti i Sistemeve Monetare dhe Financiare. Këto veprime—së bashku me politika monetare dhe fiskale të kujdesshme—pritet që të jenë të mjaftueshme në stadin aktual. Megjithatë, në rast se do të lindë nevoja në të ardhmen, Banka e Shqipërisë, duhet të qëndrojë gati, që pas konsultimeve me stafin e FMN-së të zbatojë masa të tjera shtesë.

Ekziston një nevojë urgjente për forcimin e mbikëqyrjes për organizatat financiare jobankare. Institucionet aktuale mbikëqyrëse janë të dobëta dhe kanë mungesë pavarësie. Misioni pra e mirëpret planin e autoriteteve për krijimin e një agjencie të vetme, që do të bashkojë në një autoritetin e mbikëqyrjes së kompanive të sigurimeve, atë të fondeve të pensioneve si dhe komisionin e letrave me vlerë. Agjencia e re duhet të jetë e pavarur, me fonde të mjaftueshme dhe të ketë një staf të trainuar ashtu siç duhet për ta bërë mbikëqyrjen efektive.

Statistikat

Statistikat zyrtare kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme të mëdha në mënyrë që të shërbejnë si një bazë e besueshme për ndërtimin e politikave. Statistikat kombëtare akoma përmbajnë dobësi të thella dhe kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme, duke përfshirë këtu edhe të dhënat e rishikuara të vitit 2004. Mungesa e të dhënave kohore të tregut të punës dhe të pagave mbetet një sfidë për analizat e politikës monetare dhe nga INSTAT-i kërkohen përpjekje më të mëdha në këtë fushë, në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Për më tepër, vlerësimi i bilancit të pagesave vështirësohet së tepërmi nga sasia e konsiderueshme e transfertave private dhe ekonomia e lartë informale.

Disa probleme të Programit

Kriteret e performancës të KESH-it për sa i përket mbledhjes së faturave dhe nivelit të humbjeve për tremujorin e parë të vitit 2006, nuk janë realizuar. Ndërsa furnizimi me energji elektrike është rikthyer dhe disa masa lehtësuese afatshkurtra për përmirësimin e gjendjes janë kryer, priten më shumë përpjekje për të sjellë treguesit financiarë të KESH-it në gjendje normale.

Të gjithë objektivat e tjerë të programit janë realizuar dhe është arritur një marrëveshje për objektivat sasiorë dhe strukturorë për rishikimin e radhës të programit.

* * * * *

Misioni falenderon autoritetet për bashkëpunimin dhe pritjen e ngrohtë.

István P. Székely K. Ann-Margret Westin
Shefi i Misionit Përfaqësuese e Përhershme