BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ekspozita “MONEY smART – Edukim financiar për të gjithë”

Data e publikimit: 07.06.2024

 

Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore, me mbështetjen financiare të SECO, prezantojnë Ekspozitën edukative “MONEY smART – Edukim financiar për të gjithë". Ekspozita do të jetë e hapur nga 13-28 qershor 2024, në lulishten përpara selisë qendrore nr. 2 të Bankës së Shqipërisë (adresa: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë).

Brenda një peizazhi financiar në zhvillim të shpejtë, ku qasja në shërbimet financiare bëhet më e lehtë, ndërkohë që konsumatorët përballen me rreziqe të reja, kultura financiare është kthyer në një aftësi kyçe jetësore për individët. Edukimi financiar ndihmon në kultivimin e kulturës dhe përfshirjes financiare përmes rritjes së njohurive, aftësive dhe qëndrimeve financiare, duke synuar rritjen e mirëqenies dhe fuqizimin financiar të konsumatorëve.

Ekspozita “MONEY smART – Edukim financiar për të gjithë" është fryti i parë i Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, e miratuar në fillim të vitit 2024, si dëshmi e angazhimit serioz të bankës qendrore në këtë fushë.

Në panelet e saj do të gjeni informacion të larmishëm dhe me fokus konsumatorin mbi çështje financiare të prezantuara thjesht dhe në mënyrë tërheqëse.

Ju mirëpresim!