BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ekspozita e Bankës së Shqipërisë “100 vjet Pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare”

Data e publikimit: 25.10.2012

 

Shqipëria kremton këtë vit 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së saj. Në kuadër të këtij viti jubilar, Banka e Shqipërisë organizon ekspozitën lëvizëse me temë “100 vjet Pavarësi: “Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare”, e cila këtë radhë u hap në Tiranë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Ekspozita lëvizëse trajton historinë e monedhës dhe kartëmonedhës kombëtare, e cila pasqyron njëkohësisht edhe zhvillimin e bankës qendrore në Shqipëri, duke filluar me përpjekjet e para të Ismail Qemalit për krijimin e një banke qendrore shqiptare e deri në ditët e sotme. Nëpërmjet organizimit të kësaj ekspozite, Banka e Shqipërisë synon të shpalosë vlerat historike dhe kulturore të monedhës dhe të kartëmonedhës shqiptare të emetuar ndër vite.

Në këtë ekspozitë u shpalosën koleksione të monedhave dhe kartëmonedhave që i përkasin periudhave të ndryshme historike të vendit. Ndryshimet historike që ka kaluar shteti shqiptar janë reflektuar në simbolet e monedhave dhe kartmonedhave, duke bërë kështu që monedha kombëtare të vlerësohet jo vetëm për vlerën e saj monetare, por dhe për vlerën historike që ajo mbart.

Gjatë kësaj ekspozite, u prezantua edhe seria e monedhave përkujtimore me tematikë “100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, që Banka e Shqipërisë ka emetuar me këtë rast.

Seria përbëhet prej tre monedhash:

  • Monedhë ari 200 lekë.

    Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, dhe nën të është shkruajtur vlera emërore 200 lekë. Në pamjen e pasme është vendosur portreti i Ismail Qemalit, ndërsa poshtë portretit është shkruar emri i tij.

 

200 leke ismail qemali perpara 5315 0

 

.200-leke-ismail-qemali-mbrapa.

 
  •  Monedhë argjendi 100 lekë.

    Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme monedha ndahet në dy rrathë. Në pjesën qendrore të saj ka të vendosur aktin e pavarësisë. Në rrethin e dytë shkruhet “Shqipëri-Albania 2012” dhe “Akti i shpalljes së Pavarësisë”.
 

100 leke deklarata pavaresise perpara 5313 0 (1)   

100 leke deklarata pavaresise mbrapa 5312 0   

 
  • Monedhë me metal të thjeshtë 50 lekë.

    Në pamjen kryesore të monedhës është vendosur shqiponja dykrenore e flamurit, ndërsa në pjesën e pasme të monedhës zë vend skulptura simbolike me dy duar të bashkuara fort me njëra-tjetrën.

 

50 leke beselidhja perpara 5311 0  

50 leke beselidhja mbrapa 5310 0  

Në kuadër të kësaj ngjarjeje të shënuar të historisë së vendit, është shtypur dhe Medalioni i Bankës së Shqipërisë “100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”. Medalioni paraqet një stilizim të shqiponjës dykrenore, në krahët e së cilës valëvitet flamuri shqiptar që mban të shkruar vitet 1912-2012.

Monedhat e shtypura me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë si dhe medalioni i Bankës së Shqipërisë do të paraqiten për publikun e gjerë në ekspozitën e organizuar nga Banka e Shqipërisë.

Kjo është ekspozita e gjashtë që Banka e Shqipërisë organizon në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ekspozita e parë u zhvillua në qytetin e Beratit, për të vijuar më pas në qytetin e Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit e Shkodrës. Ekspozita e fundit do të zhvillohet në qytetin e flamurit në Vlorë, në muajin nëntor.

Në Tiranë, ekspozita e çel në datë 25 tetor 2012 nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani, në praninë e guvernatorëve dhe përfaqësuesve të tjerë të bankave qendrore, studiuesve të fushës, përfaqësuesve të ndryshëm të botës financiare, medias shqiptare, etj..

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri ditën e shtunë, datë 27 tetor 2012.
Banka e Shqipërisë falënderon Muzeun Historik Kombëtar, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Bibliotekën Kombëtare, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, koleksionistët si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për ndihmesën e dhënë në organizimin e kësaj ekspozite.