BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Dita Ndërkombëtare e Muzeve në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, 18 maj 2023

Data e publikimit: 19.05.2023

 

Që prej vitit 1977, më 18 maj në të gjithë botën festohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve. Kjo datë është vendosur prej Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve – ICOM të UNESCO-s dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin publik mbi rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë. Në këtë kuadër, si çdo 18 maj, edhe këtë vit Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizoi veprimtari të ndryshme për publikun e gjerë, si dhe qëndroi i hapur për vizitorët përtej orarit të tij zyrtar.

 DSC1791 498

Gjatë kësaj dite, nën sloganin "Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia", Muzeu i Bankës së Shqipërisë mirëpriti rreth 600 vizitorë, të cilët u njohën me koleksionin e pasur numizmatik të Bankës së Shqipërisë, historikun ekonomik e monetar vendas, si dhe me aktivitetet e veçanta dedikuar kësaj dite.

Këtu mund të përmendim ekspozitën e përkohshme “Banka e Napolit 85 vite më parë në dokumentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, e cila paraqiti për vizitorët veprimtarinë e Bankës së Napolit në Shqipëri gjatë viteve 1936-1944, si dhe rolin e saj si investitor në punët publike të vendit.  Gjithashtu dhe ekspozitën e përkohshme me dokumente, artefakte, prova kartëmonedhash dhe objektesh të përdorura nga Banka e Shtetit Shqiptar për prodhimin e kartëmonedhës dhe monedhës LEK gjatë viteve 1957-1991. Pjesë e këtyre aktivitete ishte dhe kolazhi me pjesë nga filma shqiptarë ndër vite me temë “Fuqia e parasë”, të realizuar në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

 DSC1873 498

Veprimtaritë e kësaj dite u mbyllën me leksionin e hapur me temë: “Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, të zhvilluar nga Prof.Asoc.Dr Elona Pojani, lektore pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.  Ky leksion u përqendrua në rolin e qenësishëm që edukimi luan në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, faktorët që e mundësojnë atë dhe masat që duhet të marrin institucionet publike e bizneset për mbështetjen e këtij zhvillimi.