BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Ekspozitë “Berati në shek. XVIII-XX: Zhvillimi ekonomik dhe tregtar, koleksione të kartëmonedhave lokale të qytetit, objekte me rëndësi historike të Beratit të pasqyruara në monedhën kombëtare”

Data e publikimit: 19.04.2024

 

Më 18 dhe 19 prill 2024, Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat, organizuan ekspozitën e përbashkët fotografike “Berati në shek. XVIII-XX: Zhvillimi ekonomik dhe tregtar, koleksione të kartëmonedhave lokale të qytetit, objekte me rëndësi historike të qytetit të pasqyruara në monedhën kombëtare”, në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri”, në Berat.

 DSC7616

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve pranë Bankës së Shqipërisë, së bashku me drejtorin e Qendrës Muzeore Berat, z. Miklor Pasku, përshëndetën të pranishmit. Z. Tanku shpjegoi se si kjo ekspozitë nxjerr në pah rolin e rëndësishëm të Beratit, si një qendër e ekonomisë në nivel kombëtar. Si një vlerësim i rolit të tij në ekonomi, histori e trashëgimi kulturore, Berati është përzgjedhur për të qenë pjesë e simbolikës së monedhës tonë kombëtare të qarkullimit, por edhe të asaj numizmatike. Një vëmendje të veçantë ekspozita i kushtoi Kodikut të Purpurt të Beratit, si dokumenti historik më i vjetër që ruhet sot në Shqipëri. Qoftë i parë si objekt kulture, qoftë si trashëgimi e gjallë e kultivimit të krishtërimit në vendin tonë, ky kodik përmban vlera të përveçme që jo vetëm lidhin të tashmen me të shkuarën, por që përbëjnë edhe vetë fillin e vazhdimësisë kulturore të shqiptarëve ndër shekuj. Në vitin 2005, Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1 u bë pjesë e regjistrit “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s. Këtë objekt të vyer të trashëgimisë sonë, Banka e Shqipërisë e nderoi në vitin 2011 përmes monedhës numizmatike përkujtimore, 50 Lekë “Kodiku i Purpurt i Beratit 043 Φ – Beratinus 1”.

 DSC8055

Ekspozita - e kuruar me shumë kujdes nga të dy institucionet - trajtoi aspektet më të spikatura të zhvillimeve tregtare, ekonomike dhe etnografike të qytetit të Beratit, gjatë shekujve XVIII-XX dhe koleksione numizmatike, si kartëmonedhat lokale të fillimit të shekullit XX, monedha kombëtare, të cilat mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit, me vlera historike dhe kulturore universale.

 DSC8024

 DSC8113

Vizitorët u njohën me karakteristikat kryesore të qytetit të Beratit, si një nga qendrat më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare në shek. XVIII- XX. Përmes “udhëtimit” në këtë ekspozitë, vizitorët u njohën me ndërthurjen unike mes historisë ekonomike dhe zhvillimit tregtar të qytetit, si dhe me disa tema të tjera që mbeten aktuale për ekonominë edhe në ditët e sotme. Një hapësirë të veçantë në këtë Ekspozitë zunë edhe elemente të edukimit financiar të Bankës së Shqipërisë.

 

 DSC7519

 DSC7967

 

 

Ekspozita u vizitua edhe nga zj. Bora Muzhaqi, Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët, e cila duke u ndalur në këndin edukativ të ekspozitës, theksoi rëndësinë e rolit të Bankës Qendrore dhe institucioneve shtetërore për edukimin financiar të brezit të ri, si dhe inkurajoi nxënësit që të mësojnë mbi financat, duke e bërë kulturën financiare pjesë të formimit të tyre të përgjithshëm. Ajo u shpreh se bashkërendimi i përpjekjeve ndërinstitucionale në këtë fushë është domosdoshmëri për rritjen e kulturës financiare në vend.